Autore: Doriana Musaj*
Ishte fillimi i vitit 2016, vetëm pak ditë nga shpallja e Boerit si fitues i tenderit për masterplanin e ri të Tiranës, kur makineritë që presin pemë dhe betonieret u shfaqën në parkun e liqenit artificial. Pak ditë më vonë nga ai vendim, i cili u shfaq në mediat vendase me titujt “Boeri fiton konkursin ndërkombëtar për Tiranën”, shoqëria civile, qytetarë të Tiranës do të kundërshtonin deri në përplasje fizike me policinë, rrethimin e cilësuar të paligjshëm që i hapte rrugë ndërtimin në brendësi të parkut të liqenit. Protestë e cila zgjati rreth 90 ditë, do të ishte e para që do të sinjalizonte atë që më pas do të ndodhte me kryeqytetin, betonizimin dhe kullëzimin të tij.
Boeri dhe studioja e tij nuk ishte e panjohur për kreun e qeverisë shqiptare, madje mund të themi pa frikë se arkitekti, shumë më herët se sa të shfaqej për publikun shqiptar, lexohet t’i ketë thurur lavde dhe promovuar me shkrime “arritjet” e Edi Ramës. Plani i Përgjithshëm i Tiranës, Tirana 2030, do të miratohej me dyer të mbyllura më 26 dhjetor të vitit 2016, në Këshill Bashkiak, njoftim i cili do të kalonte përmes një terri informativ dhe në shkelje të ligjit për konsultimin publik. Pyetjes se çfarë përmbante plani i Tiranës, ekspertët, gazetarët dhe aktivistët iu përgjigjën që në krye të herës, “E gjithë Tirana do jepet për ndërtim”.
Gjashtë vjet më pas, Tirana është transformuar në pikën që nuk njihet më si qyteti që formoi qeverinë e shqiptare, udhëhoqi protestat e dhjetorit që shënuan rrëzimin e sistemit diktatorial, aq më pak si arkipelagu i arkitekturës së modernizmit shqiptar. Shpërfytyrimin “Frankeshtajn” më të madh e bëri Plani Boeri, i cili rezultoi në kohë, ashtu siç ishte kritikuar, një plan propagandistik dhe mjeti me të cilin sot po justifikohet privatizimi i qytetit. I miratuar pa transparencë, pa debat publik, plani rezultoi një mashtrim i madh, me transport të gjelbër e pyje vertikale dhe orbitale të mbetura vetëm në rendera fushatash gënjeshtrash elektorale.
Që nga promovimi i planit dhe më tej planeve për liqenin, qytetin studentin, kopshtin zoologjik apo botanik, janë përmbushur të gjitha akuzat që profesionistë, ekspertë të ndryshëm, aktivistë e qytetarë kanë ngritur në çështjet e lidhura me qytetin. Qyteti po jepej me koncesion dhe xhentrifikimi do të përjashtonte banorin, duke e shndërruar hapësirën e qendrës kulturore në një qendër luksi ku jo kushdo plotëson kriteret për të qenë pjesë. Veliaj mori mandatin e tij të parë duke premtuar se donte të mbahej mend si “njeriu që ndërtoi më shumë parqe se sa pallate” e ndërsa sot është kryetari që mban më shumë firma për pallate në historinë e Tiranës kryeqytet dhe pothuajse zero sipërfaqe publike, të gjelbër apo natyrore të shtuar qytetit.
6 vjet nga miratimi, plani Tirana 2030 ka rritur dendësinë e qytetit, po me çfarë kostoje?
Duke rritur numrin e ndërtimeve të reja, me një sipërfaqe që llogaritet në vetëm 3 vitet e fundit në 4.2 milion metra katror ndërtim, e ndërsa numri i popullsisë i kryeqytetit në 5 vitet e fundit, është rritur me vetëm 57 mijë banorë, Tirana rrezikon të rrisë sipërfaqen e banesave stok dhe numrin e banesave të pabanuara duke shkaktuar probleme të tjera ekonomike dhe sociale. Sikur të mos mjaftonte rritja e sipërfaqes së ndërtimit të ri, ka rezultuar e humbur më shumë se 500 mijë metra katror sipërfaqe natyrore brenda Unazës së Madhe të Tiranës, ku rreth 87% e sipërfaqes së qytetit është shndërruar në sipërfaqe të koracuar, duke mos lejuar përthithjen e ujërave sipërfaqësorë dhe ato të shiut, sipas studimit të Institutit Co-Plan.
Pasojat si përmbytjet e rrugëve, fryrja e lumit Lana-njëkohësisht edhe kanal ujërash të zeza i hapur; trafiku i rënduar përgjatë ditëve të javës në qytet dhe bllokime të pikave hyrëse dhe dalëse të qytetit gjatë fundjavave; humbja e hapësirave natyrore dhe shesheve brenda blloqeve të banimit dhe shndërrimi i tyre në kantiere ndërtimi; shtimi i lagjeve të reja të karakterit “gated communities” në jug dhe juglindje të qytetit; zhdukja e shtresave historike të qytetit të ndërtuar përgjatë periudhës moderniste të viteve 20-30 dhe qytetit të shekullit XIX dhe së fundmi, por jo i fundit problem për Tiranën: kullëzimi dhe betonizimi duken se janë pasojat e dokumentit të kritikuar që pa u miratuar të planit Boeri.
Në Shqipërinë me rreth 2.8 milion banorë, e cila po përballet me gjakderdhjen e dytë të popullsisë që pas eksodit të fillim viteve 90-të, ku paga mesatare nuk kalon 300 euro, përqendrimi i investimeve në qendrën e Tiranës, ka sjellë pasoja zinxhir në sektorë të tjerë. Kështu, kjo nxitje xhentrifikuese ka shkaktuar rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme me rreth 6% që nga 2020 e ndërsa ekonomia e përgjithshme u tkurr pothuajse me të njëjtën masë për shkak të pandemisë. Sipas revistës Monitor, vetëm në vitin 2021, në Tiranë, “është dhënë sipërfaqja më e madhe e lejeve në historinë e tranzicionit të Shqipërisë, ndoshta me përjashtim të vitit 2003”.
Rritja eksponenciale e ndërtimeve, ku njëri tremujor e kalon disa fish një tremujor pararendës, “ka kaluar në përmasat e marrëzisë”, referuar revistës Monitor, një prej periodikëve vendas që raportojnë dhe investigojnë në lidhje me ekonominë, biznesin dhe tregun. Pa hyrë në analizim të qëllimeve apo burimeve të të ardhurave se nga ku po financohet ky ndërtim, s’mund të lëmë pa përmendur Global Initiative against Transnational Organized Crime, organizatë e cila na kanë sjellë një panoramë të qartë të përdorimit të tregut të pasurive të paluajtshme për qëllime pastrimi parash që vijnë nga ekonomia e zezë.
Global Initiative vlerëson se janë rreth 500 milionë dollarë që janë pastruar në kryeqytet vetëm në vitin 2019. Ndërsa raporti për vitin 2020 vlerësoi se “1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme në tre vitet e mëparshme, me 60% të financimit të projektit që vinte nga burime të paligjshme”.
Mashtrimi i Madh i Tiranës 2030
Edhe pse në fushatën e tij të parë elektorale, kryetari i Bashkisë Tiranë premtoi se nuk do të kishte ndërtime në zona të gjelbra, në pak kohë, qytetarët e Tiranës panë të zhduken mijëra metra katrorë pyll dhe dëshmuan si Parku i Liqenit u transformua në truall për ndërtim. Nga të katër anët e të vetmes gjurmë të gjelbër të kryeqytetit të trashëguar që nga 1958, parkut të liqenit artificial, shihen vinça dhe kantiere shumëkatëshe të cilat po sfidojnë kodrat e Saukut dhe po terin deri në tharje burimet natyrore të zonës, duke asfiksuar të vetmen mushkëri të mbetur të qytetit me 1 milion banorë.
Kryeqyteti, në më pak se 5 vjet, humbi të gjelbrën, historiken, publiken e ndërsa raporti me hapësirën u deformua në xhepa ajri mes dy pallatesh të cilat rrinë 10-15 metra larg njëri-tjetrit. Qyteti filloi të zbriste në indekset e cilësisë së jetesës për çdo vit, sipas Numbeo, duke shkuar vetëm në periudhën 2021-2022, nga vendi 215 në mes të 2021, në vendin e 232-a nga 254 kryeqytete e qytete të klasifikuara. Sikur të mos mjaftonte kjo, Tirana është në vendin e 242, e cilësuar si kryeqyteti më i ndoturi në Europë.
Fushata Tirana 2030 do të përqendrohej tek lodrat për fëmijë, transporti alternativ, mobiliteti i gjelbër e deri tek pyjet vertikale dhe orbitale. Sot, qyteti është katandisur në një fjetore masive betoni, ku shkollat s’kanë më oborre, dhe kopshtet për gjelbërim përdorin tapetin jeshil brenda qendrave tregtare apo pallateve-kulla. Gjashtë vjet nga miratimi i planit, Tirana është shumë më larg të qenurit e banueshme se sa ishte kur Veliaj mori Bashkinë. Sot Tirana duket sa vitale aq edhe e pashpresë dhe depresive.
Zhvillimi i kryeqendrës së shqiptarëve ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve dhe mediave ndërkombëtare, ku këto të fundit pasqyrojnë në kohë reale ngjarjet që kaplojnë vendin duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me zëra kritikë, profesionistë dhe aktivistë të shoqërinë civile të kryeqytetit por jo vetëm. Kështu, media ndërkombëtare si The guardian do të pasqyronin në ditët e nxehta të gushtit ndërtimin më të fundit “Frankeshtajn” të Tiranës, godinën në formën e kokës së Skënderbeut, duke rikthyer vëmendjen tek ndërtimet e kullave në Tiranë.
Pse (nuk) duhej prekur aksi kulturor i Tiranës?
Protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar 2018-2020, e organizuar kryesisht në formën e një “Speaker’s Corner”, në sheshin midis dy teatrove, mbajti ligjërim të përditshëm publik në lidhje më çfarë ndodhte në qytet, se çfarë teatri po paralajmëronte se do të ndodhte në vazhdim. Zëra kritikë, ekspertë vendas dhe të huaj, organizata por edhe shumë qytetarë të Tiranës, parapanë që në krye të herës atë çfarë kryeqyteti po përballet sot. Aktivistët, mediat dhe shoqëria civile, në 27 muaj, arritën të çjerrin maskën e “europianizimit” dhe të “modernizmit”, duke zbuluar qëllimet dhe interesat e fshehura nën propagandën mediatike dhe facebook-iane.
Përdorimi i forcave speciale për të shuar një protestë në mbrojtje të parkut, futja e forcave të armatosura RENEA në teatër natën e prishjes së tij, përdorimi i gazit lotsjellës kundrejt banorëve të Astirit apo 5 Majit në mbrojtje të shtëpive të tyre dhe kombinimi i dhunës fizike me atë psikologjike duke përdorur propagandën shpesh të paguar, për t’i hedhur hi syve publikut, sot ka marrë formën e një godinë që sfidon historinë, kombin dhe të vetmen figurë Kombëtare të Shqiptarëve, Skënderbeun.
Nëpërkëmbja e heroit kombëtar të një kombi do të duhej të kishte kaluar në mos më një “Non-grata” për ideatorin, nga shteti amë të cilit i fyhet integriteti dhe identiteti, minimalisht me një falje publike nga ana e arkitektit holandez, i cili aspak nuk e fsheh që në Tiranë ka gjetur shesh dhe po bën përshesh. Sigurisht, kjo butafori që është një Frankeshtajn më shumë në radhën e Kitsch-ve, pas stadiumit, maternitetit apo piramidës, do të na kushtojë shumë shtrenjtë në të ardhmen e afërt, por me çfarë kostoje?
Një kullë më hartën politike të Shqipërisë së vogël, e cila në të ardhmen mund ta shfaqë mendjeshkurtësinë dhe mungesën e vizionit politik kombëtar; një Piramidë të cilës ia thyen ‘kockat’ e vetëm piramidë nuk mund të quhet, shënon humbjen e kujtesës kolektive; një shesh në formën e piramidës që vetëm i sheshtë nuk është, mbajnë (jo)rastësisht emrin e të njëjtit arkitekt. Ky i fundit, pika fokale e kryeqytetit, njëkohësisht shenjë identitare kombëtare, Sheshi Skëndërbej, emër të cilin e mori në periudhën e monarkisë së Mbretit Zog më 1937, një ditë do të duhet të përballet me çështjen se cilin Skënderbe të mbajë e cilin të heqë, atë të Winy Maas të 2022, apo atë të Odhise Paskalit të 1968. Kjo ngelet për tu parë, por për të vazhduar të quhet sheshi Skëndërbe, njëri Skënderbe do të duhet të “vrasë” tjetrin, në një mënyrë apo një tjetër, mandej mund t’i përgjigjemi pyetjes se Pse (nuk)duhej preku aksi kulturor i Tiranës?
*Doriana Musaj, është arkitekte/urbaniste, pedagoge në Universitetin Polis dhe kërkuese shkencore në çështjet urbane dhe të drejtën mbi qytetin.