“Zëra” do të njohë publikun me personazhe të cilët nuk jemi mësuar t’i hasim shpesh nëpër studio televizionesh. Kontributi i tyre shoqëror vjen përmes një modestie të thekshme, teksa fytyrat e tyre me gjasë nuk ju kujtojnë dikë, zëri i tyre aq më pak. Ata janë heronjtë tanë, që shkojnë e vijnë nëpër dyer gjykatash, institucionesh e sheshe, në përpjekje për një shoqëri më të mirë; megjithëse pakkush i njeh.
Seritë e podkasteve tona do ju prezantojnë pikërisht me “heronjtë e heshtur”, për të njohur një tjetër dimension të shoqërisë sonë.
Ky podkast vjen në vazhdën e gazetarisë së angazhuar, ku pjesa qendrore e raportimeve tona janë personazhet që vijnë prej së largëti, nga komunitetet periferike e të margjinalizuara, të lëna në harresë nga institucionet dhe media.
Ata janë në mesin tonë e megjithatë zëri i tyre nuk kumbon mjaftueshëm, ata rebelohen por ju me siguri nuk e dini brengën e tyre. Ata jemi ne, ju, vijmë nga grupe të margjinalizuara, të përjashtuara, të stigmatizuara. Ne konsiderohemi minorancë, por në fakt jemi shumicë; shumicë e harruar, shumicë e padëgjuar, shumicë e injoruar.
Ne do të ulemi shtruar me secilin prej tyre, për t’u dhënë të gjithë hapësirën e mohuar sepse Citizens Channel përqafon vërejtjen e Yochai Benkler kur bëhet fjalë për objektivitetin dhe neutralitetin në raportim. “Kur hapësira është e mbushur me propagandë, të jesh neutral, mund të ndihmosh përhapjen e saj”.
Podkasti “Zëra” është pjesë e iniciativës “Citizens Talks” të Citizens Channel e mbështetur nga Civil Rights Defenders.