Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Në pritje të postës”, mungesa e infrastrukturës përjashton personat me aftësi të kufizuar

Aksesi në shërbime mbetet një e drejtë e mohuar për personat me aftësi të kufizuar.

Institucionet publike, që janë të detyruara ligjërisht të përshtasin infrastrukturën për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, mbeten të pa arritshme.

Një ndër këto institucione është Posta Shqiptare që ka një rrjet prej 533 zyrash në të gjithë Shqipërinë, ku qytetarët marrin pensionin, kryejnë pagesa dhe dërgesa postare.

Mungesa e rampave dhe sporteleve të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar e bëjnë më të vështirë marrjen e shërbimeve për këtë komunitet.

Dovlet Xhangoli, banues në qytetin e Kamzës rrëfen se posta e qytetit të tij ka vetëm pak muaj që është pajisur me një rampë.

“Një postë që kemi këtu, kanë bërë një rampë tani, që mund të marrin shërbim, mund të ta aksesojnë karriget me rrota për të hyrë brenda. Ka rreth 3-4 muaj që është zgjidhur si problem, te posta kryesore këtu“.

Personat me aftësi të kufizuar e kanë shërbimin e postës mjaft të rëndësishëm edhe për shkak të marrjes së pagesës mujore së aftësisë së kufizuar në këtë institucion. Gjë e cila vështirësohet për aq kohë sa sportelet mbetet të larta.

“Ndërsa sa për sportelet, sportelet i kemi të paaksesueshme të gjitha, sepse janë të gjitha mbi atë lartësinë që ne mund të marrim shërbim. Detyrohemi pastaj që mundohen punonjëset të na ofrojnë shërbimin jashtë sporteli“,-rrëfen Dovleti.

Sipas Dovletit, këtë gjë e ka ndeshur jo vetëm në Kamëz, por edhe në Tiranë. Ndërsa në kryeqytet, përpos vëmendjes për të vendosur rampa në institucione publike dhe të shërbimit të qytetarëve, sërish numërohen raste pengesash sikurse ajo e shkallëve.

E vetmja mënyrë për të marrë shërbimin në këto raste sipas Dovletit është të detyrohesh të marrësh një shoqërues me vete apo ti kërkosh ndihmën dikujt aty pranë.

Ndrekë Ismajli, kryetar i Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë (SHIPT) shprehet për Citizens Channel se problemi me postat është te aksesi në arritjen te këto institucione. Ndërsa shprehet se në përgjithësi postat kanë vendosur rampa.

“Në përgjithësi postat brenda qytetit të Tiranës janë të aksesueshme, në përgjithësi. Ka tek tuk ndonjë që nuk kanë akoma akses, por që aty gjen zgjidhje duke kërkuar ndihmën e dikujt”,- rrëfen Ndreka.

Sipas tij, këto shërbime zakonisht i kryen kujdestari i personave me aftësi të kufizuar.

“Në përgjithësi grupi jonë ka kujdestar dhe i bën kujdestari këto punë. Duke përjashtuar ndonjë person që është vetë aktiv dhe ai e ngre zërin më shumë dhe ai shkon vetë. Ndërsa rastet e tjera kur kemi kujdestar, shkon kujdestari dhe nuk është shumë problem”,-shprehet Ndreka.

Të lëvizurit lirshëm dhe në mënyrë të pavarur në qytet, për personat me aftësi të kufizuar është një sfidë e përditshme. Edhe në rastet kur institucionet kanë plotësuar standardet duke vendosur minimalisht rampa, vetë qyteti nuk ka infrastrukturën e duhur që t’ju mundësojë marrjen e shërbimeve në postë dhe institucione të tjera.

“Që nga momenti që unë dal nga dera e shtëpisë e deri sa hyj brenda unë e kam kudo pengesë. Kudo. Edhe në qoftë se ka një rampë në trotuar, trotuari nuk e ka në standardin e duhur. Shpeshherë është rampa në trotuar, vazhdon trotuari, në mes të trotuarit është pema. Në mes të trotuarit ndodhet parkimi i makinës, në mes të trotuarit është tjetri që shet me tezga. Ka raste që jam kthyer në mes të trotuarit, jam kthyer kam zbrit prapë sepse s´kam pasur mundësi të vazhdoj më tutje ose nuk është i aksesueshëm trotuari nga fillimi deri në fund, por është vende-vende”,-rrëfen Ndreka.

E njëjta vështirësi është edhe për Dovletin. Ai rrëfen se për të shkuar te Posta në Kamëz duhet të kalosh një trotuar pa rampë.

“Të marrim për shembull postën time këtu, që akses brenda për të hyrë në postë kanë, se është vendosur rampa, por në trotuar për shembull nuk kanë. Të hipësh nga trotuari të kalosh bordurën nuk mundesh. Sado sado, do kërkosh përsëri ndihmë që të shkosh deri te rampa. Kanë marrë parasysh vetëm pjesën se çfarë përfshin objekti, por jo infrastrukturën publike që i takon dikujt tjetër të ndërhyjë për ta bërë atë“-përfundon Dovleti.

Sipas Suela Lalës, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, ka një mosnjohje të specifikimeve teknike për garantimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar nga kompanitë që fitojnë tenderat dhe marrin përsipër projektet publike.

“Edhe pse në fakt ligji për planifikimin e territorit thotë që asnjë objekt publik nuk mund të merret, nuk mund të jept certifikata e përdorimit nëse nuk ka realizuar elementet e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. Përveç kësaj VKM-ja e 23 dhjetorit 2015 thotë që asnjë investim publik i ri apo rikonstruksion qoftë nuk mund të kryhet me para publike nëse nuk përfshihen të gjithë elementet e aksesueshmërisë”,-shpehet Suela Lala.

Problematikat më të shpeshta në zyrat postare

Referuar monitorimeve të kryera nga Fondacioni “Së bashku”, qendrat postare në Shqipëri kanë problematika të ndryshme nga njëra tjetra.

Këto problematika kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e rampave dhe sporteleve të ulëta për personat që përdorin karroca lëvizëse, duke i vendosur në kushte diskriminuese dhe të pabarabarta.

“Në rastin kur zyrat janë të pajisura me rampë, ato shpesh janë jashtë standardit pasi nuk janë me gjerësi 1200 milimetra, nuk janë me pjerrtësi 5%, nuk janë të pajisura me parmakë mbajtës dhe nuk kanë sipërfaqe me material për të evituar rrëshqitjen”,-thuhet në monitorim.

Po ashtu, mungesa e hapësirave para objekteve, duke qenë shpeshherë në nivel të papërshtatshëm, me gropa apo pellgje uji, mungesa e vendeve ulëse të rezervuara, mungesa e parkimeve publike pranë zyrave të postës, janë disa nga arsyet e tjera që penalizojnë këtë komunitet për të marrë shërbime në institucionin e Postës Shqiptare.

Kuadri ligjor për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar

Shqipëria është renditur krah mbrojtjes së të drejtave dhe sigurimit të gjithë përfshirjes të personave me aftësi të kufizuar me ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për këtë komunitet. Në mbështetje të Konventës, Shqipëria ka hartuar dhe miratuar një sërë ligjesh që bëjnë të mundur përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar.

Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithë përfshirjen e tyre duke hequr barrierat infrastrukturore e sociale.

Në mbështetje të ligjit të mësipërm, u mor një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 1074, më datë 23.12.2015 “Pёr përcaktimin e masave pёr mënjanimin e pengesave nё komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi tё kufizuar”. Ky vendim përcakton masat që duhen ndërmarrë me qëllim mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtim
për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.

Vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, ka për qëllim të eliminojë barrierat në hapësirat e jashtme të ndërtesave.

Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.

Ligji nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, përcakton detyrimin për
përkujdesje dhe transport me përparësi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *