Të hënën, rënia e euros u ngadalësua pas më shumë se dy javësh. Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme 1 euro u këmbye me 106.2 lekë.
Niveli minimal i këmbimit të euros u arrit të premten ku 1 euro u këmbye me 105.62 lekë.
Që prej datës 26 maj kjo është rritja e parë e shënuar. Sakaq, ngadalësimi i rënies së monedhës së euros është shoqëruar me rritjen e valutave të tjera.

Krahasuar me një javë më parë, paundi britanik, franga zvicerane dhe dollari amerikan kanë shënuar një rritje.
Euro nisi të shënoi rënie gjatë periudhës së fushatës elektorale. Në 10 maj euro zbriti në 110.73 lekë.
Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve euro nisi rimëkëmbjen e shpejtë, duke u këmbyer me 113.43 lekë.
Sipas ekspertëve, rënia u ndikua nga zgjedhjet lokale pasi futja e parave nga kandidatët në fushatë zgjedhore ka zhvlerësuar euron, po ashtu ata përmendin edhe ndikimin e parave informale.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, monedha euro është këmbyer mesatarisht me 123.31 lekë gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e 2021.
Euro e arriti minimumin në datat 7-11 prill, teksa zgjedhjet lokale u mbajtën në 25 prill 2021.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 2019, një euro u këmbye mesatarisht me 122,65 lekë. Minimumi arriti deri në 121.64 lekë.
Në një analizë të mëparshme të Citizens Channel për rënies e euros gjatë fushatave zgjedhore, ekspertët argumentuan se shpenzimet e partive politike gjatë fushatës kanë ndikuar në këtë fenomen.
Një mundësi tjetër që ekspertët listojnë është fakti që pas zgjedhjeve ka rënë kërkesa për lek sepse ajo pjesë e tregut që konvertoi eurot në lek për qëllime elektorale nuk është më.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.