Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kryeqyteti i ri i ndërtimit”, Durrësi merr kryesinë për lejet, Tirana vijon të mbajë rekordin e sipërfaqes

Në tremujorin e parë të 2023 në Durrës janë dhënë 191 leje ndërtimi. Për herë të parë qyteti bregdetar njeh një numër më të lartë ndërtimesh se Tirana, ku në të njëjtën periudhë u miratuan 79 leje ndërtimi.

Megjithatë kryeqyteti vijon të mbajë rekordin për sa i përket sipërfaqes së ndërtimeve. 79 lejet e miratuara në Tiranë do të kenë një sipërfaqe prej thuajse 200 mijë m2, në raport me 102 mijë metrat e miratuara në Durrës.

Urbanisti Artan Kacani rendit disa nga faktorët që kanë ndikuar në dhënien e këtyre lejeve të ndërtimit. Arsyeja e parë sipas tij janë interesat e larta financiare të investimit në sektorin e turizmit.

“Qyteti Durrësit ka një shtrirje gjeografike tejet të lartë në krahasim me njollën urbane. Pra bashkia qytetit menaxhon një sipërfaqe rurale gati 2/3 e sipërfaqes urbane. Fakti i zhvillimit urban në këtë sasi pra 191 leje ndërtimore nuk është një çudi nëse kuptojmë shtrirjen e madhe gjeografike që ka qyteti ”,-u shpreh Kacani.

Problemi kryesor sipas tij  është a janë përmbushur indikatorët e pasaportave të zhvillimit apo kemi patur një tejkalim të tyre. Gjithashtu ai shton se këto leje janë në përpjesëtim me dëmet mjedisore.

“Kjo lidhet me qytetin bipolar që po krijojmë, nga një krah qyteti i turistëve dhe krahu tjetër qyetti i banorëve dhe këto të fundit i shërbejnë njëkohësisht turistëve dhe punojnë për ata, por jetojnë dy standarde të ndryshme dhe dy modele të ndryshme fizike hapësinore”,- analizon Kacani.

Ai thekson se kemi të bëjmë me një qytet që po krijon një sektor të ri jashtë tij, për të monetizuar një sasi të ardhurash për një periudhë viti dhe duke e vënë në shërbim popullsinë lokale.

“Nuk është se kemi të bëjmë me një përmirësim të jetës së banorëve apo më saktë të punëtorëve të një qyteti që po zhvillohet. Mos harrojmë se po flasim për një qytet që ende vuan probleme thelbësore si mobiliteti dhe uji i pijshëm”,- përfundon Kacani.

Kërkesën për rritje të lejeve të ndërtimit e ka konfirmuar edhe vetë kryetarja e bashkisë Emiriana Sako në çeljen e sezonit turistik.

“Kemi një rritje të numrit të kërkesës për leje ndërtimi për të ndërtuar hotele ndryshe nga sa ka qenë para 10 vjetësh. Në qytetin tonë ka një klimë pritëse të rëndësishme për sa i takon këtij biznesi”,- pohoj Sako.

Në tremujorin e parë 2023 janë miratuar gjithsej 429 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 397 leje të miratuara në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një rritje prej 8,1%.  Nga këto leje ndërtimi 42.7% janë dhënë për ndërtime për banim dhe rezidenca, 42.3% janë dhënë për ndërtesa të tjera (jo rezidente) dhe 15% për punime inxhinierike.

Leje ndërtimi në Tiranë

Por në 2022 Tirana mbajti vendin e parë përsa i takon lejeve të ndërtimit, ku u dhanë rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.

Në një analizë të Citizens Channel u pa se rritja e numrit të lejeve të ndërtimit nuk korrespondon me numrin e popullsisë, pasi që edhe pse ndër vite popullsia e Tiranës është rritur, rritja vjetore e numrit të popullsisë ka qenë në ulje. Por kjo  nuk ka ndodhur me sipërfaqet e lejeve të ndërtimit.

Procesi i ndërtimit në kryeqytet është parë nga ekspertët si një formë e pastrimit të parave. E gjitha kjo në kurriz të trashëgimisë së Tiranës dhe hapësirave të gjelbra.

Një investigim i Citizens Channel, publikuar në maj të 2021 shpjegon si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *