Mesditën e 19 qershorit, A.B u paraqit në gjykatën e Tiranës për një çështje dhune në familje. Për shkak të gjendjes jo të qëndrueshme mendore të vëllait të saj D.B, ajo u detyrua të bëjë një kallëzim penal për dhunë nga i vëllai, pasi gjendja e tij u përkeqësua dhe spitali ku u drejtua për ta shtruar për mjekim e orientoi drejt gjykatës.
“Motra ka akuzuar vëllain për dhunë në familje. Por në të vërtetë nuk është e tillë sepse motra ngaqë e ka vëllain me probleme mendore ka shkuar te spitali për ta shtruar dhe ato i kanë thënë që ne nuk e shtrojmë se nuk kemi vende, por ne mund ta shtrojmë vetëm po shkove të bësh ankesë apo kallëzim penal që ta sjellin ato me urdhër të gjykatës. Motra nuk ka ditur se çdo ndodhte me pas dhe ka bërë kallëzimin penal”- sqaron për Citizens Channel avokati i çështjes, Gentjan Serjani.
Prej një viti tanimë, ajo pret gjykatave që të nisë procesi, ndërsa nuk dëshiron që ai të përfundojë në burg, por vetëm të mund të marrë shërbim në spital dhe të rikthehet në shtëpi, ku ajo përkujdeset për të.
Mirëpo, sot ishte hera e tretë që seanca u shty sërish, për në korrik, për shkak se prokurori ka munguar në të gjitha seancat e thirrura.
Gentjan Serjani, avokat
“Dy herë ne nuk kemi zhvilluar seancë gjyqësore sepse ka munguar prokurori. Nuk kishte dorëzuar asnjë dokument prokurori, as dosje asgjë, dhe gjyqtarja tha si të vazhdoj pa pasur asnjë dokument nga prokurori”,- shprehet ndër të tjera avokati Serjani.
Sipas tij, mungesa në procese gjyqësore e prokurorit vjen si pasojë e ngarkesës më së pari, por jo vetëm.
“Kjo vjen si pasojë e ngarkesës me shumë dosje në shqyrtim për prokurorët dhe e dyta është një lloj neglizhimi kur bëhet fjalë për grupe vulnerabël. Ka dy modele sjelljeje të tyre: ose janë sjellje agresive sepse e kuptojnë që nuk do ketë ndonjë kundërpërgjigje nga ana mbrojtëse, ose neglizhenca”,- përfundon ai.
Mungesë efikasiteti për çështjet e trajtuara
Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në raportimin para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u shpreh se ka një rritje të mbartjes së procedimeve penale gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më herët, në rreth 21,888 procedime penale. Problem për këtë sipas tij mbeten vakancat e prokurorëve.
“Përgjatë vitit 2022 organi i Prokurorisë në hetimet paraprake trajtoi 61,114 materiale që janë pothuajse një nivel me ato të një vit më parë. Sa i përket precedimeve penale numri është 48,315 procedime me një rritje të lehtë nga një vit më parë me 1.69%. Në vitin 2022 u regjistruan 25,737 procedime penale. Këtu kemi një ulje të ndjeshme në krahasim të një viti më parë, është gati 9.3% renia e procedimeve të regjistruara. Kemi një rritje të mbartjes të procedimeve penale, 21,888 procedime penale që përbën një rritje prej 20% në krahasim me një vit më parë. Gjë që ka lidhje me problemet në vakancat e prokurorëve që ka rritur ngarkesën e prokurorëve dhe kjo natyrisht pasqyrohet në disa nga shifrat e vitit”, -u shpreh Çela.
Ndërsa, referuar dhunës në familje, në nëntë mujorin e parë të vitit 2022, vetëm 32 udhëzime janë dhënë nga drejtuesit e prokurorive në 48 mijë çështje.
Sipas Çelës, këtu kemi një performancë zero të drejtuesve, mirëpo nuk është kjo mënyra si përllogaritet performanca e këtyre institucioneve.
Olsian Çela, Kryeprokuror i Përgjithshëm
“Nëse duam t’i japin një vlerë rolit të drejtuesit të prokurorive në rrethe, duhet të shikojmë thlebësisht se çfarë ai bën. Por në qoftë se 20 e ca drejtues kanë dhënë 32 udhëzime të detyrueshme dhe ky është i vetmi element që lidh drejtuesit e prokurorisë me çështjen, nuk ka element tjetër, hedh shortin, kërkon informacion dhe jep udhëzim. Kjo tregon që ka një problem serioz sistemi. Sistemi sot janë shumë elektrone të lira që veprojnë në mënyrë të çorganizuar për të dhënë një rezultat që ne duam në bazë të politikave të caktuara për të cilat flasim sot”, – argumentoi Kryeprokurori para Komisionit.
Sipas juristit Gentjan Serjani qytetarët nuk marrin shërbimin në drejtësi si pasojë e ngarkesës.
“Reforma në sistemin e drejtësisë ka krijuar probleme përsa i përket përmirësimit të shërbimit të prokurorisë ndaj qytetarëve. Pasi nëpërmjet procesit të Vetingut një numër i konsiderueshëm i prokurorëve janë përjashtuar nga sistemi drejtësisë. Padyshim, kjo mangësi në numër i prokurorëve ka sjellur problem në ofrimin e shërbimit brenda një kohë të arsyeshme. Thënë kjo gjë, sot qytetarët sorollaten me muaj në procese penale, pasi shpesh prokurori mungon në seancë për shkak të ngarkesës”- argumenton Serjani.
Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit eficienca e sistemit gjyqësor ështe e ndikuar nga tejzgjatja e procedurave, norma e ulët e trajtimit të çështjeve dhe stoku i lartë i çështjeve gjyqësore.
“Gjykatat me ngarkesën më të lartë janë Gjykata e Lartë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Apelit Administrativ. Kjo e fundit ka 18,415 çështje, nga të cilat 9938 janë çështje të vjetra për më shumë se dy vjet. Gjykata e Lartë ka stokun më të lartë të çështjeve, me më shumë se 35,822 çështje, ndër të cilat, 27,843 janë çështje më të vjetra se dy vite (ose 77% e tyre)”, -thuhet në raportin e KSHH-së.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, kohëzgjatja mesatare për një çështje në nivelin e apelit shkon në afro tre vjet për çështjet penale dhe rreth 5 vjet për çështjet civile.
Vakanca vihet re edhe në sistemin e prokurorisë. Sipas raportit të KSHH-së janë 57 vende vakante në të gjitha shkallët e prokurorisë. Gjashtë prej të cilave pranë Prokurorisë së Përgjithshme, pesë pranë SPAK, gjashtë pranë Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit dhe 40 vende vakante pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore.
“Deri në fund të periudhës objekt monitorimi rezulton se 151 prokurorë i janë nënshtruar procesit të vettingut, gjatë të cilit 40 prej tyre janë shkarkuar, 40 pezulluar dhe vetëm 71 janë konfirmuar. Duke qenë se vettingut pritet t’i nënshtrohen edhe 174 prokurorë, si dhe duke marrë parasysh faktin se numri i vakancave është më i lartë në këtë sistem në raport me sistemin gjyqësor, KShH sugjeron marrjen e masave paraprake nga KLP-së për zhbllokimin e ngërçit që mund të vijë si rrjedhojë e rritjes së numrit të vakancave”, -thuhet në raport.
Megjithatë, Serjani thekson se një tipar në këtë sistem është edhe sjellja joetike e administratës me qytetarët.
“Shpesh ndodh që administrata e ngarkuar me punë administrative sillet në mënyrë jo etike me qytetarët. Një qytetar që nuk ka njohuri juridike dhe nuk kupton anën proceduriale e ka shumë të vështirë të informohet në mënyrë të thjeshtë nga ana e administratës. Qytetarit i udhëzohet të shkojë të gjejë avokat edhe për të marr thjesht informacion”, – thekson Gentjan Serjani.
Ndërsa shton se shtimi personelit nëpërmjet studentëve që studiojnë për fushat juridike, apo punë sociale mund të ndihmojë në ofrimin e informacionit në mënyrë të thjeshtë ndaj qytetarëve.
Harta e re gjyqësore, cenim i aksesit në drejtësi
Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë u shpreh para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në javën e parë të qershorit se ishte në favor të hartës së re gjyqësore.
“Unë kam qenë në favor të kësaj harte gjyqësore se e shoh shumë efikase për funksionimin e prokurorisë, administrimin e burimeve njerëzore dhe atyre financiare. Dhe në këtë aspekt unë e shikoj si arritje dhe sot mendoj që të gjitha prokuroritë kanë atë që ju duhet. Padiskutim që mund të kenë gjithmonë e më mirë por mund të kryejnë normalisht funksionet e tyre me të gjithë sektorët mbështetës që kanë në dispozicion”,– u shpreh Olsian Çela.
Pyetjes së kryetares së komisionit, Klotilda Bushka nëse kjo hartë e re ka sjellë lënie jashtë sistemit të një pjese të administratës, Kryeprokurori iu përgjigj se numri është i papërfillshëm.
“Për fat të mirë nga gjithë procesi i ristrukturimit ne sot mund të kemi jo më shumë se 12-13 punonjës të cilët nuk kanë mundur të vazhdojnë marrëdhëniet e punës në zyrat e reja. Dhe po flasim për një organ të madh siç është prokuroria që është një shifër shumë pozitive’, -theksoi Çela.
Çfarë ndryshon me hartën e re gjyqësore?
Më hartën e re gjyqësore kemi ulje të numrit të gjykatave dhe prokurorive të rretheve dhe përqendrim të tyre në disa qytete kryesore. Kjo hartë e re gjyqësore u propozua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa u miratua në korrik të vitit 2022, pavarësisht kundërshtive të avokatëve dhe grupeve të interesit.
Ndryshimet përkojnë në bashkimin e Gjykatës së Matit me atë të Dibrës, Gjykata e Kavajës dhe e Krujës bashkohet me atë të Durrësit, e Lushnjës bashkohet me të Fierit, Saranda dhe Përmeti bashkohen me Gjykatën e Gjirokastrës, Gjykata e Tropojës bashkohet me atë të Kukësit, ajo e Pogradecit me të Korçës, Kurbini me të Lezhës dhe Gjykata e Pukës me atë të Shkodrës.
Po ashtu, përmes hartës së re gjyqësore nga gjashtë Gjykata Administrative të Shkallës së Parë që janë ekzistuese, reduktohen në dy Gjykata, të cilat do të jenë në Tiranë dhe Lushnjë. Ndërsa parashikohet edhe ekzistenca e vetëm një Gjykate Apeli me qendër në Tiranë.
Në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur në shkurt të këtij viti nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile u analizuan efektet që kjo hartë e re gjyqësore do të ketë.
Shqetësuese sipas Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Heslinkit mbetet funksionimi i vetëm një Gjykate të Apelit në rang kombëtar. Ndërsa theksoi se pasojat do të jenë më të rënda për grupet vulnërabël.
“Vlerësimi i hartës së re nuk analizon varfërinë në vend dhe as cilësinë e transportit në vend, mjetet e munguara të transportit në disa zona të thella rurale dhe aksesin e grupeve të disavantazhuara ekonomikisht”, – theksoi Skëndaj.
Sipas KSHH-së harta u miratua pa proces konsultimi, ndërsa Zëvendës Ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta theksoi se ashtu si reformat e tjera, kërkon kohë për të prodhuar rezultate.
“Rezultatet e vetingut kanë arritur deri ty sa 67% e administratës që janë betuar nuk kanë rezultuar të denjë për të mbajtur pozicionin e tyre. Ky është një rezultat shumë pozitiv se ka pastruar sistemin e drejtësisë”, – u shpreh Klajdi Karameta.
Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit miratimi i kësaj hartë e re është shoqëruar me disa probleme sikurse:
- Mungesën e transparencës kundrejt publikut
- Mungesën e një procesi konsultativ gjithëpërfshirës gjatë fazës së raportimit të vlerësimit nga ky grup
- Mungesën e një studimi apo vlerësimi objektiv dhe të gjithanshëm, me avantazhet dhe disavantazhet e ri-organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave të tyre.
Ndërsa sipas raportit pasojat prekin drejtpërdrejt grupet vulnerabël.
“Distanca e largët nga gjykata vlerësohet si pengesë kryesore për aksesin në drejtësi, e cila ndikon në mënyrë joproporcionale te njerëzit e varfër dhe në nevojë, duke përfshirë këtu edhe gratë apo banorët e zonave rruale që nuk kanë akses në mjetet e transportit”, -thuhet në raport.
Propozime për ndryshime ligjore në reformën në drejtësi
Në korrik të vitit 2016, Kuvendi i Shqipërisë miraoti në mënyrë unanime një paketë ndryshimesh kushtetuese, të cilat hodhën themelet për krijimin e një sistemi të ri të drjejtësisë në vend.
Pas shtatë vitesh tanimë, organet e reja të drejtësisë vijojnë që të kenë problematika sa i përket funksionimit të tyre, nisur edhe me funksionimin e vendeve vakante me gjyqtarë e prokurorë për shkak të vetingut.
Megjithatë së fundmi është ngritur një grup pune i përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës për të përgatitur një tjetër paketë ndryshimesh për ligjet e reformës në drejtësi. Projektligje këto të cilat lidhen me disa ndryshime në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë, organizimin e pushtetit gjyqësor si dhe për organizimin dhe funskionimin e prokurorisë.
Sipas organeve të drejtësisë që raportuan pranë Komisionit të Ligjeve, këto propozime tentojnë të plotësojnë vendet vakante me gjyqtarë, inspektorë dhe këshilltarë ligjorë.
Mes tyre një prej propozimeve ka të bëjë edhe me lejimin e magjistratëve që të punojnë si gjyqtarë në vitin e tretë të shkollës, duke gjykuar çështje me kompleksitet të ulët. Ndërsa për këshilltarët ligjorë do të shihet mundësia që t’u jepet e drejta për t’u bërë gjyqtarë pas 5 viteve përvoje pune në sistem.
Shënim: Për shembullin e sjellë në krye të artikullit janë përdorur iniciale të emrave, për ruajtje të konfidencialitetit.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).