Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i KE për Shqipërinë: Probleme të njëjta me korrupsionin, lirinë e medias dhe grupet vulnerabël

“Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes. Është bërë përparim i kufizuar. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë”, –thuhet në raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian të publikuar sot për Shqipërinë.

Sipas raportit, rekomandimet e vitit të kaluar mbeten ende të vlefshme sa i takon lirisë së shprehjes, ndërsa shpreh shqetësim për gjuhën denigruese kundër gazetarëve nga zyrtarë të lartë dhe aktorët politikë në vend kundrejt gazetarëve.

‘Në korrik 2022, një gazetar i dytë u ndalua për tre muaj nga konferencat e shtypit të qeverisë për shkelje të dyshuara etike. Në nëntor 2022, një gazetar investigativ u sulmua fizikisht në Tiranë nga persona të paidentifikuar. Gazetari pretendoi se sulmi lidhej drejtpërdrejt me raportimin e tij mbi akuzat për lidhje të ish-zyrtarëve publikë me rastet e korrupsionit. Në janar 2023, një gazetar lokal dhe gruaja e tij u sulmuan fizikisht, ndërsa gazetari ishte në detyrë duke mbuluar një çështje gjyqësore”, – thuhet në raportin vjetor të progresit.

Sipas progres raportit ka pasur një rritje të lehtë të numrit të padive SLAPP.

“Organizatat mediatike raportuan se në vitin 2022 janë ngritur 19 raste të reja penale kundër gazetarëve apo punonjësve të medias, ndërsa 11 raste mbeten të pazgjidhura dhe janë bartur nga vitet e mëparshme. Gjithashtu, janë ngritur 12 çështje civile, nga të cilat 11 janë për gjoja publikim të informacionit të rremë ose të pasaktë”, -thuhet në raportin vjetor të progresit.

Po ashtu, raporti vjetor të progresit ngre nevojën e një vlerësimi të përgjithshëm të kuadrit ligjor për të adresuar sfidat kryesore që pengojnë pavarësinë e medias.

“…në veçanti përqendrimin e pronësisë së medias dhe transparencën e burimeve të financimit dhe interesave ekonomike, duke përfshirë financimin publik. Është thelbësore që çdo ndryshim në kuadrin ligjor të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias, dhe t’i nënshtrohet konsultimeve të gjera me organizatat e medias dhe shoqërinë civile”.

“Zgjedhjet të qeta, me shpërdorim të burimeve publike”

Zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 sipas raportit u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë, duke përfshirë edhe ditën e votimit.

“Ka shqetësime për keqpërdorimin e burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal, pretendime për presion ndaj votuesve dhe punonjësve të sektorit publik dhe pretendime për blerjen e votës. Të gjitha këto duhet të hetohen siç duhet. Pavarësisht krijimit të komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”.

Funksionimi i gjyqësorit

Sipas raportit vjetor të progresit, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për funksionimin e gjyqësorit, ndërsa është bërë progres i mirë gjatë periudhës raportuese, me zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi.

Mirëpo, “efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe aksesi në drejtësi vazhduan të ndikohen nga kohëzgjatja e procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, gjë që mbetet e rëndësishme”,-shtjellon raporti.

Lufta kundër korrupsionit

Për Komisionin Evropian korrupsioni mbetet shqetësim kryesor, pavarësisht disa përparimeve që kanë të bëjnë me dënimet e disa personave të nivelit të lartë.

“Në çështjet me profil të lartë, gjykatat e posaçme dhanë dënime penale; veçanërisht dënimi i një ish-ministri të mjedisit me 10 vite burg dhe një deputeti me 4 vite burg si pjesë e një hetimi për kontratat koncesionare për trajtimin e mbetjeve. Një ish-zëvendëskryeministër u akuzua nga SPAK për vepra penale përfshi edhe korrupsion pasiv; si pjesë e hetimit për çështjen e inceneratorëve”,-thuhet në raport.

Sipas raportit “korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”.

“Të dhënat personale mbeten problem”

Raporti tërheq vëmendjen për më shumë përpjekje në mbrojtjen e të dhënave personale.

“Për mbrojtjen e të dhënave personale, Shqipëria duhet të vendosë masa mbrojtëse të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme masive të privatësisë nga kompanitë private dhe administratën publike dhe të miratojë legjislacionin e nevojshëm për të harmonizuar me acquis të BE-së për të dhënat personale”. 

Sipas raportit ndihma ekonomike për viktimat e dhunës në familje është rritur ndjeshëm, por zbatimi i ligjit për barazinë gjinore dhe i strategjisë kombëtare për gjininë duhet të intensifikohet më tej.

Kujdesi për grupet vulnerabël

Sipas raportit gratë që jetojnë në zonat rurale dhe të largëta, gratë rome dhe egjiptiane dhe individët LGBTIQ përballen me akses të kufizuar në kujdesin shëndetësor parësor dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë përpjekje për të monitoruar dhe ofruar trajnime për personelin shëndetësor për identifikimin dhe adresimin e çështjes së abortit me paragjykim gjinor, por duhet të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar monitorimin e praktikës”.

“Dhuna me bazë gjinore mbetet shqetësim”

Sa i takon dhunës me bazë gjinore, raporti nxjerr në pah se kuadri ligjor kombëtar duhet të harmonizohet më tej me dispozitat e Konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Dhunën dhe Ngacmimin në Botën e Punës (Konventa nr. 190), e ratifikuar në shkurt 2022.

“Kuadri ligjor aktual është nuk përputhet plotësisht me standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit, dhe i mungon fokusi në riintegrimin dhe aksesin në shërbime për viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës”. 

Shqetësuese sipas raportit mbetet edhe dhuna seksuale, përfshirë edhe ajo në internet.

“Në vitin 2022, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve menaxhuan 2 496 raste të fëmijëve në nevojë për mbrojtje (kryesisht raste të fëmijëve në rrezik ose viktima të dhunës, abuzimit, neglizhencës ose shfrytëzimit). Numri i punonjësve mbrojtës të fëmijëve (241 në të 61 bashkitë) mbeten shumë më poshtë se numri total i nevojshëm. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar një përgjigje adekuate dhe sistematike ndaj të gjitha llojeve të dhunës ndaj fëmijëve”.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar 

Sipas raportit është bërë njëfarë progresi në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Megjithatë “legjislacioni kuadër i Shqipërisë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara mbetet vetëm pjesërisht në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe boshllëqet duhet të adresohen”.

Raporti shpreh nevojën e Shqipërisë për të ratifikuar Protokollin Fakultativ të Konventës.

“Nevojiten përpjekje më të fuqishme për të trajtuar diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuara, për të përmirësuar aksesin e përgjithshëm, për të promovuar punësimin dhe për të mbledhur të dhëna statistikore”.

Sipas raportit cilësia e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuar, veçanërisht me fëmijët që nuk dëgjojnë vijon të shikohet me shqetësim.

“Numri i mësuesve ndihmës në sistemin arsimor parauniversitar vazhdoi të rritet edhe në vitin 2022. Megjithatë, duhet të rritet më tej për të siguruar mbështetje të mjaftueshme në të gjitha shkollat, veçanërisht në zonat rurale dhe të thella. Nevojiten përpjekje shtesë për të ofruar trajnime për qasjet e arsimit gjithëpërfshirës për të gjithë mësuesit dhe për zbulimin e hershëm të aftësisë së kufizuar”.

Të drejtat e komunitetit LGBT

Raporti nxjerr në pah nivelin e lartë të diskriminimit ndaj personave lesbikë, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, interseksual dhe queer (LGBTIQ).

“…veçanërisht në lidhje me aksesin në arsimin shëndetësor, drejtësinë, punësimin dhe strehimin. Anëtarët e komunitetit LGBTIQ vazhdojnë të përjetojnë agresion fizik dhe gjuhë të urrejtjes, veçanërisht në mediat sociale. Shqipëria nuk ka legjislacion që njeh bashkëjetesën civile apo martesën e të njëjtit seks”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *