Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Autobusët elektrikë, premtimi i përvitshëm i Bashkisë Tiranë

“Linja e parë e gjelbër në Tiranë”, u shpreh kryetari i bashkisë Tiranë Veliaj drekën e të shtunës ndërsa njoftonte futjen e një linje të re të transportit publik brenda qytetit.

Sipas njoftimit, linja e re do të shërbejë për unazën, me 24 autobusë që nuk ndotin mjedisin dhe 66 stacione.

Puna e gjeneratës së re të autobusëve elektrikë do të nisë për pak ditë, në gusht, sipas edhe njoftimit përmes Facebook të Kryeministrit Rama.

Premtime dhe njoftime lidhur me transportin publik në Tiranë, qytetarët kanë vite që i dëgjojnë, duke nisur që prej vitit 2014, kohë kur ish-kryebashkiaku Lulzim Basha premtoi tramvajin që do të lidhte Kombinat-Kinostudio për vetëm 24 minuta. E përpos premtimit, nuk kaloi asnjëherë në zbatim.

Rikthimi i premtimeve të pa mbajtura për transportin urban në Tiranë i përkasin vitit 2017. Më 22 shtator 2017, në ditën pa makina, kryebashkiaku Veliaj njoftoi se muajin e ardhshëm do të nisë testimi i autobusëve elektrikë.

Mesazhi për operatorët: Vraponi blini autobusë elektrikë, sa s’ju ka ardh’ Bashkia t’ju marri punën. Ne do të fillojmë nga muaji tjetër, fillimisht nga një kompani europiane, pastaj me një kompani kineze testet e autobusëve elektrikë”,-u shpreh Erion Veliaj për mediat.

Testimi i autobusit të parë elektrik u krye më 26 tetor 2017, përmes një shëtitjeje në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa nuk hezitoi ta quante linjën Kombinat-Kinostudio, si një linjë e cila do të shndërrohej me autobus elektrik fiks si në Paris.

Ne do të krijojmë një kompani publike të transportit nëse nuk do të na përgjigjen operatorët privatë në këtë shkallë modernizimi”, – u shpreh Veliaj në 2017, duke ju bërë thirrje sërish operatorëve privatë për “përqafim” të linjës së gjelbër.

Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit i pranishëm në inaugurim, e konsideroi efikas në mjedis këtë iniciativë.

Përgëzojmë këtë iniciativë të Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon që të sjellë në Shqipëri një nga metodat më moderne dhe një nga metodat më efikase sot në botë për të pasur një mjedis të qëndrueshëm”.

Përveçse xhiros së pjesëmarrësve në inaugurimin, autobusi nuk u pa më në rrugët e Tiranës dhe nuk pati as përgjigje të operatorëve privatë në këtë shkallë modernizimi.

Vëmendja ndaj transportit publik u pa sërish përmes një deklarate të dhënë nga kryebashkiaku Veliaj më nëntor të vitit 2018, teksa prezantoi para banorëve të njësisë 9 rikthimin e trenit, por kësaj here një tren elektrik.

Ne do të rikthejmë trenin në Tiranë, ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është që në do të kemi një tren elektrik. Që do të thotë që treni punon me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, punon me energji elektrike” ,-u shpreh Veliaj.

Një vit më vonë Veliaj u shpreh se deri në 2030, flota e autobusëve do të jetë elektrike.

Përveç 2 milion pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025.100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”,-deklaroi ai në mars të 2019. 

“Tirana do të transformojë transporti publik” ishte kryefjala e lajmeve edhe dy muaj më pas, përkatësisht në maj 2019.

Në takimin me temë “Green Cities = Improved Lives”, pjesë e Forumit të Biznesit të BERZH-it për vitin 2019 që mbajti punimet në Sarajevë, Kryebashkiaku shprehu ambicien për transport publik elektrik në mandatin e dytë.

“Ambicia jonë është që në mandatin e dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH, t’i fokusojmë në atë që quhet “Programi i Qyteteve të gjelbra”, ku duam t’i japim fokus shumë të madh transportit elektrik. Kemi ecur shumë mirë me biçikletat, me taksitë elektrike; tani është radha e autobusëve dhe duam të financohet ky program”.

“Jemi në pritje të autobusëve elektrikë”,– u shpreh Veliaj edhe në tetor 2019, në një takim me përfaqësues të disa institucioneve, akademikë dhe ekspertë të urbanistikës, ku u diskutua mbi planin e parë të qëndrueshëm të lëvizshmërisë urbane.

Transporti publik, gangrena e qytetarëve në Tiranë 

Periudha e verës nisi në Tiranë me vendimin për heqjen e aboneve të përgjithshme për muajt qershor-korrik-gusht me qëllim ristrukturim të linjave për shkak të humbjeve që kishin pësuar gjatë pandemisë.

Kjo situatë solli pakënaqësi te qytetarët, të cilët pavarësisht temperaturave të larta dolën në protestë para Bashkisë Tiranë më 2 qershor, fillimisht.

Më pas, Organizata Politike nisi mbledhjen e firmave përmes një peticioni ku përpos kthimit të abonesë së përgjithshme, kërkonte edhe plotësimin e disa kushteve si pastërtia e respektimi i orareve në stacione.


Më 21 qershor 2021, firmat iu dorëzuan Bashkisë Tiranë përmes peticionit, e cila pak ditë më vonë ktheu sërish në treg abonenë e përgjithshme, pa asnjë sqarim nëse është kryer ristrukturimi i linjave sikurse pretendohej.

Transporti publik në Tiranë vuan nga një sërë parregullsish, të raportuara shpesh nga Citizens Channel, lidhur me mos respektimin e orarit dhe frekuencat në stacionet e autobusëve, pritja e gjatë në stacione, mos ndezja e kondicionerëve, si dhe mbipopullimi brenda autobusit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *