Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Librazhd: Shtëpia-muze e Luginës së Shkumbinit

Mallëngjimi afrohet me motorin e tij në ish-stacionin e trenit në Librazhd, ndërsa tenton të na dallojë mes njerëzve të tjerë aty pari.

Dëshirës sonë për të vizituar shtëpinë e tij iu përgjigj pozitivisht pa hezituar, edhe pse komunikimi me mediat për të është një risi së fundmi.

Shtëpia e tij tre katëshe, qëndron në majë të një kodre, pak minuta nga stacioni i trenit. Mungesa e rrugës e bën më të vështirë lëvizjen, sidomos në temperatura të larta. Mirëpo ky rrugëtim shpërblehet menjëherë sapo i afrohemi oborrit të shtëpisë, që i përngjan një pylli të dendur.

Prej 20 vitesh, Mallëngjimi koleksionon objekte antike të zonës, që e kanë kthyer banesën e tij në një muze etnografik të të gjthë Luginës së Shkumbinit.

“Kati 15-20 vite. Një pjesë mi kanë falur, një pjesë i kam blerë, pjesën tjetër e kam gjetur vetë.  Shqiptare janë, pjesa dërrmuese janë tonat. Janë tonat, por janë edhe të vjetra. Tani mund të ketë të kohës së turkut. Mund të ketë të kohës së Bizantit”,-rrëfen Mallëngjimi.

Mallëngjimi nuk di të llogarisë një numër konkret të objekteve të grumbulluara përgjatë këtyre viteve, ndërsa shprehet se janë edhe më shumë seç duken, por të vendosura njëra mbi tjetrën.

Objektet janë dëshmi e riteve, zakoneve dhe traditave të ndjekura brez pas brezi nga kjo zonë e Shqipërisë, duke nisur nga procesi i gatimit, i veshjeve tradicionale, i orendive shtëpiake, monedhave, armëve e të tjera objekte pjesë e jetës së banorëve.

Ke këtu nga krejt zonat tona, ke nga Rrajca, ke nga Çermenika, ke nga Golloborda ke nga Qarrishta. Kjo tjegulla që është këtu, do ta besojë brezi jonë që është bërë me dorë kjo? Këtu lexon, viti 1954. E ka bërë tjetri nga Gizaveshi që i priste tjegullat vetë, biles ka bërë dhe orën këtu. Këtu ke djepet që janë rritur fëmijët më përpara. Ke pastaj gjëra. Hekurin e rrobave që ka qenë në atë kohë me thëngjij të nxehtë dhe hekuroseshin rrobat. Hapet kapaku, mbusheshe me thëngjij edhe nxeheshe e pastaj do të hekurosje. Me këtë piqej buka përpara, vendosej buka këtu. Kjo është tavë mishi që hanin të gjithë në një tavë në atë kohë, që bëheshin dasmat…”,-nxiton të shpjegojë Mallëngjimi teksa kalon përbri çdo objekti.

Shumicat e objekteve ai rrëfen se i ka gjetur me detektorin e metaleve, me të cilin del shpesh të kërkojë nëpër fshatra të kësaj zone. Ndërsa një pjesë tjetër të objekteve tregon se i ka blerë, e të tjera i janë falur duke ditur pasionin e tij për të koleksionuar sende të vjetra.

Ai shpreson dhe ka qëllim kryesor që ky koleksion të shërbejë për të ruajtur traditën te brezat e rinj, për të cilët shprehet se interesi është minimal, deri diku edhe jo ekzistent.

Edhe ideja është që të paktën brezi jonë duhet të mësojë nga vijmë ne. Po të shikosh shumë gjëra këtu…e di brezi jonë që më përpara tundnim me tundëse, tani ke makineri. Biles e ke aty në qosh aty matanë. Të paktën tradita jonë nuk duhet humbur”. 

I pyetur për të veçuar një objekt që për të ka më shumë vlerë apo i është dashur më shumë kohë ta gjejë, ai e sheh të pamundur të bëjë një diferencim. Mirëpo, mes të tjerash arrin të dallojë dy prej tyre, për të cilat i është dashur më shumë kohë për ti pasur.

Është kjo këtu, është gjetur në zonën e Rrajcës, nuk dihet sa vjeçare është. Kjo është prej bronxi. Ke kalorësin me gjithë kalë, me gjithë shpatë këtu. Tani një pjesë thonë që është heroi ynë kombëtar, një pjesë thonë që është Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Tani këtë nuk e përcaktoj dot. Shikoje, është nga të dyja krahët e njëjta. Që më ka ngrënë më shumë kohë, më ka ngrënë edhe kjo këtu. Edhe kjo është gjetur në zonën e Rrajcës. Ka mbishkrimin që është e vitit 1408”,-ndërsa na tregon dy këmbora të ndryshme me detaje të veçanta.

Për Mallëngjimin, lidhja me traditën dhe vetë vendin e tij është përforcuar edhe pasi që prej shumë vitesh nuk ka jetuar në Shqipëri, duke emigruar në Greqi për një ekonomi më të mirë të familjes së tij.

Sepse gjithmonë ne edhe jashtë, mirë tani kohët e fundit, por edhe jashtë ne gjithmonë jemi poshtëruar. Unë në Greqi mund të ketë 28 vite që kam punuar, por kënaqësinë e gjej këtu për një arsye: nuk mundja ta ngrija muzikën time në fund. Pra si vendi im nuk ka”,-shprehet ai.

Librazhdi aktualisht nuk na një muze historik funksional. Përveç godinës e cila ndodhet e mbyllur dhe e rrënuar, asgjë tjetër nuk shërben si vend i dokumentimit të jetesës së banorëve të kësaj zone.

Megjithatë, Mallëngjimi shprehet se nëse një ditë do ti propozohej ti dërgonte këto objekte në një muze të mirëfilltë të bashkisë, do të hezitonte, pasi lidhja me objektet që ai ka është shumë e ngushtë.

Ai rrëfen se ka dëshirë që këtë pasuri t’jua trashëgojë nipërve dhe mbesave të tij, për të cilët me shpoti thotë sepa gënjeshtra, edhe nga varri do ngrihem, i kam shumë me merak”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *