Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vrasjet e padënuara në Shqipëri

Nga Mirjan Topi*

Zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i krimit është një debat i kahershëm, i cili vazhdon të zhvillohet me të njëjtin intensitet në vendin tonë. Megjithatë, nëse ka një lloj krimi i cili vazhdon tradicionalisht të mos ndëshkohet është pa mëdyshje krimi mjedisor ose thënë ndryshme shkatërrimi i ekosistemeve, habitateve apo biodiversitetit në vend.

Si pasojë e këtij lloj krimi, Shqipëria ka pësuar humbje të konsiderueshme të resurseve natyrore dhe biodiversitetit përfshirë këtu një sërë llojesh të zhdukura krejtësisht nga territori i vendit. Format e krimit mjedisor në vend janë diverse ashtu sikurse janë edhe motivet prapa tyre. Prerja e paligjshme e pyjeve, vrasja e paligjshme e kafshëve, zjarret, ndërtimi, ndotja e ajrit dhe ujit janë ndër format kryesore të krimit mjedisor të cilat ndodhin për motive përfitimi të drejtpërdrejtë, për motive pakujdesie apo për shkak të mungesës së informacionit ose padijes se veprimet përkatëse përbëjnë krim mjedisor që dënohet në bazë të një lejgislacioni të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.  

Vrasja e kafshëve dhe shpëndëve të egër, pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë vazhdon të mbetet një ndër krimet mjedisore që ndodh rëndom në Shqipëri, duke sfiduar haptazi ligjin dhe shtetin. Ky pohim, faktohet lehtësisht nga ballcamimet e shumta të kafshëve dhe shpendëve të ndryshëm të cilat ekspozohen kudo nëpër ambjentet e ndryshme të shërbimit si: bare, restora   nte apo hotele. Vështirë është të gjesh një shqiptar që nuk i ka parë këto “mini muze natyre” të shëmtuara të cilat janë kthyer në një gangrenë që gërryen çdo ditë imazhin turistik të vendit dhe në një neveri për atë pjesë të turistëtve të huaj të apasionuar pas natyrës, të cilët vihen përballë një vandalizmi të tillë kundrejt ligjit dhe jetës së egër.

Ajo që fatkeqisht nuk kam arritur asnjëherë të kuptoj është se si dhe pse ende vazhdon të lejohet që ligji mjedisor të shkelet me të dyja këmbët, një këmbë e dhunon (kundravajtësit) ndërsa tjetra nuk e zbaton (institucionet)? Në valën e vullnetit të mirë të shprehur nga qeveria e fundit për ruajtjen e natyrës, nëpërmjet disa ligjeve të reja si për shembull ligjet për Moratoriumin e Gjuetisë dhe të Pyjeve, është krejtësisht i pakuptueshëm kompromisi që institucionet përkatëse tregojnë për moszbatimin e këtyre ligjeve dhe paketës së plotë të legjislacionit mjedisor në vend.

Dëshiroj edhe një herë të theksoj fjalën “kompromis” e cila besoj se e përfaqëson më së miri situatën? Pse? A thua që punonjësit e zbatimit të ligjit, si psh policia, inspektoriati i mjedisit, inspektorët e agjencisë kombëtare të zonave të mbrojtura etj, të mos u ketë rënë rasti asnjëherë të shohin “mini muzetë” e përmendur më sipër apo të mos kenë parë asnjë rast të publikimit të krimeve mjedisore të raportura pothuaje çdo ditë në rrjetet sociale? Vështirë të besohet, marrë në konsideratë që këto “mini muze” të shëmtuar janë brenda zonave të tyre të patrullimit dhe në jo pak raste në zemër të zove të mbrojtura (në të cilat ruajtja e territorit është më e plotë).

Ky fakt, ilustron qartazi kompromisin që bëhet në këtë rast, i cili shoqërohet me një kosto të majme ekonomike dhe mjedisore. Përse qytetarët e shqipërisë duhet të paguajnë këtë kosto dhe të kapërdijnë shkeljen haptazi të ligjit? Ligji për Moratoriumin e Gjuetisë ndalon tërësisht gjuetinë në territorin e vendit deri në vitin 2021, por pavaresisht nga ky ligj, vrasja e ariut, ujkut, rrëqebullit, baldosës, çakallit, lutrës, zardafit, nuse lalës bishtzezë, qelbësit, maces së egër dhe llojeve të tjerë të gjitharëve apo shpendëve (të cilët janë pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë dhe që nuk janë pjesë e listës së llojeve objekt gjuetie) ndalohet dhe dënohet me ligj.

Nëse kompromisi i sipërpërmendur bëhet përshkak të mosnjohjes së ligjit, atehere të nderuar ligjzbatues nëse një qyetar mban në kafaz apo të ballcamosur një lloj të egër të faunës për të cilin nuk disponon dokumentacionin përkatës, kjo përbën kundravajtje ligjore.  Më konkretisht në bazë të legjislacionit mjedisor shqiptar, një individ që mban në kafaz ose të ballcamosur apo këkron të shesë në internet një lloj të mbrojtur gjitari (ariu, ujku,b aldosa etj) ose shpendi (shkaba, shqiponja e malit, huta, pelikani etj) dënohet nga ligjet si më poshtë:

Nga ligji Nr. 9587, datë 20.7.2006“Për Mbrojtjen e Biodiversitetit”, i përmirësuar me ligj Nr.68/2014. Në nenin 20, pikën 1 të këtij ligji citohet shprehimisht se: “Kapja, marrja, mbajtja dhe përdorimi i individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura janë të ndaluara”. Më tej, në nenin 23, pika 1, shkronjat “a-d”  të po këtij ligji specifikohet se ndalohet vrasja, shqetësimi i qëllimshëm, marrja e vezëve nga foleja, dëmtimi i folesë apo vendeve të qëndrimit, transporti apo shitja e këtij lloji. Kryerja e këtyre veprave të paligjshme sanksionohet në bazë të nenit 53, pikave 1 dhe 2, dhe ndëshkohet me masë administrative nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë, bazuar në nenin 54, pika 2, shkronjat “a-k” dhe pika 3, shkronjat “a-b”. Dënimi me gjobë, shoqërohet edhe me konfiskimin e llojeve apo materialeve gjenetike si dhe të mjeteve me anë të të cilave është kryer veprimi i paligjshëm.

Ballcamosja është prova më e pakontestueshme e dëmit më të rëndë që i bëhet popullatës së një lloji të caktuar, pasi përfshin eleminimin e drejtperdrejte të individit nga popullata natyrore dhe si e tillë ligji parashikon dënim maksimal, pra gjobën maksimale 500 mijë lek.  Vetëm në një restoant në afërsi të një parku kombëtar në rrethin e Korçës, mbahen rreth 20 lloje të ballcamosura pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë. Nëse ligji do të zbatohej si duhet vetëm për këtë rast shteti duhet të vilte një gjobë totale prej rreth 10 milion Leke ose rreth 70 mije Euro e cila normalisht duhet të përdoret për të riparuar dëmin e shkaktuar.

*Inxhiner mjedisi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *