Organizatat ndërkombëtare të medias dënuan sulmin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt ndaj gazetares Ola Xama, pas publikimit të një artikulli që tregon se projekti i koncesionit për trajtimin e mbetjeve ishte nismë e institucionit që Veliaj drejton.
Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Europaine e Gazetarëve dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt i kërkuan Veliajt që të ndalë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve dhë të trajtojë punën e tyre me respekt.
🇦🇱 We share the same concern as @EFJEUROPE. @erionveliaj is known among media orgs for regularly attacking professional and independent journalists and activists. We call on Veliaj to stop attacking journalists, offer them access to information, and respect their work.@CFWIJ https://t.co/r2XQCVDvx1
— European Centre for Press and Media Freedom (@ECPMF) July 15, 2023
Gazetarja Ola Xama publikoi detaje të dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme ku zbulohej roli i kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj si propozues PPP-së që u finalizua me kontratën e inceneratorit të Tiranës.
Gazetarja Xama deklaroi se Bashkia Tiranë dhe Veliaj nuk pranuan t’i përgjigjeshin kërkesës për koment, ndërsa shtoi se një ditë pas publikimit të shkrimit kryetari i Bashkisë Tiranë e ka kërcënuar përmes mesazheve në WhatsApp.
“Pasi më quajti “njeri që nuk njoh turpin” dhe “killer me pagesë”, i mbylli mesazhet kërcënuese me përshëndetjen “Fundjavë të mbarë”. Në fundjavë, gazetat që i shërbejnë, më sulmuan duke më quajtur… “killer me pagesë”. Fundjava vazhdoi me një fushatë sulmesh e shpifjesh ndaj meje në mediat sociale dhe forumet online nga një ushtri komentuesish të koordinuar”, ka shkruar Xama në profilin e saj në Facebook.
Sekretari i Përgjithshëm i EFJ Ricardo Gutierrez e dënoi gjithashtu sulmin e Veliajt ndaj Xamës përmes një postimi në Twitter, duke përdorur fjalët “Mjaft më”.
#Albania: Tirana mayor @erionveliaj can’t stop denigrating journalists who dare to hold him accountable. He called BIRN journalist Ola Xama a “contract killer” after she wrote about a disputed waste management project in Tirana. Mr Veliaj, stop denigrating journalists. Mjaft Më.
— Ricardo Gutiérrez (@Molenews1) July 15, 2023
“Të quash një gazetar ‘killer me pagesë’ është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike. Përdorimi i fjalëve të tilla rrezikon seriozisht Ola Xamën dhe dekurajon atë dhe gazetarët e tjerë që të kryejnë punën e tyre në interes të publikut,” deklaroi ai.
Bashkia Tiranë dhe Erion Veliaj ende nuk kanë mbajtur një qëndrim publik për këtë çështje, Drejtori i Përgjithshëm i Medias dhe Komunikimit në Bashkinë Tiranë, Renato Kalemi i është drejtuar me një sqarim Gutierrez, pas reagimit të këtij të fundit.
“Pas publikimit të artikullit, Bashkia e Tiranës kontaktoi Ola Xama, duke e vënë në dijeni për pasaktësitë e rënda të konstatuara në artikull dhe duke i kërkuar që ajo, në dritën e informacioneve të reja, të pasqyronte me saktësi qëndrimet tona për këtë çështje për të siguruar një informim të drejtë publik. Zonja Xama fillimisht premtoi se do të portretizonte përgjigjen tonë, por me keqardhje ju njoftojmë se kërkesa jonë për paraqitje të saktë të fakteve deri në këtë moment ka rënë në vesh të shurdhër. Kjo bie ndesh me parimet themelore të gazetarisë – transparencën”, shprehet Kalemi në reagimin drejtuar Gutierrez.
Dear Mr. Gutiérrez, (@Molenews1)
In this response to you and the journalists’ federation you represent (@EFJEUROPE), we wish to express our regret over a recent statement posted on your official Facebook & Twitter page. This statement unfortunately seems to reflect either a…
— Renato Kalemi (@renatokalemi) July 15, 2023
Xama sqaroi se deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje nga Bashkia Tiranë dhe e vetmja përgjigje që mori ishin kërcënimet e Veliajt. Bashkia e Tiranës ende nuk i ka publikuar faktet që pretendon se përgënjeshtrojnë artikullin e Xamës.
Përfaqësuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, Blerjana Bino u shpreh për Citizens Channel se qasja e Veliajt është intimiduese dhe me qëllim për të kërcënuar. Ajo shprehet se sulmi i tij nuk është vetëm ndaj gazetarës dhe medias ku u publikua artikulli, por ndaj gazetarisë investigative në tërësi, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që Veliaj sulmon gazertarët.
Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt
“Ky sulm tregon edhe atë përpjekën për të shkatërruar çdo iniciativë që i kërkon llogari pushtetit në Shqipëri, dhe në këtë rast që i kërkon llogari Erion Veliajt kryetarit të Bashkisë Tiranë. Sepse është pikërisht kjo nuk është thjesht çështja te shkrimi dhe të dhënat që nxjerr por përpjekja e tij, qasja e tij është për të heshtur totalisht median dhe sidomos atë që përpiqet që të mbaj pushtetin e tij në llogari, pra ti kërkoj llogari dhe të bëj transparencë”, u shpreh Bino.
Më tej ajo sjell në vëmendje dhe raportin e Bashkisë Tiranë me mediat në tërësi. Përpos sulmeve personale të Veliaj ndaj gazetarëve dhe mediave, apo faqeve satirike si në rastin e Lolitës gjatë fushatës zgjedhore, Bashkia Tiranë është e mbyllur për dhënie informacioni.
“Bashkia Tiranë është tërësisht e mbyllur ndaj mediave, pra ne kemi në raportet tona jo vetëm dëshmi nga rastet e kësaj media dhe kësaj gazetare që po flasim por në tërësi ka mungesë në dhënien e informacionit nga Bashkia Tiranë, mungesë informacioni në rast kërkesë dhe refuzim të dhënies së një komenti, dhe pastaj ka vetëm reagime dhe kërcënime pasi shkrimet janë botuar”, shton Bino.
Më tej ajo shprehet se elementi tjetër që e përforcon mbylljen e Bashkisë Tiranë ndaj medias, është që institucioni nuk mban asnjëherë konferenca për shtyp, përjashtuar rastet kur sulmon gazetarët, mediat apo platformat e tjera kritike online.
Një rast i ngjashëm ku Veliaj mbajti një ceremoni private dhe ndaloi hyrjen e medias për një çështje me interes të lartë publik, është ceremonia për çeljen e punimeve të Teatrit Kombëtar.
Dhjetra forca policie rrethuan të gjitha hyrjet që të dërgonin tek sheshi ku dikur ndodhej Teatri Kombëtar. Kryeministri Edi Rama, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, së bashku me disa aktorë dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë inauguruan ndërtimin e Teatrit të ri në një ceremoni të mbyllur.
Mediat dhe qytetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë si e as të shihnin ceremoninë nga larg. Ngjarja u transmetua vetëm nga regjia e ERTV (kanali i Kryeministrit në Facebook), me një mungesë transparence për publikun.
“Veliaj pretendon që bën aktivitete publike por ndërkohë ato raportohen nga një regji qendrore e tij dhe transmetohen njësoj në të gjitha mediat dhe nuk lejon asnjëherë reporterët e terrenit dhe gazetarët që të japin versionin e tyre të eventit publik. Në tërësi qasja e Veliajt si kryetar bashkie ndaj medias ka qenë problematike, është përmendur shpesh herë në të gjitha raportet që ne kemi nxjerr si rrjet që nga 2020 por edhe nga raportet e tjera ndërkombëtarë gjithmonë kanë reaguar. Kështu që sulmi ndaj Olës nuk është vetëm ndaj Olës, është në tërësi ndaj këtij modeli gazetarie”, përmbyll Bino.
Veliaj në krye të Bashkisë Tiranë dhe sulmet ndaj medias
Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj është kritikuar në raportet ndërkombëtare por dhe nga organizatat e tjera mediatike për gjuhën intimiduese dhe kërcënuese ndaj gazetarëve.
Që nga 2016 kur ai mori mandatin e parë dhe deri në mandatin e tretë, Veliaj është kritikuar për sulmet ndaj gazetarëve.
Përpos sulmeve personale të tij dhe Bashkia Tiranë mbetet një ndër institucionet më të mbyllura për mediat. Në 2016 një ekip gazetarësh investigativ zbuluan fshehjen e aksidentit të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, ku ishte i përfshirë Veliaj, një emër që do e shoqëronte atë për vite me radhë.
Gazetarja Alida Tota që punoi mbi dokumentarin u pushua nga puna nga A1 TV dhe akuzoi se Veliaj kishte ndërhyrë për pushimin e saj. Të njëjtin fat pati edhe gazetari Artan Rama, asokohe drejtuesi i emisionit Publicus në Vizion Plus. Ai punoi mbi të njëjtën ngjarje dhe bëri me dije se televizioni në fjalë e bllokoi transmetimin dhe më pas Rama u pushua nga puna.
Së fundmi Veliaj kërcënoi drejtuesit e dy faqeve online Lolita dhe JOQ. Ne një dalje për mediat, Veliaj publikoi emrat dhe informacione private për dy persona që sipas tij janë drejtuesit e këtyre dy faqeve online.
Edhe në rastin e Agon Channel dhe Francesco Becchettit, përmendet sërish emri i Veliajt.
Për mbylljen e TV Agon Channel përmendet implikimi i Veliaj kur shërbente si ministër i Punës. Kamerat e Agon Channel shkuan të filmonin dasmën e Veliajt dhe në vendimin e gjykatës së arbitrazhit të Bankës Botërore, rezulton se Veliaj ka kërcënuar gazetaren Sonila Meço, që punonte asokohe në Agon Channel që të mos e transmetonte dasmën e tij.
Agon Channel u mbyll, por ka fituar gjyqin prej 110 milion lekësh dhe në vendimin e gjyaktës argumentohet se sjellja kërcënuese e Veliajt ka luajtur rol në vendimin pro Agon Channel.
Një tjetër tentativë censure nga Veliaj është rasti i gazetares Beti Njuma, e cila raportonte për Teatrin Kombëtar. Veliaj i kërkonte pronarit të Ora News që të ndalonte gazetaren në raportimin e çështjes.
Dy gazetarët e Ora News Isa Myzyraj dhe Ronaldo Sharka janë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht nga shoqëruesit e kryebashkiakut teksa tentonin të merrnin një koment nga Veliaj.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.