Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkia e Tiranës i rriti vetes pagat në “mbledhjen me regji” ku u ndalua hyrja e gazetarëve

Këshilli Bashkiak i Tiranës mbajti të enjten mbledhjen e fundit përpara pushimeve, ku u miratuan 9 vendime.

Sipas nenit 58 të  rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, media ka të drejtën të ndjekë mbledhjet e këshillit.

“Në fund të sallës, për aq vende sa ka salla, zënë vend të ftuarit dhe përfaqësuesit e medias elektronike dhe të shkruar”, thuhet në rregullore.

Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Tiranë për të ndjekur mbledhjen e ditës së djeshme sipas rregullores, por nuk u lejua ta ndjekë atë më argumentin se “mbledhja është me regji dhe mund ta ndiqni online”.

Edhe pas këmbënguljes dhe citimit të rregullores punonjësit e Bashkisë Tiranë nuk na lejuan ta aksesojmë mbledhjen, duke përsëritur se është më regji. Kjo fjali u komunikua nga 4 nëpunës të bashkisë Tiranë teksa tentonim të ndiqnim mbledhjen.

“Ka urdhër nga drejtori i medias në Bashkinë Tiranë dhe kemi probleme teknike, nuk mund ta aksesosh mbledhjen”, u shpreh njëri prej nëpunësve.

Kështu mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës përsëri u mbajt pa praninë e mediave.

Sakaq transmetimi i saj online përmes regjisë ka pasur probleme, ku pas përfundimit të fjalës së kryetarit të bashkisë Erion Veliaj është ndërprerë audio në mënyrë të përsëritur.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak Beti Njuma e ka denoncuar mungesën e transparencës që sjell transmetimi i mbledhjes me regji, duke theksuar rëndësinë e pranisë së medias në mbledhje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo është shprehur se transmetimi online nuk i ka shfaqur pjesët e rëndësishme të mbledhjet, momente kur kryebashkiaku pyetet për inceneratorët.

“Nuk shihej e nuk dëgjohej asgjë pikërisht kur ishte më e nevojshme. Kur këshilltarët e opozitës drejtonin pyetje dhe bënin debat për buxhetin e bashkisë ku çështja më e rëndësishme kishte të bënte me një pyetje së cilës zoti Veliaj nuk iu përgjigj: Sqarimin publikisht për qytetarët që paguajnë taksa se sa para derdhe për inceneratorin e Tiranës nga ky buxhet?”, është shprehur Njuma.

Transmetim i mbledhjes ka vijuar 2 orë pa zë dhe figurë pas përfundimit të mbledhjes.

Këshilli Bashkiak i Tiranës mes mungesës së transparencës ka miratuar ditën e djeshme 8 vendime, ndër to rritjen e pagave për punonjësit e bashkisë.

Këshilli Bashkiak miratoi dje rritjen e pagave për funksionarët dhe punonjësit e niveleve të ndryshme. Paga e kryetarit të Bashkisë u rrit me 82%.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua dhe miratua plani buxhetor afatmesëm 2024-2026.

Sipas këtij plani, Bashkia Tiranë planifikon të japë më shumë leje ndërtimi dhe të rrisë tarifat për çerdhet dhe kopshtet.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak nga Lëvizja Bashkë, Mirela Ruko e ka denoncuar këtë në profilin e saj duke u shprehur se vizioni i bashkisë Tiranë për zhvillimin e qytetit është ai i “Tiranës turistike”, “i cili është modeli i qyteti në shërbim të turizmit dhe jo banorëve, të cilëve ua pamundëson çdo ditë edhe më shumë jetesën”.

Edhe në fjalën e saj në mbledhjen e këshillit, Ruko ka denoncuar rritjen maksimale të pagave për kryetarin dhe funksionarët publik.

Rritja e pagave të funksionarëve të Bashkisë Tiranë vjen pas miratimit me debate të rritjes së pagave për deputetët dhe ministrat.

Më 25 Maj, Parlamenti votoi unanimisht kalimin e projektligjit për “Kompetencat për caktimin e pagave”, sipas të cilit deputetët përfitojnë rritjen më të madhe me 98%. Kjo rritje që thellon edhe me tej pabarazinë e pagave mes funksionarëve publik u kundërshtua vetëm nga tre deputetë të opozitës.

Tre vendime të tjera që u miratuan ditën e djeshme ishin, trajtimi me subvencion qiraje i disa familjeve në nevojë “që nuk përballojnë dot tregun e lirë”. Dhënia e ndihmës financiare për 29 familje që kanë pësuar dëme si pasojë e zjarrit, tërmetit dhe përmbytjeve.

Së fundmi u miratua një projektvendim  “Për emërtimin e institucionit arsimor bazë, me vendndodhje në fshatin Mangull, njësia administrative Petrelë, Tiranë, “Feti Fanaj”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *