Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Brenda Muzeut të Gruas, me Elsa Ballaurin

Përpara dhjetë viteve, përfaqësues të qeverisë daneze shpërndanë çmimin  “Women’s Torch” ose në shqip “Pishtari i Grave” në 100 vende të botës. Në Shqipëri, ky çmim u fitua nga aktivistja për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, e cila brenda 24 orëve duhet të jepte tri zotime për ti përmbushur në vijueshmëri, në lidhje me sfidat, kushtet dhe historinë e gruas shqiptare. Një prej këtyre zotimeve ishte hapja e Muzeut të Gruas.

“Qëllimi i muzeut është që të flasim për të drejtat e grave dhe për emancipimin në një formë pak më ndryshe, jo me mënyrat klasike por ndërmjet artit dhe kulturës dhe kryesisht për të zbuluar më shumë në historinë e gruas shqiptare”, – rrëfen Elsa për Citizens Channel.

Ne foto: Elsa Ballauri

Të gjitha objektet në Muzeun e Gruas janë pjesë e koleksionit privat të Ballaurit, koleksion i mbledhur ndër vite si pjesë e kulturës familjare, që nga stolitë e gjyshes deri tek kontributi i babait të saj si arkitekt muzeor. Elsa thekson se e ka pasur me kohë idenë e muzeut, që kur filloi të zotëronte shumë objekte, ku opsioni i parë ka qenë në Korçë, por largësia dhe pamundësia fizike e shtynë që ta hapte një të tillë në Tiranë.

“Ambienti është privat, këtu jam edhe martuar, një shtëpi që rrinte bosh. Koleksioni dhe prona ime janë të vendosura në shërbim të publikut”,- thekson ajo.

Elsa tregon se ekzistojnë rreth 80 muze për gruan, duke përfshirë këtu edhe muzetë virtualë, në të gjithë botën.

“Djemtë dhe burrat janë vizitorët që kanë më shumë interes”, – përgjigjet Elsa kur pyetet nëse muzeu vizitohet edhe nga seksi i kundërt.

Copëza të Muzeut të Gruas

“Objekti më i dashur është ai që akoma nuk është në muze, për atë çfarë ndodhte me gruan, që ka lidhje me paragjykimin, me presionin e shoqërisë, një çarçafë me njollë të kuqe në mes. Po e stilizoj dhe dua ta var”,- rrëfen Ballauri.

Elsa shpjegon se pa kuptuar gruan në kohë, nuk mund të kuptojmë gruan tani, dhe ky në vetvete është edhe një nga qëllimet e muzeut. Ajo tregon se shpesh herë ka bashkëpunuar me të rinj, të cilët kërkojnë nëpër arkiva dhe nxjerrin fakte të reja për jetën e grave sidomos nga vitet 1912 deri në 1939.

“Unë e shikoj historinë e gruas shumë të mangët dhe me paterica, nuk ka një ecje normale, mund të ishte e ngadalshme por të ishte e fuqishme, të ishte e shëndetshme. Ka ecur, është bërë pishman, është kthyer mbrapa dhe pastaj ka tentuar të ecë dhe ka ecur keq. Tani mundohet të ecë përsëri duke riparuar gjëra të cilat duhet ti riparojmë sepse janë sfida me të cilat hasemi çdo ditë ”, – thekson ajo.

Muzeu të ofron një rrugëtim me objekte dhe foto që nisin që nga periudha e hershme e qytetërimit në Dyrrakiumin e vjetër deri në ditët e sotme.

Më poshtë do të shpjegojmë kuptimin e disa prej objekteve në muze:

Pjesa e kokës së kukullave me shami identifikon gruan në familjet e hershme muslimane kur gruaja nuk rrinte poshtë në grupin e burrave, në dhomën e miqve, por gruaja duhet të shihte pas dritares se çfarë kishin nevojë burrat dhe të vinte më pas ti shërbente.

Xhubleta – Etnografët shprehen se është një veshje rreth katër mijë vjeçare. Përbëhet nga disa elementë ku përmendim: brezi i saj është i punuar me metal, çanta e duhanit, dhe një mashë e xhubletës, në formë gërshëre. Masha shërbente për të marrë thëngjillin në zjarr dhe për ti ndezur cigaren burrit. Veshja shoqërohet me Kapicën (kapelën), që ka në të simbol diellin, hënën edhe yllin.

Në foto : Shoqata “Singer“ 1927, në Korçë , vajza të fshatit që mësonin si të qepnin me makinë.

Makina e qepjes “Singer“, arsye për të cilën shumë gra merrnin edhe fletë rrufe.

“Gratë punonin në shtëpi për të tjerë dhe mund të merrnin ndonjë para të vogël por lagja të ndiqte, të vinte dhe një fletë rrufe dhe mund të kishte dhe pasoja më të rënda”, – shpjegon Ballauri.

Pulla është pjesë e një serie pullash prej pesë pullash që ka ardhur nga Italia në 1913 dhe përfaqësia e Esat Pashë Toptanit , shumë konservatore nuk pranoi që një pullë me fytyrë gruaje të shpërndahej dhe mbeti e panjohur.

Praksithe Plumbi është një grua për të cilën nuk është folur deri më sot dhe Elsa na konfirmoi se po bën gati për botim një libër për të. Për fat të mirë, shton Elsa i biri i saj më ka dorëzuar në 2005 të gjitha dokumentet e mbetura të Praksithes si letra këmbime, raportime etj.

Elsa rrëfen se te “Libri i Shtëpisë”, duhet të shënohej për çdo person që hynte dhe dilte , kur ikte e kur vinte , dhe në fund kjo shikohej nga i plotë fuqishmi i lagjes i cili e konfirmonte apo jo, për familjet që kontrolloheshin nga shteti, në vitet 50 – 60.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *