Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkodër: Zjarr në vendgrumbullimin ilegal të mbetjeve pranë lumit Kir

Prej disa ditësh djegia e mbetjeve urbane në lagjen “Tepe ” ka shkaktuar një tymnajë e cila është përhapur në të gjithë qytetin e Shkodrës.

“Po jemi ankuar, ka ardhur zjarrfikësja, e ka fikur, prapë u ka ndez, kanë ardhur nja dy – tre ditë rresht ”, – tregon për Citizens Channel Afrim Muhaxhiri i cili jeton vetëm pak metra larg grumbullimit të mbetjeve.

Banorët tregojnë se problemi në këtë pikë grumbullimi mbetjesh është i akumuluar ndër vite.

“Këto plehrat janë tash sa kohë këtu, vinë e i hedhin kohë pa kohë, natën, paradite apo pasdite, as ka kontroll, asnjë send s’ka”, – rrëfen një tjetër banor, Man Trashani.

Pamje nga vend grumbullimi mbetjeve prane brigjeve te lumit Kir

Citizens Channel kontaktoi Drejtorinë e Shërbimeve Publike Shkodër, e cila konfirmon se kjo zonë është një pikë e vjetër ilegale mbetjesh dhe i vetmi vend depozitimi me kontrata të rregullta është landfilli i Bushatit.

“Nuk është zonë në shërbimin e  pastrimit gjithsesi ne kemi bë të mundur në kohe rekord me bë eliminimin, shuarjen e zjarreve dhe mbulimin e sipërfaqes”, – thekson Alfred Luleta, Drejtori i Shërbimeve Publike Shkodër.

Sipas tij nuk ka shtëpi banimi pranë dhe institucioni që drejton është përgjegjës vetëm për pikat e miratuar të mbetjeve në qytet.

Alminda Mema nga shoqata mjedisore “Aahrus” pohon se zjarre vënia mund të ketë qenë e qëllimshme në lagjen e Tepës por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me shkakun e zjarrit.

“Kjo dihet globalisht që ku ka ndotje mjedisore ka ndikim në mjedis, ka ndikim në shëndet, por nuk mund ta themi për rastin konkret përderisa nuk kemi një studim të mirëfilltë”, – konfirmon Mema.

Në 2013 kryetari i komunës së Bushati Zef Hila premtonte se  duke filluar nga data 1 nëntor të gjitha depozitimet e mbetjeve në landfillin e Bushatit do të jenë me tarifë 1 euro.

Me shtimin e dhjetë njësive të reja me reformën e re administrative – territoriale në 2015, menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë e Shkodrës u vështirësua edhe më shumë.

Më 2021 Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës votoi rritjen e tarifës së përpunimit të mbetjeve urbane në landfillin e Bushatit. Shoqëria ndër komunale Bushat kërkoi një rritje e pagesës me 43% të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landfill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar.

Parregullsi me menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit janë konstatuar edhe nga raporti i KLSH – së ku janë kryer pagesa për shpenzime në zbatim të kontratës të lidhur me Shoqërinë “Nder komunale Bushat” sh.a, me objekt “Depozitimi i mbeturinave urbane në vend-depozitimin e përpunimit të mbetjeve të ngurta në Bushat”(Landfill), për vitin 2014 në 3 raste në vlerën 3,498,660 lekë dhe për vitin 2015 në 2 raste në vlerën 51,609 lekë.

Marrja në dorëzim e shërbimit nga komisioni i ngritur për këtë qëllim është bërë me procesverbal formal dhe nuk shoqërohej me grafik ditor të tonazhit të transportuar dhe të depozituar në Landfill, veprime këto në kundërshtim me kushtet e kontratës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *