Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

AMA raporton në Kuvend, i kërkohet më shumë kontroll ndaj televizioneve

Autoriteti i Mediave Audiovizive AMA, raportoi të hënën në Kuvend përmes kryetares Armela Krasniqi.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nën drejtimin e kryetares Flutura Açka zhvilloi ditën e hënë një seancë dëgjimore në lidhje me raportin e veprimtarisë vjetore të AMA-s për vitin 2022.

Kuvendi i kërkoi AMA-s të ushtrojë më shumë kontroll në përmbajtjes e programeve televizive.

Kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi në prezantimin e raportit vjetor, u shpreh se gjatë 2022 AMA ka pasur në fokus mbështetjen dhe nxitjen e tregut audioviziv të përgjegjshëm e cilësor.

“Një prej detyrave më të rëndësishme është shqyrtimi tematik i përmbajtjeve. Këshilli i Ankesave pranë AMA-s, ka pasur në fokus përparësitë e vendosura nga autoriteti dhe ka bërë punë intensive për rishikimin e kodit të transmetimit. Janë shqyrtuar mbi 310 ankesa për probleme të përmbajtjeve audiovizive”, u shpreh Krasniqi.

AMA është përballur me 310 ankesa gjatë 2022 për sa i përket problemeve në përmbajtje. Krasniqi u shpreh se këto ankesa tregojnë një reflektim të kërkesave të publikut për një cilësi të mirë në media audiovizive.

Po ashtu ajo premtoi rishikim të kodit të transmetimit nga ana e AMA-s. Sa i përket ankesave, Krasniqi raportoi se nga shqyrtimi i tyre, ka pasur shkelje të të drejtave të fëmijëve në masën 32 %, shkelje të të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit në masën 38 %, të drejtën e përgjigjes në 2 %.

Krasniqi ngriti si diskutim se çfarë mund të bëhet në mënyrë që televizione kombëtare në Shqipëri të mos raportojnë vetëm për vrasje dhe politikë, duke lënë pas kulturën dhe çështje të tjera.

 “Nuk është e shëndetshme ajo që i ofrojmë publikut dhe ndaj të njëjtin shqetësim si individ”, tha ajo duke shtuar se nga ana tjetër ligji për lirinë e medias e kufizon AMA-n të ndërhyjë në lirinë editoriale të mediave.

“Me ligjin aktual ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në lirinë editoriale të asnjë media, parim i shenjtë”, u shpreh ajo.

Krasniqi u shpreh se AMA ka reaguar sa i përket rasteve të shkeljes së etikës në media për gjuhën diskriminuese apo të drejtat e fëmijëve.

Relatorja e mazhorancës Enslemvera Zake, u shpreh se në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AMA-s gjatë vitit 2022, ishin 14 rekomandime dhe nga analiza e bërë janë realizuar plotësisht pesë rekomandime, ndërsa nëntë janë në proces.

“Sa i përket problematikave, nga monitorimi i portaleve dhe faqeve online, në mënyrë të vazhdueshme ka pasur shqetësim lidhur me këtë monitorim, portale dhe faqe online që operojnë pa autorizim, pa u identifikuar pronësia dhe bëhen shënjestër për denigrimin e personave në fusha të ndryshme. Do kërkoja nga AMA që të luajë një rol më të rëndësishëm për këtë çështje”, tha Zake.

Ajo deklaroi se për raportin e vitit 2022, u paraqit me vonesë dhe ka mungesë koherence “pasi në rekomandimet e progres raportit të BE i referohet raportit të vitit 2021 dhe jo vitit 2022”.

Ajo shtoi si shqetësim dhe rritjen e numrit të operatorëve piratë që transmetojnë përmes internetit pa autorizim.

“AMA ka përcjellë pranë AKEP 14 praktika me qëllim marrjen e masave për mbylljen e 86 faqeve online që kryejnë shkelje të ligjit”, tha Zake.

Ndërsa relatorja e opozitës Ina Zhupa ngriti si shqetësim zgjedhjen e Krasniqit në krye të AMA-s duke e akuzuar atë për preference politike.

Ajo kërkoi nga AMA pse nuk ishte active në mbrojtje të gazetarëve në raste intimidimi dhe cënimi të integritetit.

“Në raportin e AMA-s përmendet vetem një rast ku AMA gjatë muajit mars 2022, përcolli me shqetësim rastin e keqtrajtimit me kanosje të një gazetareje dhe kameramanit që e shoqëronte, nga redaksia e emisionit “Fiks Fare” nga dy punonjës të një stabilimenti shpendësh në Durrës. Ndërkohë që në disa raporte ndërkombëtare theksohet kjo problematikë dhe AMA nuk reagon ndaj rasteve të tjera”, u shpreh Zhupa.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *