Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: Një në 10 vajza detyrohet të angazhohet në marrëdhënie seksuale pa dëshirë

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri ka realizuar studimin “Dhuna në Marrëdhëniet Intime dhe Dhuna Seksuale te të Rinjtë”, i cili u prezantua në fillim të muajit maj 2021. Në këtë studim janë përfshirë 1095 të rinj e të reja, të grupmoshës 20-24 vjeç.

Gjetjet tregojnë se 1 në 10 vajza, pjesë e këtij studimi, janë të detyruara të angazhohen në marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre. Vajzat kanë pothuajse tre herë më shumë probabilitet që të detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale nga frika e partnerit/ish – partnerit.

Të tjera të dhëna nxjerrin në pah elementë si mosbesimi ndaj institucioneve, si faktor pengues për të kërkuar ndihmë, teksa faktorët si ndjenja e turpit dhe prishjes së reputacionit të familjes kontribuojnë në mos-adresimin e dhunës seksuale dhe fizike.

Dy në tre persona janë përgjigjur nuk se kanë kërkuar asnjë ndihmë për dhunën e përjetuar, ndikuar nga faktorët e mësipërm.

Gjetje të tjera:
  1. Vajzat kanë përjetuar më shpesh dhunë seksuale në raport me djemtë me diferenca të konsiderueshme që arrijnë në 30%, nga njerëz të njohur, shpesh të rrethit të afërt familjar dhe shoqëror si dhe nga të panjohur;
  2. 41% e përgjigjedhënësve kanë deklaruar se nuk kanë përdorur asnjë metodë kontraceptive në marrëdhënien e fundit seksuale, si pasojë e mungesës së informimit dhe/ose e turpit. Përdorimi i kontraceptivëve ishte më i ulët tek ata/o që kishin kryer marrëdhënie seksuale me detyrim për herë të parë;
  3. Qëndrimet stereotipizuese ndaj disa sjelljeve “provokuese/ambige” të vajzave janë ende të pranishme mes djemve dhe vajzave, si p.sh. 23% prej tyre e justifikojnë dhunën seksuale kundër dëshirës së personit kur është paraprirë nga flirtimi, 22% kur ka veshur diçka të konsideruar “provokuese” dhe 16% kur personi ecën vetëm natë.

Hakmarrja përmes pornografisë [Revenge Porn]

Koncepti i hakmarrjes përmes pornografisë adreson kryesisht fenomenin e shpërndarjes së materialeve intime (foto ose video) të një individi, pa miratim. Ngarkimi i këtyre materialeve në internet ose shpërndarja e tyre elektronikisht, shoqërohet dhe me të dhëna personale të personit të dëmtuar.

Rastet e bëra publike në Shqipëri, tregojnë se zotërimi i materialeve intime po përdoret si mekanizëm shantazhi për të përfshirë individë në marrëdhënie seksuale të padëshiruara.

Dy ditë më parë, një e mitur 15-vjeçare dyshohet se është përdhunuar nga katër burra të rritur dhe një djalë i mitur, duke përdorur filmime e më pas kërcënime se videot do të shpërndahen në rast se refuzon të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.

Jo vetëm në Mirditë, edhe në Kavajë, 7 adoleshentë përdhunuan një të mitur 13-vjeçare për disa muaj radhazi, teksa materialet u shpërndanë dhe e mitura kërcënohej se do t’i publikoheshin në rrjete sociale.

E njëjta situatë u përsërit në Paskuqan, ku roja i shkollës së viktimës Abaz Doku abuzoi me një të mitur 15-vjeçare, bashkë me tre të rinj të tjerë, nën kërcënimet se do t’i shpërndanin videot intime dhe materialet e tjera që zotëronin.

Kuadri ligjor në Shqipëri

Rezarta Agolli, juriste pranë “Shoqata e Grave me Probleme Sociale”, pjesë e AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, ka përgatitur një përmbledhje të kuadrit ligjor në Shqipëri sa i përket marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur.

Nenin 101 i Kodit Penal: “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç

Marrëdhëniet seksuale me dhunë, me fëmijë të mitur të moshës 14-18 vjeç dënohet me burgim nga 5-15 vjet. Kur ajo kryhet në formë të përsëritur dhe në bashkëpunim, duke shkaktuar dëme të mëdha për shëndetin, dënohet nga 10-20 vjet burgim.

Neni 117 i Kodit Penal: “Pornografia”
  • Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim deri në dy vjet.
  • Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve, si dhe krijimi i aksesit në mënyrë të vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga 3 – 10 vjet.
Neni 108 i Kodit Penal: “Vepra të turpshme
  • Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim nga 3 – 7 vjet.
  • Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të mituri që nuk ka arritur moshën 14 vjeç, me të cilin autori ka marrëdhënie familjare, dënohet me burgim nga 5 – 10 vjet.
  • Përfshirja e qëllimshme si dëshmitar, në veprime me natyrë seksuale, e një të mituri që nuk ka arritur moshën 14 vjeç apo i një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një 1 – 5 vjet.
Kodi Penal, neni 121: “Ndërhyrje të padrejta në jetën private
  • Regjistrimi i fjalëve apo figurave, si dhe ruajtja e tyre për publikim që eskpozojnë aspekte të jetës private, pa miratim, dënohen me gjobë deri në dy vjet burg.
  • Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
  • Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *