Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KLSH: Gratë vijojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregun e punës

Gratë vijojnë të jenë të nënpërfaqësuara, ndërsa pabarazitë gjinore në tregun e punës janë ende të pranishme. Sipas raportit të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gratë në moshë pune të punësuara janë më të pakta në numër krahasuar me burrat përgjatë vitit 2017 deri në 2021.

“Vetëm 50% e grave në moshë pune janë të punësuara në vitin 2017, krahasuar me 64% të burrave në moshë pune të punësuar. Ndërsa në vitin 2018 ky tregues është 52.4% gra krahasuar me 66.7% burra, në vitin 2019 është 54.4% gra kundrejt 68.2% burra dhe në vitin 2021 shikohet një rënie për të dyja gjinitë, për gratë shënoi 54.8% për Burrat në 61.4%, një rënie që është më poshtë se niveli i vitit 2017”, -thuhet në raport.

Ndërsa rënia e punësimit vitet e fundit lidhet edhe me krizat e njëpasnjëshme në tregun e punës për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës dhe më pas të pandemisë.

Qeveria shqiptare ka hartuar dhe miratuar dy strategji për barazinë gjinore, sikurse ajo e vitit 2016 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore për vitet 2016 – 2020” si dhe e vitit 2021 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore për vitet 2021 – 2030”. Të dyja këto mbështetur në Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, ka ende hapësirë për përmirësime sa i takon zbutjes së diferencave mes burrave dhe grave, thekson raporti.

Sipas raportit Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive nuk ka qenë plotësisht efektive për të punësuar gratë, sidomos ato që ndjekin kurse të aftësimit profesional.

“Indeksi i barazisë gjinore për kurset e formimit profesional është 36 – 44% të pjesëmarrësve gra për periudhën 2017 – 2021 dhe rezultatet e punësimit të tyre është 39.7%. Gati 1/2 e të papunëve gra nuk janë regjistruar në zyrat e punës dhe se vetëm 1/3 e të papunëve ju drejtohen zyrave të punës për të kërkuar punë”, –citon raporti.

Raporti thekson se sektori që zë vendin e parë për punësimin e burrave dhe grave është bujqësia, ku punësimi i grave edhe në këtë sektor ka pësuar rënie.

“Për gratë dhe burrat e moshës 15 – 64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2021, në sektorin bujqësor janë 40,0 % e të punësuarave gra, duke pësuar rënie prej 1,4 pikë përqindje, krahasuar me një vit më pare”.

Ndërsa, në sektorin e shërbimeve, tregtisë, transportit e hotelerisë që zë vendin e dytë për punësimin e grave dhe burrave, gratë zënë 30.1% të të punësuarve kundrejt 22.3% të të punësuarve burra.

Vëmendje në raport merr edhe e drejta e pronës. Sipas raportit Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ende nuk ka hartuar Planin e Veprimit për vitin 2022 për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave rurale. Ndërsa raporti thekson se “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka realizuar aktivitete ndërgjegjësuese/këshilluese në zonat rurale dhe urbane me objekt të drejtat e pronësisë mbi tokën bujqësore të grave dhe vajzave, si grupe të përfshira apo të këtë propozuar/miratuar akte ligjore/nënligjore mbi të drejtat e pronësisë, për rrjedhojë ka pranuar “në heshtje” detyrimin e një treguesi të panevojshëm”.

Ndërsa numri i grave të trajnuara në lidhej me ofrimin e teknologjive bujqësore është shumë i vogël nga viti në vit, duke lëvizur na 30 deri në 65 vajza dhe gra.

Po ashtu raporti thekson se buxhetimi i fondeve në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural “realizohet në total dhe jo me bazë gjinore duke mos pasqyruar matjen dhe raportimin e treguesit mbi numrin e grave përfituese nga fondet e skemave kombëtare dhe të IPARD-BE, sipas strategjive të barazisë gjinore”.

Burimi: KLSH

Megjithatë, në periudhën 2020-2022 ka pasur një rritje në 17,5% të numrit të grave përfituese nga skemat kombëtare të fondeve të bujqësisë krahasuar me 14,6% që ishte në periudhën 2017-2019.

Ndonëse krahasuar me përfituesit burra, numri i grave përfituese mbetet ende i vogël.

Burimi: KLSH

Raporti mes të tjerash thekson se nuk ka të dhëna zyrtare nga Ministria e Bujqësisë për fermerët në tërësi e aq më pak për ndarjen gjinore të tyre.

“Nga MBZHR nuk ka një statistikë zyrtare mbi numrin e fermerëve progresivë deri më sot dhe rrjedhimisht nuk ekziston një shifër e saktë se sa nga këta janë burra dhe sa gra si dhe sa fermerë janë me status pasiv për periudhën në auditim”.

Sipas raportit jo në të gjitha institucionet qendrore janë emëruar nëpunës gjinorë duke mos favorizuar zbatimin e strategjive kombëtare për barazinë gjinore veçanërisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke ndikuar kësisoj edhe në ngarkesën e punës për punonjësit e ngarkuar me detyrat e barazisë gjinore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *