Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës: “Veliera” prej 8.5 mln euro ka nisur të ndryshket pa përfunduar

Tetë vite nga nisja e punimeve dhe projekti Veliera në Durrës ende nuk ka përfunduar.  Ndërkohë që një pjesë e materialeve ka nisur të ndryshket, Bashkia Durrës konfirmon se projekti është në fazën e katërt dhe përfundimtare të punimeve.

Shkallet e ndryshkura te objektit

“Struktura nuk ka asnjë dobi të shprehur që në hartimin e vet por dhe pas. Është një vepër artistike me tepër sesa një vepër urbane“ shpjegon urbanisti Artan Kacani për Citizens Channel.

Projekti “Veliera” u financua fillimisht në mars 2016, me një fond fillestar prej 4.7 Milion Euro. Kontrata u fitua nga bashkimi i kompanive “Everest” dhe “Fusha”, të cilat filluan punimet. Bashkia Durrës pohon për Citizens Channel se tashmëvlera e projektit është dyfishuar duke arritur në rreth 8.5 milionë euro.

“Ky projekt është në shërbim të të gjithë territorit të Shqipërisë për lidhjen që ka me turizmin si dhe pozicionin territorial strategjik duke përmirësuar trafikun e mjeteve motorrike“ – e quan Bashkia Durrës në lidhje me funksionalitetin e projektit.

Nga 92 qytetarë të anketuar përmes një pyetësori nga Media Amfora, 81 persona e vlerësuan negativisht projektin e Velierës për qytetin e Durrësit, ndërsa vetëm 11 persona e vlerësuan atë pozitivisht.

Ankete nga Amfora.al

“Segmenti rrugor ka bllokuar qarkullimin e vazhdueshëm për këmbësorët. Ka ndërprerë lidhjen direkt me portin, duke spostuar trafikun tek rruga përgjatë bankës. Zvarritja punimeve është një indikator i paqartësisë financiare dhe vendimmarrëse“ – përfundon urbanisti Kacani.

Drejtësi e munguar për shkatërrimin e arkeologjisë

Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve në zonën arkeologjike A. Gjatë gërmimeve për punimet u zbuluan një sërë objektesh me vlerë arkeologjike.

“Pra, meqenëse dy këmbët veriore të Velës ngulen në zonën A arkeologjike, ndërtimi i saj duhet ligjërisht të spostohet”,-  argumentoi në atë kohë specialistiti i arkeologjisë Gjergj Frashëri.

Bashkia Durrës i konfirmoj Citizens Channel se një pjesë e objekteve të gjetura gjatë gërmimeve janë të vendosura te Muzeu Arkeologjik Durrës, i cili qëndron prej 15 muajsh i mbyllur për shkak të tejkalimit të afateve të restaurimit.

Pas 13 seancash gjyqësore, Gjykata Administrative la pezull si kërkesat e Bashkisë ashtu edhe kërkesat e shoqërisë civile për të bllokuar procesin. Dy vite më pas, në shkurt të 2019, Gjykata Administrative e Apelit vendosi t’i hapi rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke ndaluar gjykimin e çështjes.

Dy vite më vonë, më 22 prill 2021, çështja “Veliera” u rikthye për hetim në prokurorinë e Durrësit. Edhe pse u parashikua që brenda tre muajve të përfundonin hetimet bazë për kallëzimet e shoqërisë civile për dëmet arkeologjike, ende deri më tani asnjë vendim nuk është bërë publik.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *