Joyce Abongo, 22 vjeçarja nga Kenia e cila u dhunua në Tiranë verën e shkuar u nda sot nga jeta, pas 6 muajsh në gjendje kome.
Joyce punonte në një kazino në Tiranë, ku prej kohësh ndante një apartament me disa kolege. Më 14 gusht 2022 ishin shoqet e saj që bënë denoncimin në polici për zhdukjen e Joyce. Ajo u gjet në gjendje të rëndë poshtë banesës së saj në rrugën “Pandeli Evangjeli”.
22- vjeçarja u shtrua në spitalin e Traumës në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Rasti u bë publik nga e ëma e saj, e cila u njoftua nga punëdhënësi i Joyce se vajza ishte shtruar në spital.
Më 25 janar të këtij viti ajo u dërgua për mjekim në vendlindjen e saj Kenia, teksa ndodhej e pavetëdijshme, në gjysmë koma.
Drejtësia, ende pa një vendim për ngjarjen
Policia e Tiranës reagoi tre muaj me vonesë për ngjarjen, vetëm pasi ajo u bë publike në televizionet kombëtare.
Sipas policisë së Tiranës, “për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosa e rëndë me dashje”.
Pas këtij njoftimi nuk është bërë publik asnjë masë e marrë nga policia apo identifikimi i përgjegjësve të dhunës së ushtruar ndaj vajzës keniane.
Sipas avokatit që ka ndjekur cështjen e Joyce, deri më tani nuk ka informacion të detajuar për rastin, pasi që nuk kanë akses në prokurori.
“Për sa i përket pozicioni tonë që jemi organizatë që bëjmë ndjekjen nga ana ligjore ne informacionin e kemi me shkresa dhe kemi aq sa na ka dhënë akses prokurori. Flas për informacione zyrtare. Ideja është që ata nuk japin informacion të detajuar mbi rastin”,-u shpreh për Citizens Channel, Henri Bici nga Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë (TLAS).
Sipas Bicit ka disa përplasje të dhënash për çështjen.
“Çështja është regjistruar me vonesë, është rregjistruar në shtator, çështja ka ndodhur në gusht. Kemi bërë disa kryqëzime të dhënash ne, sepse i kemi bërë shkresa spitalit QSUT-së, Traumës, drejtorisë së Kufirit. Ka përplasje oraresh kur është paraqitur, d.m.th. ajo pjesa e parë e ngjarjes është akoma shumë e paqartë. Ora, sa ka mbetur atje te vendi i ngjarjes? Pastaj, Prokuroria ka filluar hetimet. Janë urdhëruar disa akte ekspertimi po ne nuk kemi asnjë akt ekspertimi. Zyrtarisht nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje”,-shprehet Henri Bici.
Sipas tij e vetmja përgjigje nga Prokuroria është se çështja është në hetim.
“I kemi bërë shkresë Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Spitalit Ushtarak, ata thonë që i kemi në Prokurori. Biles janë urdhëruar dy, jo një akt ekspertimi. I kemi dërguar pyetjet tona për aktin, d.m.th. i kemi bërë disa pyetje prokurorit që akti të sqarojë disa pika, nëse ka pasur dhunë seksuale, përdhunim apo dëmtimet janë shkaktuar nga rënia apo ka pasur goditje. Dhe nuk kemi përgjigje për këto. E vetmja përgjigje është që çështja është në hetim”-përfundon Bici.
Mos veprim i shpejtë i organeve shtetërore
Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë, i cili u mor me rastin shprehu edhe më herët mungesën e informacionit nga organet ligj zbatuese.
“Edhe pse e mirëkuptojmë nevojën e “sekretit hetimor”, mungesa e plotë e përgjigjes është e pajustifikueshme pasi të afërmit kanë nevojë qoftë edhe për informacione minimale që lidhen me pasojat shëndetësore të shkaktuara tek Joyce”,-thuhet në njoftimin e publikuar në nëntor të 2022-it.
Sipas TLAS, “mungesa e masave konkrete të menjëhershme nga organet ligj zbatuese për këto lloj çështjesh, rëndon situatën e personave të dhunuar, veçanërisht në rastet si ky i Joyce, kur dhuna shkakton paaftësi mendore dhe e pengon atë për të luftuar për të drejtat e saj. Dhuna dhe kohëzgjatja e hetimit favorizojnë hapur dhunuesin, duke i dhënë kohën e mjaftueshme për t’u çliruar nga barra e provës, për të manipuluar apo kompromentuar provat që nevojiten gjatë procesit të kërkimit të drejtësisë. Gjithashtu, ndodhur në këto kushte, autorit ose autorëve të veprës penale, u krijohet mundësia që t’i shmangen drejtësisë dhe përgjegjësisë përpara ligjit”.
Aktivistët: “Patriarkati dhe racizmi vrasin”
Pas bërjes publike të ngjarjes, në nëntor të 2022-it një grup aktivistësh protestuan para policisë së Tiranës, ku kërkuan drejtësi për Joyce dhe dënuan fshehjen e ngjarjes nga policia.
Me njoftimin e ndarjes nga jeta të Joyce, një prej aktivistëve, Xheni Karaj u shpreh përmes rrjetit social Facebook se përgjegjës përveç vrasësit janë edhe institucionet shtetërore.
“Në këtë vend të mallkuar të shfrytëzuan për bukurinë dhe rininë tënde, të dhunuan barbarisht duke të lënë të jepje shpirt në rreze të pallatit. Policia institucioni që duhet të garantonte sigurinë tënde dhe të çdo gruaje në këtë vend e fshehu krimin ndaj teje duke mohuar jo vetëm atë që ndodhi, por duke fshirë vetë ekzistencën tënde. Qeveria me kabinetin me më shumë gra në botë, nuk tha asnjë fjalë për ty, nuk solli as një tufë lule në spitalin ku dergjeshe dhe të mbronte vetëm nëna jote”,-tha Xheni Karaj.
Zhaklin Lekatari, një tjetër aktiviste për të drejtat e njeriut ka ndarë foto nga protesta e zhvilluar në nëntor duke nënvizuar faktin se ishin shumë pak veta në protestë.
“Kur protestuam për Xhoin ishim dhjetë vetë, dhjetë vetë. Kur flisni për drejtësi pyesni veten nëse: A i beni presion ministrave, deputeteve, drejtoreve, zyrtareve te administrates? A merziteni per rruget, ujin, dritat, spitalin, shkollen, pensionin, ndihmen sociale ? A kerkoni drejtesi ne perditshmeri, kur i dobeti dhe i varferi shtypen me kembe ?
A indinjoheni kaq shume per femijet tuaj qe ua lene pa ilaçe ne spitale dhe pa ngrohje ne shkolla? A shqetesoheni me shume per manipulimin e votes ? A e keni gjithe kete yrysh dhe hyxhym per te drejtat tuaja?“,-shprehet përmes rrjetit social “Instagram”, Lekatari.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).