Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Në Zall-Gjoçaj, vendin e ujit e ka zënë etja

Bagëtitë e Ismet Kolecit u dynden dje në shtratin e lumit për të pirë ujë, por çka gjetën ishte një shtrat lumi i tharë, të cilit, si dëshmi ekzistence, i kishin mbetur vetëm gurët.

Unë jetoj aktualisht këtu, punoj me gjithë familjen. Kam 300 kokë dhi, kam një dhjetë lopë dhe viça, kam 210 krerë keca, që kanë lind. Gjendja këtu është, siç e patë që ra bagëtia me pi ujë dhe s’kanë ça pinë”, – thotë Ismeti.

Një herë në tre ditë, ai i dërgon disa orë larg shtëpisë së tij, në anën tjetër të lumit, ndërsa në bazë ditore, ai u jep ujë përmes kovave.

Ismet Koleci, banor i fshatit Melth, Zall-Gjoçaj

Ndërtimi i hidrocentralit ka trishtuar edhe aktivistë të tjerë, që ndonëse janë zhvendosur nga vendlindja, vazhdojnë të kenë dëshirë të rikthehen për të investuar dhe zhvilluar zonën.

Jemi ba… jemi ba helm. Më dhemb shpirti”, – thotë Sali Koleci, lindur dhe rritur në Zall-Gjoçaj teksa shikon rrjedhën e thatë të lumit, pak metra larg shtëpisë së tij. Ai kujton si dikur në atë lumë mund të zihej trofta me dorë, ndërsa tani në shtratin e thatë kanë mbetur vetëm gurë.

Unë këtu jam plak. Dilsha laja sytë në lumë moj, nuk lajsha sy brenda”, – tregon më tej Saliu, i cili kishte planifikuar të kthehej këtë verë për të rikontruktuar kullën dhjetra vjeçare, për ta kthyer atë në bujtinë.

Sali Koleci, aktivist

Institucionet dhe gjykatat lënë në baltë banorët e Zall-Gjoçaj

Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesë-rekursin e shoqërisë koncensionare “Seka Hydropower” sh.p.k për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për heqje të licencës së hidrocentralit “Zais” në Zall-Gjoçaj për prodhim energjie deri në përfundim të shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë.

Kjo procedurë, rekursi, mund të kryhet në raste kur paraqiten fakte se ekzekutimi i vendimit të gjykatës mund të sjellë një rrezik të atëçastshëm që do të shkaktonte dëme të mëdha dhe të pariparueshme ndaj subjektit ankimues, në këtë rast firmës “Seka hydropower”.

Gjykata e Lartë ka mbështetur vendimin e saj me argumentin se heqja e licencës për prodhim energjie do t’i shkaktojë dëm ekonomik firmës private. Grupimi “Mbro Parkun Zall-Gjoçaj” ka reaguar sot në rrjete sociale, duke e quajtur këtë vendim të turpshëm.

Beteja ligjore dhe organizimi komunitar i banorëve të Zall-Gjoçaj u pengua dhe nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, miratuar në 26 janar të këtij viti, i cili hoqi nga Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” pikërisht zonën ku është ngritur sot diga në Zall-Gjoçaj.

Zall-Gjoçaj u bashkua në vitin 2018 me Lurën për të formuar Parkun Kombëtar me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri “Lurë – Mali i Dejës”.

Në një intervistë për Klan Plus, Drejtori i Përgjithshëm i Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej u shpreh se formimi i këtij parku erdhi pikërisht prej vlerave të mëdha të mëdha që ajo zonë mbart.

“Zona e Zall-Gjoçaj është një nga zonat me vlera natyrore që kanë mbetur, si të thuash, si relikë të historisë së natyrës. Agjencia jonë, në bashkëpunim me Ministrinë, e propozoi që të bëhet parku më i madh, duke u bashkuar dhe me Lurën dhe me Malin e Dejës, që të bërë ai që sot quhet parku ‘Lurë-Dejë’”, – deklaronte Dedej në vitin 2019.

Aktualisht parku “Lurë-Mali i Dejës” ka një sipërfaqe më të zvogëluar; nga 20.242.78 hektarë në 19.288.88 hektarë.

Këshillimi i Ministrave hoqi këtë zonë që jemi ne këtu nga Parku Kombëtar. Pa asnjë arsye. Pa asnjë shkak, arsyeja e vetme është HEC-i që prodhon, HEC-i i oligarkëve që prodhon për ata që e kanë hequr”, – thotë për Citizens Channel Dhimitër Koleci.

Dhimiter Koleci, aktivist

Pavarësisht situatës aktuale, ai pohon se nuk do të dorëzohen.

Unë jam optimist. Ky ujë ka për të rrjedhë në rrjedhën shekullore, aty ku e dha zoti, dhe aty ku u shërben njerëzve!”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *