“Bukë dhe cirk” është një nga shprehjet lapidare me të cilën drejtuesit e Romës së lashtë i reduktonin nevojat dhe dëshirat e popullit të asaj kohe.
“Mjafton t’i japësh bukë që mos të vdesin dhe ti japësh cirk që ti shpërqendrosh nga problemet reale, ky ishte slogani i drejtuesve”, – thotë Bislim Lakna, organizator i diskutimit.
Lëvizja “Për Universitetin” mbajti sot një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave Sociale mbi shoqërinë e spektaklit dhe fenomenin e Big Brother në vendin tonë.
Bislim Lakna shpjegon se ky format është një formë imponimi i pashmangshëm dhe në fund qëllimi i prodhimit të këtyre materialeve është rritja e klikimeve në funksion të fitimit.
“Po na imponohet një spektakël i cili në fund të ditës vlerën e vetme e ka pasurimin e atyre që e prodhojnë. Produksioni në fund të ditës ka në dorë emetimin e mesazhit dhe të disa vlerave”, vijon ai.
Vjolanda Peca një studente e përfshirë në diskutim argumentoi se dëshira e qenies për tu përfshirë në jetën private të tjetrit, e ka bërë këtë format të përhapur në shumë vende të botës.
“Fenomeni nis nga ne, pse duam ne të përfshihemi në jetën personale të dikujt tjetër?, ngre pyetjen Vjolanda.
Sipas studentëve se ky format po ndikon në ndryshimin dhe huajëzimin e dëshirave tona personale.
“Unë tanimë nuk kam më dëshirë të peshkoj, kam dëshirë të bëhem pjesë e këtyre formateve sepse fitoj shumë lekë. Kjo shumëfishohet në trajta të ndryshme duke krijuar situata që ne nuk i kemi në dorë as ti zgjidhim dhe nuk e patëm në dorë as kur u krijuan, prandaj ky lloj fenomeni duhet kritikuar në përmbajtje, jo në formën që ka”, thekson Lakna.
Pjesmarrës të tjerë theksuan se pavarësisht vlerave apo antivelrave që përcjellin nuk janë dakord me censurimin e tyre.
“Ne bëjmë like për video të cilat nuk i diferencojmë nëse kanë vlerat e duhura apo jo, sepse vlerat për dikë mund të jenë antivlera për dikë tjetër dhe e kundërta. Ne jemi fansa të këtij fenomeni që nuk është edukativ por nuk do të thotë që kemi të drejtë ta heqim nga qarkullimi një format të tillë”, shton Sabrina Dema, një tjetër studente.
Sipas Laknës dallimi midis një spektakli të tillë dhe një shfaqje teatrale është se publiku e di që shfaqja është një artificë për të cilën ka rënë dakord, askush nuk shtiret që po ndodh vërtetë. Në një spektakël si Big Brotheri aktorët pretendojnë se kjo lloj marrëdhënie është e vërtetë dhe e natyrshme.
“Pavarësisht se ne e dimë që aty ka një skenar, ne na shitet si një e vërtetë e pakontestueshme, kështu jam unë në jetën time, pavarësisht se personazhet janë të vendosur në kushte që duhet të na japin shfaqje. Kjo na shitet si një e vërtetë! ”, përfundon Lakna.
Ky takim nisi një seri bisedash që lëvizja “Për Universitetin” do të organizojë me studentët në fakultetet të ndryshme të vendit.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.