Të shtunën, në mjediset e burgut në Spaç, u mbajt ekspozita “Fraktura”, një bashkëpunim mes shkrimtarit Fatos Lubonja, i dënuar politik për 17 vite, artistit Ardian Isufi dhe kuratorit Elton Koritari.
“Fraktura” solli artifakte, instalacione, dokumente dhe kujtime nga periudha e komunizmit, që dëshmojnë vuajtjen e të dënuarve politikë në Spaç dhe u pasua me pas nga një diskutim mes pjesëmarrësve.
“Unë prapë e shoh këtë vend të mbushur me të burgosur. Ata e mbushnin këtë fushën me ëndrrat, me shpresat e tyre”, – tha Lubonja në hapje të diskutimit, drejtuar dhjetëra pjesëmarrësve.
“Mesazhi im është që të kaluarës duhet t’i qasemi nëpërmjet vuajtjes të së tashmes”, – vijoi më tej ai. Kjo ekspozitë vjen edhe si kërkesë për shpalljen e këtij burgu një muze, i cili është tashmë drejt shembjes si pasojë e mungesës së investimeve.
“Duhet patjetër të kenë statusin e Muzeut, për të shënjuar jo vetëm për atë qe kemi kaluar, por mbi të gjitha për të dhënë një mesazh gjeneratave të reja që këto gjëra mos të ndodhin më”, – tha për Citizens Channel artisti Ardian Isufi.
Pjesëmarrës në ekspozitën “Fraktura”
Tobias Ruttershoff, nga fondacioni Konrad-Adenauer që mbështeti këtë ekspozitë, u shpreh se ata janë të gatshëm të mbështesin me ekspertizë qeverinë shqiptare për kthimin e këtij burgu në muze.
“Ne mund të sjellim njerëz nga Gjermania dhe nga shtete të tjera që ndoshta mund të ndihmojnë në krijimin e muzeut. Dhe kjo është me përfitim për Shqipërinë, për njerëzit e Shqipërisë, por edhe për rajonin”, – tha Ruttershoff për Citizens Channel.
Vazhdimisht u hoq paralelizmi mes shkatërrimit, të cilësuar shpesh si të qëllimtë të burgut të Spaçit, mes minierës që sot e kësaj ditë vijon të jetë në punë, me struktura moderne. Sipas Lubonjës, nuk mund të ketë një muze pa minierën e Spaçit. Në të njëjtën linjë ishin edhe pjesëmarrësit, të cilët e konsiderojnë të qëllimshme harresën.
“Në përgjithësi, vendimmarrja, qeveritë, nuk duan të kujtohet shumë e shkuara nuk duan të ballafaqohen me të shkuarën, sepse mund të shikojnë fytyrën e vet”, – për Citizens Channel Sandër Kovaçi.
Mes të shkuarës dhe të tashmes
Gjatë diskutimit, shumë prej vizitorëve të ekspozitës shprehën keqardhje dhe ndjenjë faji që nuk e kishin vizituar më herët burgun e Spaçit, ndjesi që u pasua nga nevoja për të aktualizuar të shkuarën.
“… sepse unë mendoj që edhe sot vuajmë, vuajmë shumë nga reminishencat e të shkuarës. Vuajmë poshtërimin e njeriut nga njeriu, vuajmë nga mungesa e lirisë”, – tha në fjalën e tij Lubonja, i cili ndau me pjesëmarrësit disa episode gjatë vuajtjes së dënimit në Spaç dhe ditëve të punës në minierë.
“Burgu kishte një personazh që quhej Tellall. Ishte ai që bënte zgjimin dhe tingujt më të larta që dëgjoheshin këtu ishte kur ai bërtiste në mëngjes “Zgjimi” dhe zgjoheshin të burgosurit dhe “Apeli”. Kjo ishte, në kujtesën e tij zhurma më e lartë që dëgjohej në Spaç, krahas të burgosurve, të cilët komunikonin gjithnjë me zë të ulët.
Të burgosurve, rrëfeu Lubonja, u lejohej të dëgjonin radio Tiranën. Në një prej atyre ditëve, në radio Tirana, vijoi ai, u transmetua diçka në gjuhë të huaj.
“Nuk e di ekzakt se ça ndodhi, ça ishte ajo gjuhë e huaj”, – kujtoi Lubonja. “Erdhi një nga ata policët dhe iu duk se ishte një gjë e tmerrshme që po hyjnë fjalë të huaja, mori një bisht lopate dhe i ra altoparlantit, bam, bam, që ta pushonte”.
“E gjej shumë shqetësuese marrëdhënien që ka populli jonë, kultura jonë me të kaluarën, me një të kaluar prezentë që na peshon të gjithëve mbi supe”, – u shpreh kineastja Iris Elezi, “30 vjet më vonë, godinat po bien. Ne që ende jetojmë me lagështirë, vetëm mund ta imagjinojmë çfarë burgu me tela dhe me qiell dhe me male ka jetuar shpirti shqiptar atëherë”.
“Më beso, mendoj që vijon të jetojë edhe sot”, – përfundoi ajo.