Citizens.al

Raporti: Tkurrja e maturës shtetërore po boshatis universitetet

Matura shtetërore e 2023 ka 7 % më pak nxënës se viti i kaluar, duke humbur kështu 2600 maturantë.

Një monitorim i Qëndresës Qytetare analizon tkurrjen e maturës shtetërore dhe rezultatet e maturantëve në provime.

Sipas analizës, tendenca e tkurrjes me 2600 maturantë në vit pritet që në vitin 2024 të ketë rreth 24 900 maturantë.

“Kjo shpreh situatën në të cilën ndodhet vendi ne lidhje me ikjen masive të të rinjve. Referuar të dhënave të QSHA3 , rreth 39.4% e maturantëve të këtij viti kanë shprehur dëshirën për të studiuar jashtë vendit gjatë plotësimit të formularit A14 “, thuhet në raportin e QQ.

Kjo rënie e numrit të maturantëve reflektohet edhe në shifrat e studentëve në universitete. Çdo vit universitet publike po humbin studentë të cilët zgjedhin të studiojnë jashtë vendit ose i janë drejtuar universiteteve private.

Shqipëria ka gjithsej 40 institucione të arsimit të lartë, ku nga këto 13 janë institucione publike dhe 27 janë institucione private. Këto institucione numërojnë rreth 555 programe studimi me mbi 32 mijë kuota.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2022-2023 janë regjistruar në klasën e 10 rreth 28 mijë nxënës, gati 10% më pak në krahasim me vitin shkollor 2021-2022.

Universitetet publike humbasin gati 3 000 studentë në vit. Sipas një projeksioni në bazë të të dhënave aktuale, brenda vitit 2030 në universitetet publike do të studiojnë 41% më pak studentë.

Nga tkurrja e numrit të studentëve janë prekur më së shumti universitetet e rretheve dhe degë të caktuara, ndaj të cilave qeveria ka vendosur më pas prioritete.

Një muaj më parë Universiteti i Korçës deklaroi shkrirjen me Universitetin e Tiranës, por më pas u tërhoq nga ky vendim.

Në muajin qershor të 2022 Ministria e Arsimit mori një vendim për t’i dhënë çdo studenti ekselent ose që zgjedhë të studiojë në një nga programet prioritare mundësinë e përfitimit të një burse mujore, e cila është e barazvlefshme me pagën minimale (34 000 lekë, nëntor 2022). Përveç shpërblimit mujor, kjo bursë i heq studentëve përfitues edhe detyrimin për të paguar tarifën vjetore.

Qeveria ndërmori këtë si një hap nxitës për të rritur numrin e studentëve në degët prioritare. Janë gjithsej 35 programe studimi të cilat konsiderohen prioritet kombëtar dhe që bëjnë studentët e kategorive të mësipërme përfitues të kësaj burse. Nga një analizë e Qëndresës Qytetare rezultoi se bursa nuk ka patur efekt tek studentët dhe se ata nuk kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit përmes një kërkese për informacion, shihet se nga 2018 deri në 2023 ka nisur një rënie e numrit të studentëve në universitetet publike, teksa ato private kanë pësuar një rritje.

Studentët janë të prirur drejt degëve të cilat kanë treg punësimi jashtë shtetit. Të dhënat tregojnë se në të gjitha programet e studimit në degën “Infermieri” në universitetet publike të vendit, janë ezuruar 92% e kuotave, teksa në programet prioritare janë ezauruar vetëm 27% e këtyre kuotave.

Por edhe pse degë si Infermieria apo mjekësia tërheqin kaq shumë studentë, vendi është duke u përballur me një largim masiv të të sapo diplomuarve.

Sipas të dhënave në vitin 2016 vetëm 67 infermierë ishin pajisur me dokumentacion për t’u larguar ndërsa në 2021, 1073 infermierë. Një anketim i Qëndresës Qytetare tregoi se 52% e studentëve ishin të kënaqur me cilësinë e studimeve që po ndjekin.

Por, të pyetur për të ardhmen e tyre, vetëm 14.5% e të anketuarve e shikonin të ardhmen në Shqipëri. Në lidhje me arsyet e largimit, studentët pohojnë se një nga motivet që i shtyn të zhvendosen janë financat, cilësia e jetesës dhe kushtet më të mira të punës.

Në nëntor të vitit të kaluar qeveria paralajmëroi se do të mbante “peng” diplomat e studentëve të mjekësisë, teksa vetëm këtë muaj ka kaluar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend projektligjin, sipas të cilit studentët që do të nisin vitin akademik në 2023 do të nënshkruajnë një kontratë ku detyrohen të qëndrojnë pesë vite pas përfundimit të shkollës në Shqipëri. Ndërsa diplomën do ta tërheqin vetëm pasi të përfundojnë shërbimin pesë vjeçar.

Kjo solli dhe reagimin e studentëve të cilët protestuan për disa ditë kundër këtij vendimi. Studentët e kanë konsideruar projektligjin të padrejtë, ndërsa kanë bërë një paralelizëm me kushtet në të cilat studiojnë dhe zhvillojnë praktikat

Ata kanë denoncuar mungesën e bibliotekave, sallave të studimit dhe të leksioneve dhe mos zhvillimin e praktikave në qendra apo spitale. Ndërsa kanë deklaruar se do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik nëse projektligji kalon në Kuvend.

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *