Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Libraria Njerëzore: Katër histori internimi gjatë regjimit komunist

“Libraria Njerëzore” bëri bashkë mbrëmjen e 7 shkurtit katër persona të internuar gjatë regjimit totalitar në Shqipëri. Ata ndanë në biseda me të rinjtë detaje nga jeta e tyre gjatë regjimit, duke ngritur zërin mbi nevojën për të njohur dhe kujtuar të kaluarën.

Zenel Drangu, i lindur në Bushat të Shkodrës u rrit në një familje të madhe me 9 fëmijë, pesë vëllezër dhe katër motra.

Historia e tij ngjason me një film. I ulur në një nga tavolinat e qendrës sociale “Tek Bunkeri”, Zeneli ndan pjesëza nga e kaluara e tij. Duke notuar përmes Dirnit dhe Bunës, Zeneli u arratis gjatë dimrit drejt Jugosllavisë, me qëllim që të shkonte në Itali e më pas drejt Shteteve të Bashkuara.

Zenel Drangu gjate prezantimit te historise se tij

“Nuk ia dola dot, se më kapën në Ulqin, më spiunuan disa peshkatarë”, rrëfen Zeneli gjatë bisedës.

Ai u arrestua nga policia jugosllave, sipas marrëveshjes që kjo e fundit kishte me shtetin shqiptar dhe u kthye për hetuesi në Shkodër.

Hetimi zgjati tre muaj dhe në fund Zeneli Drangu u dënua me 25 vite burg në Spaç, ku mori pjesë në “Revoltën e Spaçit” (21-23 maj 1973). Teksa ndan historinë e tij të arratisjes dhe momentin e dënimit, ai kujton torturat e kaluara gjatë viteve të burgosjes së tij.

“Të them të drejtën të tana kampet kanë kenë shumë të vështira, burgjet kanë kenë shumë të vështira, ne faktikisht kur jemi dënu atëherë, jemi dënu me privim lirie, por kanë vepru me urdhra dhe urdhrat kanë kenë që më shku me punu me pune të detyrueshme”, shprehet Zeneli duke shtuar se puna ka qenë tepër e rëndë dhe skllavëruese.

Një prej të rinjve në tavolinë e pyet se çfarë ndodhte nëse ata nuk e plotësonin normën e përcaktuar të punës.

“Të fusnin në birucë dhe ndonjëherë të lidhnin dhe duart e këmbët për 10 ditë për mos me kenë i mundun me kry as nevojat e tua personale”, rrëfen Zeneli duke shtuar me buzëqeshje se nuk mjafton një natë dimri për të treguar ato çka ai dhe shokët e tij kanë përjetuar.

Kuriozitetin të të rinjve mbi çfarë embante gjallë çdo ditë, Zeneli i përgjigjet “shpresa”.

Gjergj Hani duke ndarë historinë e tij

Herën e parë, në moshën 16 vjeçare Gjergji tenton të kalojë kufirin në liqenin e Pogradecit. Rreth një muaj pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, më 27 maj 1985 Gjergji kapet nga një ushtar në afërsi të fshatit Lin.

“Herën e parë pata “një lloj fati”, pasi qëlloi që Ramiz Alia bëri amnistinë e vitit 1986, nga e cila përfitova dhe unë se isha nën moshë isha minoren. Sistemi më la sa mbusha 18 vjeç dhe një muaj e gjysëm më pas më arrestuan duke u siguruar që do merrja dënimin e plotë”, rrëfen Gjergji.

Ndërsa herën e dytë u akuzua për përgatitje të arratisjes dhe agjitacion e propagandë.

“Më dënuan 11 vjet edhe gjithsej kam bërë 5 vite, dy muaj e 29 ditë burg në kampin e riedukimit, se e quanin kamp riedukimi, në Qaf-Bar në Tuc të Pukës”, tregon Gjergji.

“Të tregoj ça kemi kaluar aty në atë lloj ferri, për kohën tuaj tani duket si legjendë, si surreale”, shton i moshuari.

Por ai kujton me shumë detaje herën e parë që ka zbarkuar në kampin e Qaf-Brarit, kur ishte vetëm 16 vjeç.

“Një vit më parë aty kishte ndodhur në revoltë e të burgosurve politik, për shkak të kushteve shtazarake në të cilat ishin të detyruar të punonin, dhe natyrisht revolta u shtyp, me gjak, me dhunë, të papërshkrueshme, e vështirë se mund të ketë ndonjë penë që mund ta përshkruajë atë që ndodhi në shtypjen e asaj revolte”, kujton Gjergji.

Ai tregon se kur ka mbërritur në kamp niveli i dhunës nga policia ishte tepër i lartë në mënyrë që askujt të mos i shkonte ndërmend që të ngrihej sërish në ndonjë revoltë.

Gjergji ndan detaje nga jeta e tij në kamp, nga lirimi dhe dënimi për herë të dytë teksa shpreh se i vjen mirë që ka iniciativa të tilla ku të rinjtë tentojnë të njohin të kaluarën.

“Kjo do të thotë që diku mbijeton ende shkëndija e dëshirës për të njohur të vërtetën”, përfundon bisedën Gjergji.

Simon Mirakaj, ish i burgosur politik

Simon Mirakaj e nis prezantimin e tij duke vendosur theksin tek nevoja që të rinjtë të njohin këto histori.

“Ne nuk kemi nevojë të dëgjojmë vuajtjet e njëri tjetrit, sepse na shkakton emocione të forta, ne e kemi kaluar. Ndërsa ju keni nevojë t’i dëgjoni sepse nuk mund ta imagjinoni një fëmijë 16 vjeç të burgosur”, shprehet Simoni.

Historia e Simonit dhe kalvari i vuajtjeve të tij nis sapo ai lind. I lindur në 1945 në qytetin e Shkodrës, ai internohet së bashku me familjen e tij në kampin e Beratit.

“Unë kam shkuar dy javësh në internim, e kemi filluar në Berat dhe kam dal 44 vjeç nga internimi”, rrëfen Simoni duke shtuar se detin adriatik e ka parë për herë të parë në vitin 1990.

Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Simoni u zhvendos nga Berati në Tepelenë.

“Në Tepelenë na zbarkuan në dy kazerma të mëdha që ishin dëmtuar nga italianët në luftën italo-greke, ato i kishin shfrytëzuar për stane dhe na futën aty”, kujton ai.

Ai tregon se si pasojë e kushteve çnjerëzoret, brenda 24 orëve në ato kazerma humbën jetën 32 fëmijë.

Simoni rrëfen më tej se pas kësaj ngjarje u alarmua ministria dhe i zbritën nga aty në kampin e Tepelenës, i cili ishte i rrethuar me tela, ku jetonin së bashku të moshuar dhe fëmijë.

Tmerri i kampit të Tepelenës është i papërshkrueshëm”, thotë Simoni teksa shton se në momentin që ata kanë dalë nga ai kamp, nëna e tij drejtonte kokën nga qielli “duke falenderuar zotin që mundi t’i nxirrte fëmijët gjallë nga ai kamp”.

As për Simonin mbrëmja nuk është e mjaftueshme për të ndarë përjetimet e 44 viteve internim,  ai vendos theksin gjatë gjithë kohës tek nevoja e edukimit të brezave të rinj.

Saimir Maloku, ish i burgosur politik

Historia e katërt është ajo e Saimir Malokut. I lindur në  Tiranë më 1946, Saimiri u arrestua në 1976 për agjitacion dhe propagandë.

“Si çdo i ri dhe unë atëherë kërkoja që të shikoja stacionet e huaja dhe kisha bërë një pajisje të vogël dhe kjo bëri të mundur që të kapte stacionet italiane”, nis të tregojë ai.

Saimiri u  dënua me 13 vite heqje lirie, dënim të cilin e vuajti në burgjet e Burrelit, Ballshit dhe Spaçit.

Saimir Maloku është një dëshmi e gjallë e së kaluarës. Gjatë bisedës ai ndan torturat që ka kaluar. Përshkrimin e asaj që e quan ferr, ai gjen forcën ta rrëfejë edhe me batuta e humor. Dënimin e Saimirit e vuajti dhe familja e tij për shumë vite përndjekje.

Ai tregon se ka jetuar 200 ditë nën tokë në birucë, ku u mbajt i fshehur nën ujë e baltë.

Këto dhe shumë episode të tjera ai i ka përmbledhur në një libër të titulluar “Si mbijetova në ferrin komunist”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *