Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës: Tre vite pas tërmetit, banorët ende presin shembjen e pallateve të dëmtuara

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në Durrës ende nuk ka përfunduar shembja e pallateve të dëmtuara. Bashkia Durrës i konfirmoi Citizens Channel se deri më tani janë shembur 45 banesa kolektive, ndërsa pesë pallate mbeten ende në proces prishje.

“Bashkia Durrës nuk disponon mjete për të bërë të mundur prishjen e objekteve 12 kate mbi tokë”, pohon institucioni.

Bashkim Gjika është pronar i një apartamenti në palltin 8, ku 45 familje po strehohen përmes bonusit të qirasë prej tre vitesh. Ai tregon se përfaqësuesit e Bashkisë nuk kanë pranuar asnjëherë takim me banorët, ndërsa institucionet e larta vetëm e zvarrisin çështjen e këtij pallati.

“Kemi tre muaj që nuk marrim më bonus qiraje, se i kanë prish lekët për votime, s’ka më”,  thotë për Citizens Channel Bashkim Gjika.

Banorët e këtij pallati kanë ngritur një kallëzim mbi çështjen e pallatit të tyre, e cila duket se po zvarritet nga prokuroria dhe gjykata e Durrësit. Kjo padi u bë objekt verifikimi ndaj prokurorit të Durrësit Bledar Bejko pak javë më parë, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit i kërkoi Gjykatës së Durrësit të japë informacion rreth ecurisë së hetimeve për këtë çështje.

Sipas banorëve dhe përfaqësuesve ligjorë të tyre, rindërtimi po zhvillohet me dy standarde. Për disa pronarë pallatet janë shembur, janë rindërtuar dhe janë akomoduar sërish aty ku kanë banuar, ndërsa për të tjerë Bashkia ka propozuar transferimin në Kënetë.

Banorët të zhgënjyer nga premtimet e rindërtimit

“Kryeministri jonë që tha pallatet e dëmtuara nga tërmeti do ndërtohen po aty ku janë”, tregon Ramiz Çopa për Citizens Channel. Çopa ka më shumë se tre vite që është zhvendosur nga pallati 25/1 , në rrugën Hysen Myshketa, Durrës. Ai shpjegon se përfaqësues të Bashkisë Durrës i kanë propozuar që të zhvendosen në zonën e ish-Kënetës. Një tjetër propozim ishte ndërprerja e bonusit të qirasë, në këmbim të marrjes së banesave në objektin që do të rindërtohet aty ku kanë banuar përpara tërmetit.

Ramiz Çopa poshte pallatit ende te pashembur pallati 25/1, Durres

“Atëherë me këtë kusht, nëse ndërpritet bonusi i qirasë bëhet pallati këtu, me kushtin tjetër që të bëhet pallati këtu, pa u ndërprerë bonusi nuk u bëka. Pra këtu luhet me dy standarde”, shpjegon ai.

Ai përfundon se me pensionin që merr e ka të pamundur ta mbulojë vetë koston e qirasë derisa të presë ndërtimit e pallatit, që mund të zgjasë për vite.

“Unë jam vetë i pesti, thonë nuk do ta marrësh shtëpinë këtu. Mua s’ma ka fal shteti atë pronë atje, e kam blerë me djersë, kemi punuar natë e ditë, s’kemi asnjë lloj politike që na sjell lekët. Oburra jashtë se do shembet pallati brenda katër ditëve dhe pallati akoma nuk është shembur”, përfundon një tjetër banorë i pallatit 25/1 Përparim Reçi.

Problemet e bonusit të qirasë dhe pritja e fondeve nga Ministria e Financave për përforcimin e pallateve në Durrës i ka çuar shpesh në protesta banorët e këtij qyteti që enden rrugëve që nga nëntori i 2019.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *