Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Degradon natyrën”, mjedisorët kundër ligjit të ri për zonat e mbrojtura

Organizatat mjedisore dhe ekspertët në fushën e ruajtjes së natyrës kanë shprehur kundërshtinë e tyre përmes një qëndrimi publik për ndryshime ligjore në ligjin “Për zonat e mbrojtura”. Qëndrimi vjen pas prezantimit të projektligjit në komision.

Ky projektligj bie ndesh me qëllimin e ligjit për zonat e mbrojtura”, thuhet në qëndrimin e organizatave mjedisore.  Sipas tyre nëse amendamentet e propozuara miratohen, krijohen kushtet që në zonat e mbrojtura të ndërtohen hidrocentrale, të nxirren hidrokarbure, si dhe ndërtime urbane.

Për organizatat mjedisore këto lloj veprimtarish “tjetërsojnë, shfrytëzojnë intensivisht dhe degradojnë ekosistemet natyrore, duke cenuar kësisoj, thelbin e ligjit për zonat e mbrojtura”.

Pa ndryshimet ligjore zonat e mbrojtura klasifikohen si sipërfaqe territoriale në të cilat ekosistemet natyrore dhe jeta e egër duhet të mbrohen pikërisht nga investimet e sipërpërmendura.

Në projektligj, propozohet menaxhimi i të paktën 20% i sipërfaqes së zonës së mbrojtur nga bashkitë përkatëse.

Për mjedisorët është shqetësuese sepse nuk përshkruhet se si kjo sipërfaqe do të caktohet, hartëzohet dhe menaxhohet, “duke lënë të hapur marrjen në menaxhim edhe të 100% të një zone të mbrojtur nga bashkia përkatëse”.

“Zhvendosja e kompetencave menaxhuese në varësi të interesit të çdo bashkie, cenon interesin kombëtar që ekziston për ruajtjen e këtyre hapësirave të ruajtura pikërisht për vlerat dhe veçoritë që kanë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, thuhet në qëndrimin e organizatave.

Ky projektligj parashikon heqjen e zonimit apo mos përcaktimin e nën zonave me regjim të ndryshëm menaxhimi brenda sipërfaqes tërësore të një zone të mbrojtur.

“Ky amendim, shkel hapur udhëzimet e  Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) të cilat janë përfshirë në ligjin aktual për zonat e mbrojtura”, thuhet në qëndrim.

Me heqjen e zonimit bëhet i pamundur zbatimi i planeve të menaxhimit dhe ruajtja e llojeve që rrezikohen në mënyrë kritike për zhdukje.

“Krijon kushte edhe për përjashtimin e komunitetit lokal nga përdorimi dhe vendimmarrja në zonat e mbrojtura”, shprehen organizatat mjedisore.

Organizatat theksojnë se nëse miratohet projektligji hidhet poshtë “gjithë investimi dhe puna e bërë ndër dekada për konsolidimin dhe mirë-administrimin e zonave të mbrojtura në vend”.

Së fundmi organizatat kërkojnë që këto ndryshime të mos votohen duke argumentuar se ligji aktual është i mjaftueshëm për administrimin dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura “nëse do të ketë një zbatueshmëri të plotë, apo më të mirë të tyre”.

“Çdo propozim i mundshëm për ndryshimin e këtij ligji duhet të vijë vetëm pas një analize të thelluar të zbatueshmërisë së ligjit aktual dhe evidentimit të nevojave faktike për ndryshim”, përmbyllet qëndrimi i organizatave dhe ekspertë të mjedisit duke përmendur dhe nevojën për konsultim me palët e interesit.

Këto ndryshime ligjore erdhën si propozim i një grupi deputetësh socialist. Por tentativat për ndërhyrje në zonat e mbrojtura kanë nisur që para këtij propozimi.

Ligji i shumë debatuar për Investimet Strategjike një nga elementët problematik të tij ka pikërisht ndërhyrjen në zona të mbrojtura. Ky ligj u shty sërish për të katrën herë, këtë herë deri në vitin 2027.

Me anë të këtij ligji janë miratuar 5 projekte brenda territorit të Zonave të Mbrojtura ose pranë Monumenteve  Natyrore.

Qeveria e ka mbështetur hapur këto ndryshime ligjore. Ishte kryeministri Edi Rama ai që gjatë një aktiviteti për Vjosën u shpreh se “Leksionet morale sesi duhet të sillemi me natyrën qeveria jonë nuk i pranon dot”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *