Ardian Koci, ish-drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Fier, është pushuar nga puna pas intervistës që ka dhënë për Zërin e Amerikës muajin e shkuar. Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Koci ka shkelur rregulloren e brendshme të institucionit, duke dhënë intervistë për media pa marrë aprovim nga ata.
Rregullorja e brendshme institucionale
Në asnjë rast dhe asnjë punonjës i AKZM-së nuk mund të japë informacion personave të tjerë ose shtypit pa qenë i autorizuar për të bërë një gjë të tillë. Në të gjitha rastet kur kërkohet prononcim publik a mediatik, punonjësit e AKZM-së ose strukturat e varësisë, duhet të njoftojnë Drejtorin e Përgjithshëm dhe të presin miratimin përkatës.
“Institucioni im nuk ka sekrete shtetërore që duhen mbrojtur. Intervistat e mia janë të gjitha për të promovuar vendin tim, zonën ku unë jetoj”, – shprehet për Citizens Channel Koci. Ai pohon se tashmë çështja do të marrë rrjedhë tjetër pasi ka depozituar një padi në Gjykatën e Lushnjës.
“Asnjë rregullore nuk do të ma heqë dot këtë të drejtë themelore të njeriut: marrjen dhe dhënien e informacionit”.
Pas marrjes së masës për pushim nga puna na datë 3 mars, sot, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura publikoi një sqarim mbi pushimin e Ardian Kocit.
“Komisioni, në datë 03.03.2023 vendosi të japë masën disiplinore “Largim nga detyra”. Fakt është që, në vijim, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i kërkoi komisionit disiplinor të AKZM-s të rishikojë vendimin dhe masën disiplinore”, – shkruhet në deklaratën e AKZM-së.
Ardian Koci pohon se nuk do të kthehet më në pozicionin e mëparshëm dhe se pushimi nga puna ka motivacione të tjera.
“Situata u bë pak e rëndë sepse unë gjithmonë kërkoja dhe i kritikoja gjërat që nuk shkonin, troç, hapur në mbledhje. Dhe avash-avash përreth meje u krijua një, le të themi, një tokë e djegur”, – shpjegon Koci. “Makina që nuk riparoheshin, karburant që nuk jepej me pretekstin që është urdhër nga Kryeministri”.
Një tjetër shqetësim të cilin ai e ka artikuluar ishte kontrolli i informacioneve që publikoheshin në rrjetet sociale të Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta.
“Arriti situata deri aty sa edhe postet në Facebook nuk i bënim dot më ne. Na kërkoheshin fotografi nga zona dhe t’i çonim në ministri ku na bënin gati edhe tekstin që duhet të nxirrnim ne”, – thotë ai.
Lidhja e tij me Divjakë – Karavastanë dhe emigrimi
Koci është larguar nga Shqipëria në vitin 1992 dhe është rikthyer në vitin 2010 sërish, me dëshirën e mirë për të kontribuar.
“Në 2013-tën më kërkuan për të më emëruar drejtor të shërbimeve pyjore Lushnjë. Rreth një muaj unë hezitova edhe të merrja detyrën në dorëzim”, – vijon më tej Ardiani, i cili i druhej se do të përdorej politikisht.
Në 2015 u krijua Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe deri në muajin mars të këtij viti, ai ka mbajtur pozicionin e drejtorit. “Rrogat ishin të ulëta, por mungesat financiare ne i kompensonim me dashurinë për punën dhe me kënaqësinë shpirtërore që na jepte kjo punë”, – rrëfen Koci.
Ardian Koci tregon se ka një lidhje shumë të ngushe me Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta.
“Unë kam ardhur që 7 vjeç dhe nuk u shkëputa deri në momentin që u largova për në Itali. Këtu kam kaluar fëmijërinë time dhe ku u caktova në këtë punë ishte si një kthim në shtëpi”.
Pushimin e tij nga puna Koci e konsideron “një goditje shpirtërore”, nga e cila do të dalë më i fortë. Betejën në mbrojtje të natyrës ai pohon se do ta vazhdojë. “Kam vendosur që përfundimisht të largohem nga Shqipëria dhe… do më mungojë shumë parku”, – përmbyll Ardian Koci.