Lulash Marashi, taksist prej 11 vitesh në Shkodër, protestoi sot së bashku me një grup taksistësh dhe kërkuan ndërhyrjen e policisë në bllokimin e aktivitetit të taksive informale.
“Ata dalin dhe ta marrin bukën para këmbëve”, – thotë për Citizens Channel Marashi. Ai pohon se në Shkodër këtë vit janë shtuar personat që operojnë si taksistë të palicencuar, gjë që ka krijuar edhe konflikte mes tyre.
“Shteti i le të punojnë. Nuk ka mundësi midis Shkodrës të punojë pas meje duke thënë: ‘Hajde Tirana, hajde Lezha’. Unë e kam të shkruar taksi sipër, ai e ka në xham”, – shton më tej Lulash Marashi.
Marashi paguan çdo vit taksa ndaj shtetit shqiptar, ndërsa konkurrenca në të zezë i ka ulur ndjeshëm punën. “Unë kam 11 vjet që i paguaj letrat shtetit shqiptar dhe i kam paguar kot. Jam krejt i pakënaqur me shtetin shqiptar”, – shton ai, i cili pohon se në kushte të tjera do të emigronte.
“Unë nuk kam moshë se në moment e mbyll dhe i them Shqipërisë lamtumirë për sa të jem gjallë”, – përfundon taksisti Lulash Marashi.
Këtë problem e konfirmon edhe Bilbil Cara, Kryetar i Sindikatës Shqiptare të Taksive. Cara shpjegon se ky është një problem i vjetër. “Ne kemi 30 vjet që flasim për këtë punë”, – thotë ai për Citizens Channel.
Ky problem vijon të jetë prezent edhe në Tiranë, por ne rrethe është më i ndjeshëm. “Në rrethe nuk është luftuar shumë ky fenomen, kurse në Tiranë kemi bërë një marrëveshje me shefin e komisariatit të Policisë Rrugore edhe në momentin që taksisti më dërgon me foto, shkon policia dhe u vendos gjoba”, – shpjegon Bilbil Cara.
Neni 85 i Kodit Rrugor përcakton se mjetet që qarkullojnë pa licencë ndëshkohen me masë administrative me gjobë nga 10.000 deri në 100.000 lekë, por mund të zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit apo konfiskimi i mjetit.
Sa i përket Tiranës, Bilbil Cara pohon se kryesisht mjetet e palicencuara që operojnë si taksi qëndrojnë në periferi të qytetit, si në Uzinë Traktori, Sauk, Fresk, Kombinat. Sa i përket rretheve, ai shton se informaliteti po i dëmton shumë taksistët.
“Po qene makinat informale afër, taksitë e licencuara nuk lëvizin derisa të ikin ata. Shkon puna, 60% fitim për taksitë pirate”.
Në Shqipëri operojnë 3800 taksi të licencuara që paguajnë në muaj 21,300 lekë taksa. Në vit kjo vlerë shkon 255,600 lekë që përfshin letrat e makinës, siguracionin e pasagjerit, sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, pagesën e vendqëndrimit të taksisë.
Kryetari i sindikatës sugjeron përdorimin e taksive të licencuara, të cilat janë më të sigurta dhe ekonomike. “Nëse ndodh një aksident në taksi, pasagjeri dëmshpërblehet deri në 200.000 euro nga siguracioni i pasagjerit”, – shton Cara, i cili sqaron se një element tjetër që duhet marrë në konsideratë është siguria.
“Është edhe aspekti i sigurisë, se nuk e di se do të të çojë makina informale”, – përfundon ai.