Kafshëdashësit akuzojnë Bashkinë Tiranë për dhunë të shtuar ndaj kafshëve të rrugës gjatë pandemisë, teksa shprehen se asnjë politikë nuk është ndërmarrë nga ata për të adresuar nevojat e tyre. Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin se gjatë izolimit nuk ka pasur asnjë alternative për kafshët shtëpiake, të cilat e kanë të nevojshme lëvizjen.
Vetëm katër ditë më parë (në javën e nëntë të izolimit) në portalin E-Albania u shtua opsioni që i lejon zotëruesit e kafshëve në Shqipëri, të marrin leje “Për të shëtitur qenin”.
Kjo ndryshe nga vende të tjera që janë goditur shumë me rëndë nga COVID-19, si Italia, ku që prej fillimit të izolimit, qytetarët janë lejuar të dalin dhe të shëtisin qenushët.
“A mund të dal i shoqëruar me kafshë shtëpiake?”
“Po, për nevojat e tij fiziologjike, por pa grumbullime dhe duke mbajtur distancën së paku një metër nga njerëzit e tjerë”, thekson Qeveria italiane.
Shtete të tjera kanë marrë gjithashtu parasysh nevojën e kafshëve për të lëvizur. Në Francë, individët mund të lëviznin nga shtëpia për ushtrime fizike, të shoqëruar edhe me qenushët.
Endri Noti, aktivist në mbrojtje të kafshëve, tregon se periudha e pandemisë është shfrytëzuar për të vrarë kafshët në situatë rruge.
“Bashkia e Tiranës përveç vrasjes së qenieve të pafajshme, nuk di trajtim tjetër. Kjo histori përsëritet dhe agravon akoma më shumë në këtë periudhë pandemie. Në pamundësi lirie të shumë aktivistëve apo vullnetarëve, Bashkia bën të kundërtën e asaj që bëjnë vendet e tjera në rajon, të cilat kanë plane shpëtimi, ushqimi dhe trajtimi”.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Marjana*, aktiviste, e cila akuzon Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) se gjatë kësaj periudhe ka gjetur terren për të vrarë në masë qenushët e rrugës.
Endri Noti, aktivist për mbrojtjen e kafshëve
“Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, drejtues te AKM-së me urdhër të Bashkisë, kanë vazhduar të marrin qenushët në rrugët e Tiranës, kuptohet për të mos i kthyer më sepse në këtë periudhe nuk bëhen as sterilizime e as kastrime, plus që nuk kursehen as qenushët me matrikull”.
Aktivistët theksojnë se kjo është një praktikë e vazhdueshme e Bashkisë Tiranë, ku edhe më herët kanë denoncuar zhdukjen e kafshëve të rrugës, të cilat i kanë dokumentuar edhe me video, të dërguar në redaksinë e Citizens Channel.
Në vitin 2016 u inagurua Klinika Veterinare e Bashkisë Tiranë, e pozicionuar në Kombinat, me qëllim strelizimin dhe vaksinimin e qenushëve të rrugës, procedurë e cila pasohet me kthimin e tyre në habitat.
Aktivistët në mbrojtje të kafshëve pohojnë se në fakt kjo klinikë i trajton në formë çnjerëzore kafshët që merr për t’i trajtuar, disa prej tyre të cilët edhe i vret. Kjo, sipas tyre, konstatohet prej faktin se shumë prej qenushëve nuk janë kthyer më në lagjet ku kanë jetuar pas trajtimit në klinikë.
Noti shpjegon më tej se Covid-19 ka përkeqësuar situatën e kafshëve të rrugës, pasi janë përballur me uri të shtuar gjatë ditëve të izolimit.
“Ka përkeqësim të shëndetit të kafshëve në rrugët e Tiranës dhe kjo është fare e thjeshtë për t’u evidentuar. Restorantet janë mbyllur, ushqim nuk ka, ujë nuk ka, aktivistët dhe vullnetarët nuk e kanë më lirinë si më parë që mund t’i ndiqnin të gjitha rastet dhe t’i mjekonin ato me probleme”.
Jo vetëm shëndeti fizik, qenushët që detyrohen të qëndrojnë brenda, përjetojnë stres dhe ankth, sikurse edhe njerëzit.
Endri Noti rrëfen se Rex dhe Joy, dy katër-putroshët e tij, kanë përjetuar stres si pasojë e izolimit.
“Sigurisht që është një stres, ata janë mësuar në një orar fiks të cilin e presin me padurim. Ne ja kemi hequr dhe ketë te drejte minimale duke ja privuar lirinë e tyre ne shoqërinë tonë. Kafsha e tregon me anë të sjelljeve stresin, ka shume kafshë të cilat qëndrojnë inaktivë, ka shumë kafshë të cilat bëjnë veprime që më përpara nuk i kanë bërë”.
Shëtitja e qenushëve nën frikën e vazhdueshme të gjobës
Përjashtimi i kafshëdashësve në lejet e dhëna për të lëvizur ka bërë që të shfrytëzohet orari i pazarit për të shëtitur kafshët shtëpiake.
“Të them të drejtën i kam thyer rregullat e karantinës për të nxjerrë qenushin, sepse si qenie e gjallë dhe ai duhet të kryejë nevojat e tij, gjithmonë duke marrë një qese me vete për jashtëqitjen. Në këtë periudhë më kanë ndaluar dhe policë ku i kam treguar lejen që merrja me SMS për vete por e shfrytëzoja per qenushin”, artikulon më tej Marjana për Citizens Channel.
Endri Noti, nga ana tjetër tregon se është ndaluar dy herë nga patrullat e policisë, por nuk është gjobitur. Ai përmend edhe faktin se në Shqipëri nuk ka asnjë zonë të dedikuar nxjerrjes dhe trajtimit të kafshëve, çka penalizon katër-putroshët që i kanë të domosdoshme ecjaket e gjata.
“Një torture e vërtetë kur del poshtë shtëpisë dhe më shumë kokën e ke pas se mos vjen ndonjë polic dhe të gjobit. Jam ndaluar dy herë nga policia, njëherë nga patrulla dhe njëherë nga policia bashkiake.
Në të dyja rastet i kam kërkuar, nëse do të më vendosni gjobë për një kundërvajtje, jeni të detyruar të më jepni cilin nen kam shkelur unë ne ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe atëherë unë do te pranoj me kënaqësi shkeljen. Në të dy rastet nuk ka pasur asnjë reagim nga efektivët dhe jam lënë i lirë”, përfundon ai.
Izolimi ka sjellë një tjetër dëm, pasi shumë animalistë që kujdesen për kafshët në zonat ku banojnë, janë privuar nga liridalja. Në këtë periudhë të vitit, sqaron Noti, shëndeti i kafshëve përkeqësohet dhe ka nevojë për shërbime të tjera, që në kushtet e zakonshme janë ofruar nga qytetarët.
“Realisht, pranvera është dhe stina e cila ndikon shume tek shëndeti i kafshëve, ku shfaqen disa probleme si virozat apo probleme me veshët. Shërbimi ndaj këtyre kafshëve në ketë periudhë është jetësor për faktin se më mbrapa mund të jetë shumë vonë dhe rriten në mënyrë eksponenciale dhe kostot për shërbimin e tyre nëse ndonjë sëmundje ka avancuar”.
Kanosja e vazhdueshme e qenushëve të rrugës
Gjatë periudhës dhjetor-janar janë organizuar dy protesta para Bashkisë Tiranë, ku animalistët kanë kërkuar që të mos vriten kafshët e rrugës. Citizens Channel ka raportuar mbi shqetësimin e kafshëdashësve lidhur me politikat që ka zgjedhur Bashkia për të trajtuar situatën.
*Emri i të intervistuarës është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetit