Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studentët e mjekësisë kundërshtojnë propozimin për të punuar tre vite në Shqipëri pas diplomimit

Dhjetëra studentë të mjekësisë protestuan sot para universitetit të tyre kundër draft-propozimit të paraqitur nga Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Rektorati i Universitetit të Mjekësisë.

Draft-propozimi parashikon lidhjen e një kontrate mes studentët që i detyron ata që pas përfundimit të studimeve të punojnë minimalisht tri vite në Shqipëri pas diplomimit, ose përndryshe duhet të paguajnë tarifën e plotë të studimeve dhe jo 1/13 sikurse paguajnë deri më tani.

“Të nënshkruhet një marrëveshje paraprakisht me universitetin dhe me dy ministritë që pas studimeve ju do të qëndroni të jepni minimum tre vite kontribut për Shqipërinë, për shoqërinë, për atdheun. Se është edhe patriotike kjo, veç të tjerave. Nëse ka nga ata që nuk janë dakord me këtë alternativë, atëherë mund t’i propozohet çmimi real, kostoja reale, pra të paguajë tarifën jo 1/13, por tarifën, koston reale të studimeve”,-u shpreh ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një takim me studentët e mjekësisë pak ditë më parë.

Studentët shprehen se janë gjendur në befasi nga ky propozim.

Student, viti i pestë

“Kemi pasur disa takime që janë bërë me studentët, në fakt pa lajmërim nga Ministrja e Arsimit dhe Ministrja e Shëndetësise dhe Rektorati dhe jemi gjendur pabesisht përballë në drafti, i cili na vë neve para detyrimit për të paguar një tarife, e cila shkon diku te 5 mijë euro afërsisht nga llogaritjet që janë bërë dhe nëse nuk paguajmë këtë tarifë atëherë ne jemi të detyruar të qendrojmë tre vite në Shqipëri. Por jo vetëm kaq, por të punojmë në ato vende që shteti mendon se është e nevojshme”,-u shpreh një nga studentët e vitit të pestë në mjekësi të përgjithshme. 

Studentët deklaruan sot se kjo nuk është zgjedhja e duhur, ndërsa tarifa prej 5 mijë eurosh në vit nëse nuk pranojnë të punojnë tri vite pas diplomimit është një shifër e majme për ta.

Leximi i deklaratës së studentëve të mjekësisë

“Së pari, detyrimi në një formë apo në një tjetër i mjekëve për të qëndruar e për të punuar në vend pas studimeve bie ndesh me një prej parimeve themelore demokratike, ajo e lëvizjes së lirë dhe ushtrimit të profesionit në çdo vend ku ofrohen kushtet dhe mundësitë. Së dyti, ne na duket e pakuptimtë që ajo që u shpreh nga ana e dy ministreve që shkollimi i një studenti i kushton shtetit më shumë se 5 mijë euro. Ndërkohë arsimi që ne marrim nuk vlen kaq. Së treti, tarifa e përcaktuar për të paguar në këmbim të lirisë për të lëvizur është krejtësisht absurde. Më shumë se 5 mijë euro në një kohë kur rroga mesatare në vend është 10 herë më e ulët. Studenti gjendet thjesht i venë me shpatulla pas murit dhe i pafuqishëm financiarisht për të përballuar pagesën e kësaj tarife”,-argumentuan përmes një deklarate të përbashkët studentët.

Erisa Osmani, studente e vitit të katërt në mjekësi të përgjithshme u shpreh për Citizens Channel se ky propozim ndikon edhe te ata që duan të specializohen jashtë vendit.

Erisa Osmani, studente e vitit të katërt, mjekësi e përgjithshme

Kjo na kufizon sepse jo të gjithë e vendosin që në fillimin e gjashtë vjeçarit rrugën e karrierës së tyre. Kjo na kufizon sepse nuk dimë çfarë të bëjmë dhe nuk dimë se çfarë vendimi të marrim për karrierën tonë, sepse shumica kanë aspirate që të largohen për specializimin, por të rikthehen në vendin e tyre, duke marrë parasysh që specializimet jashtë janë të një niveli tjetër, që të jemi realistë”,- u shpreh Erisa.

Sipas saj, mbajtja e mjekëve në Shqipëri nuk bëhet përmes propozimeve të tilla, por përmes politikave të duhura motivuese.

“Nuk mendojmë se e frenon, kjo është edhe kauza për të cilën po ngrihemi. Jemi dakord që ka një mungesë mjekësh dhe kjo nuk do të thotë që ne duam të largohemi jashtë vendit. Por duam që të qëndrojmë këtu me anë të motivimit dhe politikave të duhura siç është rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe jo detyrimi. Duam që të na motivojnë dhe jo të na detyrojnë”. 

Për Rei Halulin, student i vitit të tretë për mjekësi të përgjithshme, e drejta për të zgjedhur vetë vendin e punës është një e drejtë kushtetuese.

“Ne nuk na duket e arsyeshme sepse kushtet në të cilat ne arsimohemi nuk përputhen me këtë tarifë dhe normalisht jemi duke e kundërshtuar. Menjëherë kërkuam një sqarim të mëtejshëm nga ana e ministrive për të pasur draftin se çfarë është duke u folur. Na thanë që ende nuk ka një draft, jemi në procesin e propozimit dhe do duam që ky propozim të hidhet poshtë pa kaluar në draft dhe pa u ndërmarrë hapa të tjera të cilat do të ishin prerje në besë për ne sepse kemi firmosur për diçka tjetër, ligji nuk ka efekt prapaveprues dhe ne në bazë të kushtetutës së Shqipërisë kemi të drejtë që të zgjedhim vetë vendin e punës atje ku ne ta shikojmë më mirë”,-argumenton Rei.

Sipas tij, ikja e mjekëve duhet frenuar përmes një sërë nismash konkrete.

Rei Haluli, student i vitit të tretë, mjekësi e përgjithshme.

“Mjekët mbahen duke u paguar kuotat e specializimeve 100%. Specializantët bëjnë punë të papaguar. Pas mbarimit të ciklit gjashtë vjeçar ne specializohemi edhe katër vite të tjera në specialitetin që kemi dëshirë dhe 70% e tyre nuk paguhen në masë. Mbahen duke u rritur rrogat. Jo rritje 20 mijë lek-30 mijë lek, sepse askush prej neve nuk bën 10 vite shkollë sepse e dinë që shkolla e mjekësisë zgjat 10 vite për tu paguar me një pagë 600-700 mijë lek. Ndaj dhe kërkojmë rritjen e pagave, trajtimin me dinjitet te mjekëve. Jo arrestimi i mjekëve në mënyrë më flagrante siç është bërë me shumë mjekë”,-përfundon ai. 

Në fillim të vitit 2023, Kryeministri Rama në një takim me studentët ekselentë, ndryshe nga më herët ku ende nuk ishte pranuar largimi masiv i bluzëve të bardha hodhi në diskurs publik idenë e një plani për të mbajtur mjekët në vend.

Sipas të dhënave, nga Shqipëria janë larguar 3400 personel mjekësor, prej të cilëve 2400 janë infermierë dhe 1200 mjekë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *