Lumi Neretvica në Bosnjë dhe Hercegovinë ka qenë në qendër të një lufte kundër hidrocentraleve të vegjël për 15 vjet, por pavarësisht betejës së zgjatur, aktivistët lokalë nuk lëkunden në angazhimin e tyre për ta ruajtur lumin të egër. Lufta ka qenë e mbushur me zhgënjim dhe fitore për aktivistët. Është një luftë që shtrihet përtej brigjeve të Neretvicës, duke bashkuar njerëzit në të gjithë vendin për t’u dalë zot lumenjve.
“Ne nuk do të ndalemi”,- thotë Ibrahim Turak, një nga aktivistët dhe udhëheqësi i një proteste të madhe në Neretvicë në fillim të kësaj vere. “Përderisa motivet e investitorëve për të ndërtuar vijojnë, motivet dhe frymëzimi për ta mbrojtur lumin tonë do të marrin edhe më shumë forcë dhe vrull”.
Në nëntor 2020, dukej sikur, më në fund, federata e Bosnjës dhe Hercegovinës do të merrte parasysh kërkesat e aktivistëve në të gjithë vendin për të mbrojtur lumenjtë e vendit, shumë prej të cilëve janë lumenjtë e fundit të mbetur me rrjedhje të lirë në Evropë. Pas protestave lokale dhe “lutjeve” të koalicionit ndërkombëtar për mbrojtjen e ujërave të ëmbla, qeveria njoftoi se nuk do të japë më subvencione që mbështesin ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, si hap i parë.
Aktet e reja nënligjore, të cilat hynë në fuqi në janar 2021, gjithashtu i ridrejtuan ato subvencione drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, si dielli dhe era. Masat ka të ngjarë të parandalojnë, ose të paktën të vonojnë, ndërtimin e 162 hidrocentraleve të vegjël në 79 lumenj. Këto masa gjithashtu mbrojnë specie të rrezikuara që varen nga lumenjtë e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat ndihmojnë në krijimin e një pellgu ujëmbledhës të quajtur “Zemra Blu e Evropës”.
Por vetëm tetë muaj e gjysmë më vonë, aktet nënligjore duket se po zbehen në parlament, i cili nuk arriti të miratojë ligjin “Për Energjinë Elektrike” duke përdorur të ashtuquajturën “procedurë urgjente”. Nëse do të ishte miratuar, ligji do të kishte ndaluar përgjithmonë ndërtimin e qindra projekteve të vogla hidrike të planifikuara. Në vend të kësaj, parlamenti e shtyu ligjin për te “Dhomën e Popujve” ku do të ndjekë procedurën e rregullt ligjore, e cila mund të zgjasë me vite.
“Topi është në anën e tyre tani”, thotë Turak. “Parlamenti i Federatës humbi një mundësi për të miratuar ligjin “Për Energjinë Elektrike” në prill 2021, i cili mund të kishte parandaluar koncesionet e reja dhe të shpëtonte shumë lumenj. Ata ende mund ta bëjnë këtë. Mesazhi ynë për politikanët është se ata mund të qëndrojnë në stanjacion sa kohë të duan, kjo është pikërisht arsyeja pse ne duhet t’i mbrojmë lumenjtë vetë”.
Protesta për lumin Neretvica
Më 14 qershor, më shumë se 700 aktivistë shkuan në lumin Neretvica për ta mbrojtur atë nga përpjekja e një investitori tjetër për të filluar punën ndërtimore. Ishte e fundit nga një varg protestash të mëdha të organizuara gjatë një viti e gjysmë.
“Grumbullimi i kësaj lloj mbështetjeje për një komunitet lokal dhe një lumë lokal është diçka që nuk është parë në Bosnjë dhe Hercegovinë më parë”, – shpjegon Turak.
Një protestë e shkurtit 2020 tërhoqi 1,200 njerëz dhe mblodhi 2,300 nënshkrime në një peticion për të ndaluar projektet e vogla hidrike, duke shtuar 3,000 nënshkrimet e mbledhura në internet. Kjo rritje e mbështetjes i shtyu aktivistët të krijojnë lëvizjen “Më lër të rrjedh i lirë”, një organizatë lokale për të mbrojtur lumin Neretvica. “Më lër të rrjedh i lirë” tani ka një rrjet të gjerë aktivistësh të cilëve mund t’u kërkosh ndihmë në çdo kohë.
“Ne kemi rritur aq shumë ndërgjegjësimin tani sa mund të bëjmë që 300 deri në 500 njerëz t’i dalin para buldozerëve në një çast”, thotë Turak. “Kjo protestë e fundit … ne e dëshmuam këtë. I ndalëm përsëri. Ne ishim mbi 700 njerëz që i ndaluan makineritë dhe e mbrojtëm lumin me trupat tanë. 40 – 50 prej tyre ishin miqtë tanë, aktivistë nga e gjithë Bosnjë dhe Herzegovina që përfaqësonin lëvizjet e tjera lokale në mbrojtje të lumenjve”.
Protesta më 14 qershor për të mbajtur të egër lumin Neretvica dhe lumenjtë e tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë tërhoqi më shumë se 700 njerëz.
Një e ardhme e pasigurtë
Pavarësisht demonstratës së madhe në qershor, Parlamenti i Federatës nuk e votoi ligjin “Për Energjinë Elektrike” që do të ndalonte ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Ishte një goditje për aktivistët, pasuar nga lajme të tjera dekurajuese në korrik.
Osman Ćatić, kreu i komunës së Konjic, një qytet ku rrjedh lumi Neretvica, u bashkua me kompaninë lokale të shërbimeve, investitori kryesor në hidrocentralet e vegjël të propozuar, gjatë një takimi. Lajmi erdhi si një tronditje për aktivistët dhe të gjithë komunitetin lokal. Sipas aktivistëve, Ćatić më parë kishte premtuar se do t’i mbështeste aktivistët lokalë dhe kishte denoncuar hidrocentralet e vegjël. Duke shkuar një hap më tej, në takimin me investitorin në projekt, ai u zotua të përdorë forcën policore për të shuar çdo protestë që bllokon ndërtimet në lumin Neretvica.
Leje ilegale
Në vitin 2007 Këshilli Bashkiak Konjic votoi për miratimin e hidrocentraleve të vegjël në lumin Neretvica pa mbajtur një dëgjim publik ose duke përfshirë komunitetin lokal. Turak ishte në këshill në atë kohë dhe votoi kundër propozimit, i cili parashikonte vendosjen e 34 kilometrave tuba betoni dhe ndërtimin e 15 digave të vogla në Neretivca. Digat do të kishin prodhuar kolektivisht vetëm 24.5 megavat energji elektrike, një sasi modeste.
Investitori në digat, Elektoprivreda, kompania e shërbimeve publike, fillimisht kërkoi financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin e hidrocentraleve, por banka vendosi të mos e financojë atë bazuar në një studim të ndikimit në mjedis të publikuar në 2017. Studimi zbuloi se lumi ishte një nga habitatet e vetme të mbetura për disa specie të rrezikuara.
Pa u shqetësuar, Elektoprivreda bëri studimin e vet mjedisor, i cili anasjelltas përcaktoi se ndërtimi mund të shkonte përpara, duke filluar me dy hidrocentrale të vegjël.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, një revoltë po na shqetësonte, dhe më pas ndodhi në shkurt të viti 2020, kur u njoftua fillimi i punimeve për ndërtimin e HEC -eve në Neretvicë”, – thotë Turak. “Kjo ishte një shenjë alarmi që vuri në lëvizje një lëvizje të vërtetë të rezistencës lokale dhe betejën për të shpëtuar lumin tonë”.
Si rezultat i një beteje ligjore që po zhvillohet nga “Më lër të rrjedh i lirë”, aktivistët kohët e fundit mësuan se votimi i këshillit bashkiak dhe vlerësimet e ndikimit në mjedis ishin të pavlefshme gjatë gjithë kohës. Më vonë, Ministria e Energjisë dhe Minierave konfirmoi në një komunikatë për “Më lër të rrjedh i lirë” se ajo kurrë nuk kishte lëshuar një leje energjie për ndonjë projekt në lumin Neretvica.
“Kjo do të thotë se i gjihë projekti ishte i paligjshëm që nga fillimi!”, – brohorit Turak.
Në gusht, Ministria e Brendshme ra dakord. Ata përcaktuan se lejet për dy hidrocentralet e vegjël ishin lëshuar në mënyrë të paligjshme.
Elektriciteti, uji dhe ndryshimet klimatike
Turak tani pyet veten nëse nxitimi për të ndërtuar hidrocentrale të vegjël në lumin Neretvica nuk ka të bëjë vetëm me energjinë elektrike. Ai shqetësohet se hidrocentralet e vegjël mund të duan të kalojnë përfundimisht nga shitja e energjisë elektrike në shitjen e ujit nga lumi, pasi lumi, në fakt, nuk kontrollohet më publikisht. Ndërsa planeti po përballet me efektet e ndryshimit të klimës në dekadën e ardhshme dhe më gjerë, qasja në ujë mund të jetë kritike dhe mund të jetë më fitimprurëse sesa krijimi i energjisë elektrike.
“Kjo luftë është në të vërtetë lufta për burimet e ujit të pastër dhe mendoj se është e sigurt të thuhet se luftërat për ujë të pastër tashmë kanë filluar”,- thotë Turak.
“Ne në fakt po luftojmë që komuniteti ynë lokal të ketë kontroll mbi ujin e tij në të ardhmen, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos kenë nevojë të lypin për të pasur pak ujë. Ne nuk mund të lejojmë që interesat private të marrin kontrollin mbi ujin, ne nuk mund t’i lejojmë ata ta bëjnë këtë, që do të thotë se ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të kemi frikë”.
Investimi te e egra
Edhe pse lufta për të mbrojtur Neretvicën nuk është ende e përfunduar, aktivistët kanë një vizion se si mund të duket Bosnja dhe Hercegovina me lumenjtë e lirë dhe të egër.
“Në fund të fundit, ne kemi ëndrra të mëdha dhe duam ta shohim Luginën e Neretvicës të bëhet një rezervat natyror i mbrojtur përgjithmonë”,- thotë Turak. “Ne kemi liqenin e bukur Jablanicko këtu, bëjmë rafting, ne kemi lumin Neretvica, kemi malin Zec; profesori i ndjerë Sulejman Rexhiç thoshte gjithmonë se ka më shumë barëra medicinale në një metër katror në Zec sesa kudo tjetër në botë -Turizmi i qëndrueshëm ka kaq shumë potencial këtu”.
Ndërkohë, aktivistët po ndihmojnë njerëzit nga Neretvica të lidhen përsëri me lumin e emrit të fshatit të tyre përmes një iniciative të quajtur “15 plazhe në vend të 15 HEC-ve”.
Autore: Devin Murphy/ Rewild.org
Lexoni artikullin origjinal këtu