Studentët e mjekësisë morën sot mbështetje nga Rektori i Universitetit Arben Gjata, për mos paraqitjen e asnjë kontrate për t’u nënshkruar deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Takimi u mbajt sot paradite në ambientet e Rektoratit me një përfaqësi prej 6 studentësh.
“Marrim garanci të plotë nga rektori në paraqitjen e një shkrese brenda të hënës që do të na mbështesë deri në daljen e një vendimi nga gjykata kushtetuese. Marrim po ashtu mbështetjen nga rektori që të mundohemi të rregullojmë orët e humbura të mësimit”,-u shpreh Dea Guri, studente e mjekësisë e njëkohësisht udhëheqëse e protestës.
Sipas studentëve kjo arritje vjen si pasojë e protestave të vazhdueshme në këto 5 muaj.
“Për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe këtij problemi që ne kemi 5 muaj që protestojmë, do të ketë një konsultim juridik nga ana e tyre dhe madje sapo e filluan konsultimin. Ajo që dua t’ju them juve pavarësisht se ne arritëm diçka nga ky takim i sotëm, nuk është falë ditës së sotme, është falë qëndresës suaj për 5 muaj”, – tha përmes megafonit Dea Guri.
Studentët u shprehën se do të rikthehen që sot në mësim nëse është nevoja, ndërsa janë në pritje të marrjes së një shkese zyrtare lidhur me premtimin për mbështetje të rektorit Gjata.
Pasditen e 19 tetorit, studentët dërguan në Gjykatën Kushtetuese ligjin që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri deri në 5 vite pas përfundimit të shkollës.
Prej 5 muajsh, sapo janë njoftuar me projektligjin dhe deri në miratimin e tij ata kanë protestuar në rrugët e Tiranës dhe para Ministrisë së Arsimit kundër kësaj nisme të qeverisë. Prej nisjes zyrtarisht të vitit shkollor akademik, studentët kanë bojkotuar mësimin, ndërsa janë gjendur në protesta në rrugë. Ata e kanë cilësuar ligjin një shkelje të së drejtës për punë dhe jo mënyrën e duhur për të mbajtur në Shqipëri të rinjtë që po largohen.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).