Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Indiferenca institucionale ndërpret pas dy dekadash “Netët e muzikës klasike” në Durrës

Për herë të parë pas 20 viteve, nuk do të mbahet më në Durrës Bienalja e “Netëve të muzikës klasike”. Edhe pse me një program të përfunduar për t’u performuar nga data 1 deri më 7 gusht, drejtori artistik Florian Vlashi ka lajmëruar ndëprejrjen e këtij edicioni. Në këtë Bienale ishin programuar të përfshiheshin artistë të njohur të muzikës ndërkombëtare. Një prej tyre ishte muzikologu italian Domenico Morgante, i cili e ka cilësuar kriminale mosmarrjen në mbështetje nga institucionet këtë festival.

Drejtori Artistik Florian Vlashi

Në një intervistë për Citizens Channel violinisti dhe dirigjenti Florian Vlashi rrëfen se pse kjo situatë ishte e paralajmëruar për të dhe sesi kjo ngjarje ndikon të gjithë jetën kulturore e artistike në vend.

  • Cilat ishin shkaqet që sollën mbylljen e “Netëve të Muzikës Klasike”?

Kur ndodh diçka e tillë, është një kompleks gjërash por me një arsye dominuese. Për realizimin e një festivali të këtyre karakteristikave është një punë e gjatë që fillon me idenë e ndërtohet përgjatë dy viteve, deri tek realizimi. Për këtë të fundit, pra realizimin, na duhen të paktën 100 ditë intensive pune. Përpara se të nisnim 100-ditëshin e fundit, për habinë tonë (jo dhe aq), u ndeshëm me një shpërfillje nga institucionet. Kur koha e pritjes së përgjigjes mbi aprovimin e buxhetit arriti në “zonën e kuqe”, pra kur mbeteshin vetëm 50 ditë përpara fillimit të festivalit, u konsultova me grupin  drejtues të Bienales dhe vendosa të tërhiqesha. Kjo pritje pa limit, përveç se e turpshme, u bënte shumë dëm artistëve për organizimin e axhendave të tyre koncertore.

  • Pse e cilësoni si një proces të paralajmëruar?

Sepse ky vendim nuk erdhi papritur e pa kujtuar, por si akumulim i lodhjes ndër vite duke u ndeshur me 1001 probleme të cilat, nga  indiferenca e institucioneve, shumëfishoheshin frikshëm. Me besoni, kur nuk është e lehtë të organizosh një koncert në Shqipëri, imagjinoni një festival. Po në 20 vite?

Menduam se pas dy dekadash gjërat do ndryshonin dhe Bienalia, duke u kthyer në traditë, do te hynte në kalendarin e aktiviteteve të qëndrueshme  si të gjitha festivalet serioze në botë, e do te kishte mbrojtjen e organeve shteterore me një buxhet fiks si një e mirë kulturore për qytetin dhe për vendin. Por nuk ndodhi kështu. Në keto kushte, për të mbajtur nivelin shumë lartë të festivalit, na duhej  nje sforcim i madh si nga ana muzikore dhe nga ajo ekonomike, që kërkonte vazhdimisht një punë mbinjerëzore. Gjatë 20 viteve kaluam 5 kryetare bashkie dhe rrezistuam.  Dhe vjen nje ditë që lodhesh. Dhe vjen një ditë  që ndalon, që thyhesh.

Para disa vitesh, gjatë nje interviste që dhashë me gazetarin Gëzim Kabashi, kujtoj që zhvillohet ky dialog: “Ti lë pushimet e vetme që ke me familjen gjatë vitit, e vini të gjithë nga Nica për të bërë prova e koncerte në Durrës në periudhën më të nxehtë. Përse e bën këtë gjë? – Akoma nuk e keni kuptuar ju? – Jo! – As unë…”  Dhe unë akoma nuk e kam kuptuar se përse e bëj, por kam kuptuar të kundërtën, se përse nuk duhet ta bëj më.

  • Cili është emocioni mbizotërues këtë vit në të cilin nuk do luani muzikë për artdashësit?

Nga sa kam lexuar tek komentet e artdashësve aty mbizotërojnë dy fjalë: Trishtim dhe turp. Të gjitha reagimet i kam ruajtur sepse secili prej tyre ka një të vërtetë brenda. Ato bëjnë pjesë tashmë tek historiku i festivalit.

Nga ana ime kam një ndjenjë komplekse ndërmjet deshtimit dhe çlirimit. Dështim, sepse nuk mundëm të krijonim një festë të muzikës klasike të përhershme, që të vazhdonte ndër breza si të gjitha festivalet serioze, si ai i Granadës që ka 70 vite apo i Salsburgut që ka 100. Festivalet lindin në një moment historik dhe pastaj vazhdojnë jetën e tyre.  Por kjo varet shume nga koordinatat gjeografike ku zhvillohen.

Në rastin e Bienales më pëlqen të kujtoj një detaj të bukur familjar: Në koncertin e parë  në 2003 ime shoqe Rediana ishte shtatzënë me Martinin. Më kujtohet si i lëvizte violinçeli gjatë lojës. Martini edhe pak mbush 20 vjeç dhe do fillojë jetën e tij studentore të pavarur nëpër botë me violonçelin në dorë. Kështu edhe festivalet, librat  apo veprat e artit. Ato kanë jetën e tyre të pavarur nga krijuesi. Kjo duhej të ndodhte me Bienalen; ajo duhej t’i takonte tashmë qytetit. Por…

Ndërsa ndjej çlirim sepse kam shumë plane, projekte e koncerte në Spanjë që kërkojnë kohë dhe impenjim të madh. Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Dhe kjo gjë nuk më jep aq trishtim. A e dini pse? Sepse kur kthej koken pas në këto 20 vite dhe shikoj se çfarë është bërë, them – Sa mirë që ndodhi. Ja vlejti!

  • A keni diskutuar me institucionet ndonjë zgjidhje alternative?

Nuk mund të ketë diskutim kur nga ana tjetër e tryezës nuk ka njeri. Por, kur ka dëshirë, gjithmonë gjendet rruga e duhur.

Ajo që mua më preokupon është mungesa e transparencës. Institucionet publike duhet të jenë me kartat e hapura. Duhet të publikohen shifrat e financimit të projekteve, fituesit e tyre, emrat e jurisë. Po, po, emrat e anëtarëve të jurisë nuk duhet të jenë sekret. Në Spanjë, unë kam marrë pjesë në shumë juri çmimesh për kompozicion apo dhe tek komisionet e konkurseve për bursa studimi për të rinjtë me një buxhet të konsiderueshëm vjetor prej 180.000 €. Emrat tanë si juri publikohen në faqet zyrtare te institucioneve. Transparenca është themelore për të krijuar besim. Fshehja krijon dyshimin. P.sh. Bienalia është financuar ndër vite me shifrën prej 300.000 lekësh. Sa ka qenë shifra për festivalet e tjera? Kush janë anëtarët e komisionit në Ministrinë e Kulturës që vendosën fatin e festivalit tonë në këtë vit jubilar? A ka pasur ndonjë prej tyre muzikant?

  • Sa artistë preken nga kjo mbyllje e festivalit dhe si?

Preken të paktën 100 artistë. Një orkestër sinfonike, dy kore si dhe solistët. Nuk është aspak profesionale mungesa e seriozitetit kur bëhet fjalë për kontrata koncertesh. A e kuptoni tani sa komike dhe e papranueshme është kur vendoset gjithçka pa u ditur se sa do jetë financimi.

Me vjen keq sidomos për Masterclass-et  me solistët e Deutsche Symphonie-Orchester Berlin. Do ishte një portë gjigande për instrumentistët e rinj shqiptarë. Ndërsa për  konkursin e Talenteve të Reja që organizoj unë bashkë me time shoqe, ai do të  mbahet, sepse nuk varet nga askush tjetër veç nesh. Duhet të jetë konkursi i vetëm në Shqipëri që financohet nga dy muzikantë për një shkollë të vetme, për shkollën ku mësuan të vendosin duart në instrument. Kjo gjë më mallëngjen.

  • Sa vleresohet kultura në këto kushte në vendin tonë?

Ka një gabim të madh që shpesh e ngatërrojmë kulturën me spektaklin. Kultura është tjetër gjë, nuk është art masiv. Institucionet duhet ta konsiderojnë kulturën thelbësore në jetën e një kombi, si e Drejtë Themelore e Njerëzve,  siç e deklaroi së fundi Senati né Spanjë. Vetëm kështu “blindohet” kultura dhe e ardhmja.

Ka një histori shumë domethënëse me Churchill-in. Gjatë Luftës II Botërore i thanë se duhet të bënin shkurtime në kulturë sepse ishin në lufte. Ai u pergjigj “Shkurtime në kulturë? Po për çfarë po luftojmë ne?”

Për t’u kthyer në temën e bisedës sonë mbi Bienalen e Muzikës; nga shumë mesazhe që kam marrë dhe nga ato që janë shkruar në rrjetet shoqërore, të cilat mund të konsultohen ne web, jam prekur shumë nga fryma e solidaritetit, sidomos kur më shkruanin “Bienalia duhet të vijë në Durrës jo për ty por për ne” apo “Durrësi ynë mijëvjeçar kulturor bëhet më i bukur me Bienalen e Muzikës Klasike”.

Kjo dëshmon diçka të madhe… Më sjell ndër mend ngjarjen e vitin 1967 ku qytetarët e Bazelit në Zvicër dolën në rrugë me pankarta për t’i  kërkuar Bashkisë që të blinte me fondet publike dy kuadro të Picasso-s: “Arlekini i ulur” dhe “Dy vëllezerit” të cilët ishin në shitje nga një koleksionist privat. Pas një referendumi popullor të dy kryeveprat mbetën në Bazel. Picasso, i prekur shumë nga kjo histori, i dhuroi qytetit edhe katër vepra të tjera…

Mesimi i gjeniut është se Artin e vërtet duhet ta meritosh. Dhe Durrësi e meriton. E meriton më shumë se kushdo tjetër. Ka tre mijë vjet që e meriton.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *