Citizens.al

“Drejtësi për Joyce”-Aktivistet protestojnë para Prokurorisë së Tiranës

Aktivistë/e të Kolektivit Feminist në Shqipëri dhe të shoqërisë civile protestuan sot para Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mungesën e hetimeve ndaj vdekjes së 22-vjeçares keniane Joyce Ayoko Abongo.

Joyce u nda nga jeta një javë më parë, pas gjashtë muajsh në koma. Në orët e para të mëngjesit të 14 gushtit ajo u gjet e dhunuar poshtë banesës së saj.

22- vjeçarja u shtrua në spitalin e Traumës në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, ndërsa policia reagoi tre muaj me vonesë për ngjarjen.

Aktivistet denoncuan mos raportimin e ngjarjes dhe indiferencën e organeve hetimore.

Liri Kuçi, aktiviste

“Joy, një grua e re 22 vjeçare, u largua nga Kenia për një realitet tjetër, për një pagë më dinjitoze dhe një perspektivë të re. Për fat të keq, në Shqipëri e priti i një fund tragjik. Më datë 13 gusht të 2022 Joy është dhunuar dhe hedhur nga kati i dytë i banesës ky jetonte më qira në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet. Njoftimi i parë nga policia e Tiranës u bë vetëm pas 3 muajsh, më datë 9 nëntor.Kanë kaluar disa muaj nga kjo ngjarje e rëndë, por prokuroria ende nuk ka marrë asnjë veprim dhe nuk ka asnjë pistë hetimi apo emra konkret të dyshuarish”,-tha aktivistja Liri Kuçi në deklaratën e Kolektivit Feminist.

Përmes deklaratës, aktivistet iu bashkuan thirrjes së nënës së Joyce, për t’i shkuar drejtësisë deri në fund.

Ruth Abongo, nëna e Joyt, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj. Ne jemi sot këtu për t’ju bashkuar thirrjes së saj për drejtësi, për të kërkuar hetim të drejtë dhe transparent dhe dërgimin përpara drejtësisë të fajtorëve të kësaj vrasjeje të shumëfishtë. E vrarë nga policia që nuk e raportoi në kohë krimin, e vrarë nga indiferenca mediatike, e vrarë nga mungesa e solidaritetit për të mbledhur në kohë më shumë para në “gofund” pasi shteti nuk u shqetësua për ta dërguar për kurim jashtë vendit, e vrarë nga indiferenca e organeve të hetimit”,-thuhej më tej në deklaratë.

Aktivistet e shoqërisë civile, pjesëmarrëse në protestë u shprehen me shqetësim për sigurinë e vajzave dhe grave në vend.

Ines Xhelili, AWEN

“Çështja e sigurisë ka qenë gjithmonë një cështje që ne e kemi ngritur si organizata të shoqërisë civile. Në qoftë se gratë nuk janë të sigurta brenda shtëpisë së tyre atëherë ne kemi thënë gjthmonë si mund të ketë siguri në rrugë dhe në institucione dhe kudo tjetër. Kështu që nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë e munguar të nëj shtetase pa mbështetje të huaj, por bëhet fjalë dhe kjo është një simbolikë për të gjitha ato gra dhe vajza të cilave, sistemi i sigurisë ka dështuar t’ju përgjigjet”,-tha për Citizens Channel, Ines Xhelili nga AWEN.

Ndërsa aktivistja Deni Sanxhaku nxori në pah pasigurinë e emigrantëve që vijnë në Shqipëri.

Deni Sanxhaku, aktiviste

Xhoi na kujton se sa të pasigurt janë emigrantët në Shqipëri. Pavarësisht, se kryeministri bën thirrje të vazhdueshme për ftimin e punëtorëve nga Bangladeshi, nga Kenia nga Pakistani. Ky rast nga tregoi që nuk ka asnjë lloj politike sociale që siguron mbrojtjen dhe integrimin e punëtorëve apo emigrantëve në vendin tonë, pavarësisht se ky është një vend që aderon Bashkimin Evropian”,-deklaroi Deni Sanxhaku.

Në një intervistë të dhënë më herët për Citizens Channel, avokati i Joyce u shpreh se nuk kanë akses në procesin që po ndjek prokuroria, e si rrjedhojë informacioni i detajuar për rastin është i mohuar.

Për sa i përket pozicioni tonë që jemi organizatë që bëjmë ndjekjen nga ana ligjore ne informacionin e kemi me shkresa dhe kemi aq sa na ka dhënë akses prokurori. Flas për informacione zyrtare. Ideja është që ata nuk japin informacion të detajuar mbi rastin”,-u shpreh për Citizens Channel, Henri Bici nga Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë (TLAS).

Sipas tij e vetmja përgjigje nga Prokuroria është se çështja është në hetim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *