Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Treni Laç-Shkodër kryen udhëtimin e fundit”

Treni i linjës Laç – Shkodër kishte mbetur në stacion që prej 13 qershorit, dita që shënoi të fundit nga 13 të martat e pelegrinazhit drejt kishës së Laçit. Treni u ndez të enjten për herë të fundit, me iniciativën e një grupi të rinjsh çekë, të pasionuar pas hekurudhave që rezervuan udhëtimin.

Pas këtij udhëtimi, hekurudha u mbyll përfundimisht, për t’i lënë vendin premtimit për nisjen e punimeve të projektit të rijetëzimit prej 356 milionë eurosh, që duhet të nisë në 2024.

Ne foto mashinisti Bahri Bebici

“Këtu përjetohet me dhimbje degradimi i kësaj hekurudhe se me këto janë mbajtur familje, janë rritur fëmijët, janë shkolluar, nëpërmjet kësaj pune. Për ne është një minus i madh, kur e sheh se hekurudha ka shkuar në këtë shkallë, por ama nuk varet në dorë punonjësish”,- u shpreh për Citizens Channel mashinisti Bahri Bebici.

Bebici ka punuar për 40 vite në hekurudhën shqiptare por pohon se me kushtet ekzistente të linjës aktuale nuk mund të vijohet.

“Linja është krejt krejt e degraduar, e mbuluar nga ferrat, nga barishtet, nga mungesa e inerteve poshtë, mungesa traversave, kështu që janë edhe mjetet lëvizëse shumë të vjetra, por megjithatë jemi përpjek me shërbimet që kemi”,-vijon ai.

Pikërisht degradimi i këtij niveli tërhoqi vëmendjen e grupit  “Retro Train Cz”,  të cilët e “ringjallën“ trenin për një udhëtim të fundit.

“Ne nuk jemi të interesuar në linja hekurudhore të cilat punojnë çdo orë, apo çdo gjysmë ore me trena operativë, ne na pëlqen të kalojmë një aventurë”,- shpjegon për Citizens Channel i riu Michal Jaros nga Republika Çeke.

Sipas tij, lëvizja në Shqipëri duket e pamundur pa makinë, pasi transporti publik  është goxha problematik.

“Në këto kushte nuk ka shanse që të mbijetojë për të ardhmen. Por të paktën ju keni linjën, për të cilën ka plane ambicioze, sepse ka mundësi për lidhje me qytetin nëse ju e zhvilloni të re dhe kështu mund të ndërlidh të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë”,- përfundon një tjetër përfaqësues i “Retro Train Cz”, Zdenek Mich.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, projekti me vlerë 356 milionë euro

Vlera totale e projektit është 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtarë ku vendi ynë ka kërkuar hua. Kështu të paktën 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, 100 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve.

Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore. Shpallja e këtij njoftimi është bërë në sistemin e BERZH në datë 27 qershor teksa hapja e tenderit është ditën e nesërme.

“Rrënimi i hekurudhës shqiptare” 

Sot Hekurudha Shqiptare administron rreth 351 km shina  nga të cilat mbi 45% janë jashtë funksionit. Katër dekada pas shkëlqimit të hekurudhës, vendit i mungojnë 249 km vijë hekurudhore.

Citizens Channel ka prodhuar një cikël me tre dokumentarë i titulluar “Hekur, pluhur dhe frikë”, të cilët trajtojnë pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *