Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tirana, kryeqyteti i “1001 pallateve”

Fotografi Aurel Duka, u nis me skuterin e tij elektrik për të shëtitur të gjithë zonën e Unazës së Madhe të Tiranës. Nga pamjet e filmuara me dron Duka arriti të faktojë në shifra atë që mund të vihet re çdo ditë me sy të lirë; një bum ndërtimi pallatesh.

Shkëndija për të ndërmarrë një projekt të tillë vullnetar erdhi pasi ai shikonte si qyteti përkeqësohej dhe humbiste nga identiteti dita-ditës. Përkatësisht, në Tiranë ai numëron ndërtimin e 414 pallate të reja, teksa me keqardhje shprehet se këto ndërtesa po lulëzojnë mbi një kryeqytet që nuk i ngjason më vendlindjes së tij.

Ishte kënaqësi të rizbuloja qytetin tim të fëmijërisë por ishte po aq e trishtë të shikoja me sytë e mi shpërfytyrimin e tij”, shkruan ai në një postim në Facebook, shoqëruar me videon gjashtë minuta ku shfaqen të gjitha ndërtimet që po kryhen momentalisht në Tiranë.

Kjo është matja e dytë që ai bën brenda pak muajve. Filmimi me dron i Unazës së Vogël u bë në muajin qershor dhe i rezultuan se po punohej për ndërtimin e 93 pallateve vetëm brenda asaj zone. Në Unazën e Madhe ndërtimet kanë intensitet tjetër.

Ndërtimet për nga sipërfaqja janë të shkallës shumë herë më të madhe, shumë herë më të lartë. Mesa shoh po bëjnë komplekse, jo më vetëm pallate”, – konstaton Duka për Citizens Channel.

Ai rrëfen se kjo iniciativë i ka hapur telashe, kryesisht me ndërtuesit dhe punonjësit e firmave private.

Është interesante që edhe në qendër të Tiranës, mu te Sahati, kam shkuar për fotografi të tabelës të publikuar për publikun dhe aty del roja dhe më thotë: ‘Jo mos bëj fotografi, s’lejohet’”, – rrëfen Aurel Duka.

Aurel Duka, fotograf

Në raste të tjera, ndërtuesit e kanë ndaluar fizikisht kur ka fotografuar tabelat informuese afër ndërtesave në ndërtim e sipër, çka ai shpjegon se i shërbejnë për t’i lehtësuar punën në dokumentimin përmes videove.

Kanë frikë edhe ndërtuesit, paçka se kanë lejen e Bashkisë, kanë frikë se nuk i kanë të gjitha gjërat në rregull”.

Më kanë mbajtur jashtë vullnetit, kam marrë policinë sepse s’më linin të ikja, më është kërkuar të sillja fotot”.

Në një rast tjetër, Duka kujton si është dhunuar nga disa banorë pasi i kanë kërkuar të mos filmojë afër shtëpive të tyre:“Kam marrë edhe një grusht të lehtë, më kapën dy vetë më thanë: “Pse e ke ngritur dronin afër shtëpisë time?”.

Sa leje ndërtimi ka dhënë Bashkia Tiranë për gjashtë vite?

Burime zyrtare nga Bashkia Tiranë tregojnë që prej vitit 2016 deri në 2021, janë dhënë 907 leje ndërtimi për qytetin e Tiranës, nga të cilat 96 vetëm në muajt e parë të këtij viti.

Fotografi Aurel Duka ka bërë hartën e intensitetit të ndërtimeve të pallateve në Tiranë. Qendra e Tiranës dhe akset kryesore të saj, bashkë me hapësirën përreth liqenit artificial duket se kanë densitet më të lartë betonimi.

Të dhënat e tremujorit të parë të ndërtimeve, publikuar nga INSTAT e verifikojnë këtë; Tirana qëndron shumë para qyteteve të tjera sa i përket lejeve të miratuara.

Vetëm për janar-mars 2021, Bashkia Tiranë ka miratuar 72 leje ndërtimi, pasuar nga qyteti i Durrësit që ka aprovuar 44 leje ndërtimi. Niveli i lartë i ndërtimeve duket se ka rezultuar fitimprurës për Bashkinë Tiranë.

Për vitin 2020, 44% e të ardhurave të Bashkisë Tiranë u siguruan vetëm nga lejet e dhëna për pallate, duke arritur një nivel rekord varësie nga kjo taksë.

Sipas të dhënave të publikuara në Raportin e Financave Publike Vendore 2020, publikim i Co-Plan, në total në vitin e pandemisë, bashkia mblodhi nga dhënia e lejeve të ndërtimit 6.4 miliardë lekë, ose rreth 51 milionë euro.

Në vitin 2015, kjo taksë sillte vetëm 11.6% të të ardhurave të veta të bashkisë dhe 6.4% të totalit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *