Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dibranët protestojnë kundër përjashtimit nga konsultimet për ndërtimin e “HEC Skavicës”

Dhjetëra banorë të Dibrës protestuan dje në fshatin Fushë-Alie kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica, që prek Drinin e Zi. Kjo protestë u organizua nga “Aleanca për Dibrën” dhe pati pjesëmarrje nga disa fshatra të Dibrës dhe Peshkopisë.

Problematika kryesore e tyre mbetet mungesa e informacionit dhe neglizhimi i komunitetit nga ana e institucioneve shtetërore. Ata pohojnë se kanë dëgjuar për këtë projekt vetëm në media, ndërkohë që mbeten krejt të paqartë sa i përket vijimësinë të jetesës së tyre në ato zona.

Kemi një problem që është moskokëçarja ose shpërfillja nga ana e qeverisë e këtij problemi, e problemit tonë”, – shpjegon nga telefoni për Citizens Channel Haki Përnezha, banor në Fushë-Alie, Dibër.

Haki Përnezha, banor në Dibër

Ashtu sikurse Hakiu, edhe Dalip Alia, nënkryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e pellgut të Drinit të Zi” ndjehet i rrezikuar dhe i padëgjuar nga qeveria shqiptare. Ai shprehet se ka një jetë të kënaqshme në Dibër, dhe ka sakrifikuar për të gëzuar rehatinë që sot i trazohet nga ky hidrocentral.

Lumi i Drinit të Zi, e vetmja degë e Drinit që rrjedh ende e lirë

Kam do shpia shumë të mira, kam punuar shumë, gjithë jetën për ato shtëpi. Jam shumë i rehatshëm, shumë i kënaqur”, tregon Alia.

Dalip Alia, banor në Dibër

Dalipi nuk do ta ndërronte Dibrën me asnjë vend të Shqipërisë dhe më tej. “Nuk e ndërroj as me Italinë, as me Venecian. Ndoshta jam i gabuar”, – përfundon ai.

Të dhënat (e pakta) publike

Deri më tani, të bëra publike janë vetëm disa nga alternativat e lartësisë së kuotës mbi nivelin e detit.

Në faqen e KESH është publikuar një material i cili shpjegon dy mundësitë: alternativa (1) deri në kuotën 388 metra mbi nivelin e detit ose alternativa (2) 443 metra mbi nivelin e detit.

propozimet e mëhershme flitej për “Skavicën e madhe” me digë që shkonte deri në kuotën e 485 metrave mbi nivelin e detit.

Hidrocentrali i Skavicës është komentuar gjerësisht si një projekt i cili do ta shpëtojë Shqipërinë nga problematikat e furnizimit me energji elektrike. Madje, sipas KESH, Skavica do ta kthejë Shqipërinë “ një lider absolut në sektorin rajonal të energjisë elektrike, por edhe në një eksportues të energjisë elektrike”.

Krahas të qenit lider në sektorin e energjisë në rajon, KESH cilëson se Skavica do ndikojë në uljen e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës, pasi “rrit kapacitetin për akumulimin e prurjeve në rezervuarët e hidrocentraleve kaskadë në vitet kur prurjet janë të larta”.

Në po këtë material të publikuar, cilësohet se do të ketë përmbytje në Dibër, po nuk sqarohet cilat zona do të preken.

Çfarë parashikojnë ekspertët për Dibrën nëse Skavica ndërtohet?

Lartësitë e mësipërme nënkuptojnë kthimin e lumit të Drinit të Zi në një rezervuar dhe humbjen nën ujë të shumë fshatrave në Dibër. Sipas gjeografit Adriatik Balla, kuota 443 metra mbi nivelin e detit çon në përmbytje të plotë ose të pjesshme të 9 njësive administrative të Dibrës, nga 15 njësi ekzistuese, ndërkohë që Skavica do të arrijë të sigurojë rreth 10% të energjisë në vend.

Adriatik Balla, gjeograf

Në qoftë se ndërtohet varianti 485 metër, niveli i ujërave të hidrocentralit Skavicës shkon te diga e Spiles në Maqedoninë e Veriut dhe i bie gjithë pellgu i Dibrës, nga Kukësi deri në Dibrën e Madhe do të përmbytet”, – shpjegon për Citizens Channel Balla.

Adriatik Balla sqaron se nëse ndërtohet altërnativa e dytë, 443 metra mbi nivelin e detit, me një digë prej 147 metrash, 6000 – 7000 hektarë tokë, prej të cilave 5000 janë cilësi e lartë toke, do të zhduken nën ujë.

Në Shqipërinë lindore, dy janë vendet që kanë një fond të konsiderueshëm të tokës bujqësore; Korça dhe Dibra. Nëse zhdukim Dibrën me pellgun e Skavicës, i bie që në Shqipërinë lindore të mbetet vetëm fusha e Korçës dhe e gjithë pjesa tjetër e vendit të jetë e fokusuar në bregdet”, – pohon Balla.

Sa i përket aspektit pozitiv të parandalimit të përmbytjeve, gjeografi Balla e konsideron atë një “zgjidhje të pamjaftueshme”.

Skavica nuk e zgjidh në mënyrë përfundimtare. Zgjidhja është të thellohet shtrati i Bunës, të ndahet Drini në dy pjesë në sektorin e pas Vaut të Dejës, pra një pjesë të shkojë në Lezhë, një pjesë të shkojë në Bunë dhe kështu të evitohet përmbytja”.

Haki Përnezha tregon se çfarë ai dhe banorët e tjerë do të sakrifikojnë nga ndërtimi i hidrocentralit.

Audio dhe imazh: Haki Përnezha

Aktualisht, në Skavicë kanë shkuar makineritë e para por projekti mbetet ende në fazën e fizibilitetit, që konsiston në studimin e zonës për realizueshmërinë e projektit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *