Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Grupi ATA fiton gjyqin ndaj Bashkisë Kamëz, urdhërohet plotësimi i programit të transparencës

Grupi ATA, me veprimtari në Kamëz, ka fituar padinë e ngritur me datë tre mars, 2021, ndaj Bashkisë së Kamzës, pasi kanë konstatuar mangësi të mëdha në programin e transparencës.

Palë e paditur njëkohësisht ka qenë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili pavarësisht sinjalizimeve rreth mungesës së informacioneve nga Bashkia Kamëz, në shkelje të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, nuk ka vepruar.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë mori vendim me ekzekutim të përkohshëm që detyron Bashkinë Kamëz të bëjë publike sa më parë vendimet dhe dokumentet që garantohen përmes ligjit nr. 119/2014.

Nga ana e gjykatës Administrative, çështja është proceduar shumë shpejt, janë zhvilluar dy seanca, seanca përgatitore dhe seanca gjyqësore. Ne kemi paraqitur këndvështrimet tona ndërkohë që mbrojtja e bërë nga palët e paditura ka qenë e dobët, duke qenë se ekzistenca ose mosekzistenca e programit të transparencës është një çështje fakti”, u shpreh për Citizens Channel Dorina Ndreka, avokate e aktivistëve të grupit ATA.

Dorina Ndreka, avokate

Çfarë thotë ligji “Për të drejtën e informimit”?

Ligji për të drejtën e informimit, i miratuar në vitin 2014, por që hyri në fuqi në vitin 2015, për shkak të vonesës së akteve normative, përcakton qartë që çdo autoritet publik duhet të ketë të publikuar në faqen e tij zyrtare disa të dhëna, të cilat janë të hapura për publikun, të tilla si: Koordinatori për të drejtën e informimit, Regjistri i kërkesë-ankesave dhe Programi i Transparencës.

Po ashtu, në faqen e internetit duhet të publikohen informacione të ndryshme, që nga konventat, ligjet, aktet nënligjore, procedurat për të bërë një kërkesë ose ankesë, adresa e institucionit, orari i punës, kontaktet, pagat e funksionarëve, arsimi i punonjësve, prokurimet publike dhe koncesionet, raportet e auditit ose kontrollit, të dhënat për buxhetin dhe shumë të dhëna të tjera që gjykohen të dobishme nga autoriteti publik, për të cilat çdo individ nuk ka nevojë për t’u drejtuar me një kërkesë zyrtare për të marrë informacion.

Në rastin e Bashkisë së Kamzës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, në tetor të vitit 2020 i dha 90 ditë kohë për të plotësuar programin e transparencës, kërkesë që nuk u zbatua.

Kjo vonesë iu sinjalizua sërish komisionerit, megjithatë asnjë masë nuk u mor ndaj Bashkisë Kamëz edhe pas kalimit të afati, me arsyetimin se procedura është e gjatë dhe do kohë.

Momentalisht, në faqen e Web-it të Bashkisë së Kamzës, seksioni i transparencës mbetet ende i paplotë.

Screenshot nga faqja e web-it të Bashkisë së Kamzës

Shtatë vite përpjekje për të aksesuar informacionin publik

Prej shtatë vitesh, njëkohësisht kur u formësua dhe grupi ATA, përpjekjet për të shtënë në dorë informacione që duhet të jenë publike dhe te aksesueshme për të gjithë, binin shpesh në vesh të shurdhët, shprehet Diana Malaj për Citizens Channel.

Aktivistët e këtij grupimi informal në Kamëz, gjatë qeverisjes nga ish-kryetari i Bashkisë Xhelal Mziu, pohojnë se kanë pasur më shumë vështirësi në aksesin e informacionit. Edhe gjatë drejtimit të Mziut, kjo bashki është gjobitur sërish për të drejtën e informimit.

Ka qenë edhe më keq në atë kohë sepse realisht atëherë ndodhte që kërkesat tona që i vinin specifikisht nga grupi ATA apo secilit prej anëtarëve të grupit, nuk arrinin as me u protokollu. Pra, nuk hapeshin fare, nuk protokolloheshin, vetëm griseshin dhe nuk futeshin brenda zyrës së kryetarit”, kujton Malaj.

Me ardhjen e kryetarit të ri në krye të Bashkisë Kamëz, qasja ndaj kërkesave për informacion ka pasur ndryshim, por procesi vijon të shoqërohet me probleme.

Me Sulin sjellja ka qenë shumë ma e moderume, kryesisht kanë kthy përgjigje, ata e kanë kthy në ditën e dhjetë informacionin. Ka një tendencë për me i ba bisht kërkesave për informacion dhe duhet insistim i vazhdueshëm, me nerva të mëdhaja, me i qëndru mbrapa kësaj pune, që të shtish në dorë informacionet për Kamzën”, thotë Diana Malaj.

Diana Malaj, aktiviste e grupit ATA

Ronald Qema, gazetar pranë gazetës elektronike Nyje.al, tregon se marrja e informacionit të pjesshëm ose vonimi i saj ka ndikuar në procesin e punës së tij.

Nyje.al, përgjatë ekzistencës së saj, e ka shumë të nevojshme informimin, mbi të gjitha vendimmarrjet dhe funksionimin e qeverisjes vendore. Kemi dërguar dhjetëra a qindra kërkesa për informim drejt Bashkisë së Kamzës, kërkesa të cilat kanë marrë përgjigje anashkaluese ose s’kanë marrë asnjëherë përgjigje, e rrallëherë përgjigje të plota e sakta”.

Ronald Qema, gazetar i Nyje.al

Aktivistja Malaj tregon se ngjarjet e fundit të ndodhur kanë përforcuar dhe më tej nevojën për të ditur rreth veprimtarisë së Bashkive përkatëse.

Ne vetëm kur u shemb Teatri Kombëtar e kuptum se sa i rëndësishëm ishte një Këshill Bashkiak, ne s’kishim nevojë tashmë me na u shemb edhe një qytezë tjetër, na u shemb edhe qyteza e Valiasit dhe ne e pamë se sa e rëndësishme është transparenca”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *