Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Bosnja ndalon ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, po Shqipëria?”

Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës vendosi të ndalojë ligjërisht ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël nën 10 megavat, pasi ndikojnë negativisht në mjedis. Ligji kaloi me 33 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër.

Organizatat mjedisore në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës u shprehën se ky vendim është rezultat i rezistencës disa vjeçare kundër HEC-eve të vegjël.

Ky vendim historik erdhi si rezultat i presionit dhe luftës dhjetëvjeçare të aktivistëve në shumë komunitete lokale, të cilët kundërshtuan me vendosmëri ndërtimin e HEC-eve ekocidale”, – deklaroi Fondacioni ACT, një ndër organizatat e angazhuara në mbrojtjen e lumenjve.

Lajme nga Shqipëria: Vjosa drejt shpalljes Park Kombëtar, po lumenjtë e tjerë?

Me 13 qershor, Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me kompaninë amerikane “Patagonia” për krijimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës.

Kjo marrëveshje u arrit pas vitesh betejë nga komunitetet dhe organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare për ruajtjen e lumit Vjosë nga 45 hidrocentralet e planifikuara; tetë prej tyre në rrjedhën e Vjosës dhe 37 në degëzimet e saj.

Aktualisht, tre degëzime të lumit Vjosë: Langarica, Shtika dhe Çarshova nuk planifikohen të jenë pjesë e Parkut Kombëtar pasi janë ndërtuar hidrocentrale. Shushica, Bënça dhe Drinosi, tre degëzime në rrjedhje të lirë do të jenë pjesë e Parkut Kombëtar, sipas memorandumin të nënshkruar.

Ndërsa për Vjosën po ndërmerret një hap i madh në ruajtjen e saj nga hidrocentralet, lumenjtë e tjerë duket se nuk do të kenë atë fat.

Në Madhesh, Zall-Gjoçaj, Klos, Mirditë, Tropojë, Dibër komunitetet po ashtu janë angazhuar, por disa prej hidrocentraleve nën 10 megavat janë ndërtuar.

Në Zall-Gjoçaj, Mat, rishikimi i zonave të mbrojtura la jashtë pikërisht zonën në të cilën është ngritur diga. Kjo zonë, deri para muajit janar të këtij viti, ishte pjesë e Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”. Pavarësisht betejës së gjatë ligjore dhe organizimit të komunitetit, hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais” prodhojnë energji.

Në Valbonë, ndonëse gjykata ka vendosur që kompania nuk mund të shesë energji derisa të marret një vendim përfundimtar për dy hidrocentralet “Çerem” dhe “Dragobi”, firma private vijon të prodhojë energji, në kundërshtim me ligjin.

Komuniteti i Madheshit po ashtu është angazhuar në mbrojtje të Lunresë, degës së fundit të lirë të lumit të Matit. Aktualisht, ata po e ndjekin në rrugë ligjore, ndërsa kompania “A.R.M Sh.p.k” ka rinisur procedurën për pajisjen me leje mjedisore për fillimin e punimeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).

Skavica është një tjetër vepër hidrike e cila ka shqetësuar banorët e Dibrës. Sipas KESH (Korporatës Elektroenergjitë Shqiptare), ndërtimi i këtij hidrocentrali do ta kthejë Shqipërinënë një lider absolut në sektorin rajonal të energjisë elektrike, por edhe në një eksportues të energjisë elektrike”.

Nga ana tjetër, banorët kundërshtojnë këtë vepër hidrike, pasi lartësia e digës prej 147 metrash, (një prej propozimeve të qeverisë shqiptare sa i përket digës), do të çojë në përmbytjen e mbi 30 fshatrave.

Ata marshuan në muajin prill të këtij viti drejt Kryeministrisë për të shprehur shqetësimin e tyre për fatin e Dibrës, të tokave të tyre dhe të historisë së asaj zonë në rast se kjo vepër hidrike realizohet.

Lejet e dhëna për hidrocentrale 2005-2022

Sipas Ministrisë së Energjisë, në Shqipëri nga viti 2005 deri në vitin 2022 janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndërtimin e 621 hidrocentraleve.

Nga këto kontrata, 25 prej tyre, ose 128 hidrocentrale janë ndërprerë. Aktualisht janë 257 kontrata aktive për ndërtimin e 493 HEC-eve, thuhet në shkresën e publikuar nga Ministria e Energjisë.

Citizens Channel pyeti Ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaron, nëse ky institucion do të ndërmerrte hapa për të anuluar kontrata e lidhura me firma të cilat nuk kanë nisur punën në terren për ndërtimin e hidrocentraleve dhe u kanë mbaruar afatet kohore për ta bërë një gjë të tillë.

Në rastin e mbarimit të lejes për të filluar punimet, firmat private kanë detyrimin t’i nënshtrohen procedurave ligjore për ta rimarrë lejen mjedisore dhe në këtë rast institucionet mund të vendosin nëse do t’ua rinovojnë lejen mjedisore.

Kumbaro u shpreh se anulimi i kontratave mund t’i sillte shtetit shqiptar dëme financiare, megjithatë, sipas saj qeveria shqiptare e ka shprehur qartë vullnetin politik në mbrojtje të mjedisit.

Kur ka angazhime kontraktuale, nuk mjafton thjesht të kërkosh, të ëndërrosh siç e kam bërë edhe unë vetë kur kam qenë në shoqërinë civile, sepse përgjegjësitë ligjore dhe përgjegjësitë financiare në raport me ligjet janë shumë më të mëdha”, – tha Kumbaro.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *