Dymbëdhjetë deputetë të grupit parlamentarë të Partisë Socialiste depozituan në 20 nëntor një propozim për ndryshimin të ligjit aktual për zonat e mbrojtura.
Projektligji parashikon t’i hapë rrugë ndërtimeve në parqet kombëtare, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme:
“Lejimin ne përputhje me parimin e efektivitit dhe planit te menaxhimit te ndërhyrjeve të lejuara urbane, rekreacionit apo industriale brenda zonës duke ruajtur karakterin e zonës sipas parashikimeve te këtij ligji”- citohet në projektligj.
Në propozim theksohet se në çdo rast, bashkia përkatëse administron jo me pak se 20% të sipërfaqes së ndërtimit.
Genti Kromidha , ekspert i zonave të mbrojtura nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) shprehet se këto propozime janë kundër parimit themelor të ligjit, që është pikërisht mbrojtja e këtyre zonave.
“Nëse janë shpallur zona të mbrojtura, d.m.th. ka një interes kombëtar, prandaj duhet të menaxhohen nga institucione që janë në nivel kombëtarë, të cilat kanë edhe kapacitete edhe mundësi financiare për ti menaxhuar”- analizon Kromidha.
Nga ana tjetër, ai shton se bashkitë kanë hapësirën e duhur për të menaxhuar territoret që i quajnë të vlefshëm në nivel lokal, si parqe bashkiake apo kurora të gjelbra, sipas përcaktimeve të ligjit ekzistues.
Gjithashtu sipas ndryshimeve të propozuara në rastet kur monumenti i natyrës është në zonë të banuar, nuk aplikohet zona buferike e përcaktuar në këtë pikë.
“Me heqjen e zoonimit, hiqet çdo mundësi për të mbrojtur atë pjesë të zonës së mbrojtur që është vërtetë me vlerë, pasi duke mos pasur një hartë zoonimi , çdo njeri mund të thotë që kam interes për një aktivitetet x pavarësisht se ajo është e rëndësishme për natyrën apo jo”- pohon Kromidha.
Qeveria mbështet hapur projektligjin
“Leksionet morale sesi duhet të sillemi me natyrën qeveria jonë nuk i pranon dot”- tha kryeministri Rama gjatë fjalës së tij dje, në prezantimin e ideve finaliste për konkursin ndërkombëtar për Qendrën Multifunksonale për Parkun Kombëtar të Vjosës.
Ai pranoi se aktualisht jemi në moment rishikimi të zonave të mbrojtura, që vjen si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të kryetarëve të bashkive, të tha se janë nën presionin e madh për zhvillim ekonomik e social.
“Ne na duhet turizmi i luksit, na duhet për njerëzit e zakonshëm, sepse është përmes truizmit të luksit që njerëzit e zakonshëm, që prodhuesit e vegjël, që shërbimet, të marrin dhe të ardhurat më të mëdha”- theksoj Rama.
Eksperi Genti Kromidha analizon se kryetarët e bashkisë kanë të gjithë të drejtën e tyre ta bëjnë këtë kërkesë, por parlamenti shqiptar duhet të konsultohet me ekspertë dhe grupet e interesit.
“Ky nuk është ligji bashkisë, bashkitë kanë ligjin e tyre, ky është ligj për zonat e mbrojtura. Deri tani nuk na konsultuar njeri, ka ligje të tjera që merren me zhvillimin, le të ndryshojnë ato”- përmbyll ai.
5 vite përpjekje për tkurrjen e zonave të mbrojtura
Tentativa për ndryshimin e hartës së zonave të mbrojtura ka nisur në vitin 2019 , kur Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, hoqi rreth 15.000 hektarë nga lista e territoreve që gëzojnë status mbrojtjeje në Shqipëri.
Në 2022 Këshilli i Ministrave miratoi VKM nr.59 e cila ndryshoj kufijtë dhe cenojë sipërfaqen e 11 parqeve kombëtare.
Më 10 mars 2023 në Gjykatën Administrative të Apelit është mbajtur seanca e parë përgatitore për shfuqizimin e kësaj VKM – je. Kjo ishte padia e dytë e ngritur nga organizatat pas asaj që kërkon shfuqizimin e VKM- së nr. 60 mbi “Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore”.
Më 1 nëntor 2023, organizatat mjedisore kanë fituar betejën e parë ligjore kundër vendimit të qeverisë që tkurr sipërfaqen e zonave të mbrojtura. Gjykata ka legjitimuar 11 organizatat paditëse duke lejuar kështu nisjen e betejës gjyqësore.
“Aerporti i Vlorës si tregues i vizionit të qeverisë për zonat e mbrojtura”
Një vendim i 26 tetorit 2022 i Këshillit të Ministrave ka ndryshuar statusin dhe sipërfaqen e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, pikërisht në vendin ku po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
Vendimi ka krijuar një zonë të re, e quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, një territor i krijuar nga bashkimi i dy njësive të mëparshme: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror Pishë Poro.
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, në takimin e përvitshëm në Strasburg, i bëri thirrje për herë të tretë qeverisë shqiptare të ndalojë punimet për aeroportin e Vlorës.
Deklarata theksoi veçanërisht faktin që punimet për ndërtimin e aeroportit në një zonë natyrore delikate pranë lagunës së Nartës vazhdojnë, edhe pse Komiteti i Përhershëm i Bernës kishte kërkuar ndalimin e punimeve tre muaj më parë.
Rasti i Aeroportit të Vlorës ëshët precedenti i parë i cili nxit rrezikun për ndodhi të ngjashme në zonat e tjera të mbrojtura, me ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri, i cili me shumë gjasë pritet të miratohet.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.