Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“KKT kthehet në Zot”, Organizatat mjedisore kundër ndryshimeve për Zonat e Mbrojtura

Organizatat mjedisore e konsiderojnë një tragjikomedi lojën e qeverisë me ligjin për “Zonat e Mbrojtura”.

Sipas tyre me ndryshimet e propozuara, bashkive i janë lënë vetëm “dhitë dhe delet”, pasi “de facto” kompetencat për zonat e mbrojtura i janë deleguar Këshillit Kombëtar të Territorit.

Organizatat e cilësuan një manovër hileqare tërheqjen e qeverisë nga 20% që do menaxhohej nga bashkitë dhe kalimi më pas në kompetencë të KKT-së.

“KKT kthehet në Zot të zonave të mbrojtura duke qenë se askush nuk kundërshton dot vendimet e tij. Në këtë tragjikomedi, përfituesi më i madh është Këshilli Kombëtar i Territorit që rrëmben gjithë pushtetet e politikat në Zonat e Mbrojtura”, thuhet në deklaratën e organizatave mjedisore.

Ndryshimet e paraqitura nga një grup prej 12 deputetësh të Partisë Socialiste u kundërshtuan dhe më herët nga organizatat edhe në komisionet parlamentare.

Si fillim organizatat e cilësuan si një zhvillim skandaloz, teksa pas draftit të fundit, ku u bënë disa ndryshime thelbësore, si dhënia e vendimmarrjes në dorë të Këshillit Kombëtar të Territorit, dhe hapja rrugë e investimeve strategjike, organizatat thanë se kaluan “nga shiu në breshër”.

Organizatat këmbëngulin se ligji i ndryshuar i hap rrugë tjetërsimit të zonave të mbrojtura (ZM), legjitimon ndërtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme si dhe legjitimon miratimin e çfarëdo investimi të ashtuquajtur strategjik në zemër të zonave të mbrojtura.

Sa i pëket kompetencës që po i jepet KKT-së, organizatat argumentojnë ndër të tjera se ky institucion nuk e ka përvojën për ta bërë.

KKT nuk ka asnjë përvojë të këshillimit publik që shërben si garant i ruajtjes së vlerave të Zonave të Mbrojtura”, – thuhet në deklaratë duke shtuar më tej se rol i ri i KKT zhbën të gjitha kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe të gjithë Agjencive të saj të varësisë.

Neni 33 i ligjit është më shqetësuesi pasi i hap rrugë investimeve strategjike dhe jo vetëm, por edhe ndërtim autostradash apo vepra hidrike dhe sisteme nafte.

“Ndryshimet e propozuara nga KM ndaj Nenit 33 të Ligjit aktual nuk vendosin asnjë kufi ndaj aktiviteteve shkatërruese të papërcaktuara”, shprehen organizatat në dekalratën e përbashkët.

“Po kaq shqetësuese janë dhe qëndrimet për ndërhyrjet pa miratim paraprak në trupat ujorë, mbivendosja e regjimit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Zonat e Mbrojtura dhe nxitja e turizmit masiv”, shtojnë më tej.

Së fundmi ato kërkojnë nga parlamenti dhe qeveria që të tërhiqen menjëherë nga këto propozime dhe të tregojnë transparencë.

“Të hapin procesin për këshillimin e duhur mjedisor të draftit përfundimtar të projekt-ligjit si dhe të dëgjojnë argumentet e organizatave, institucioneve akademike dhe shkencore dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës”, – thanë së fundmi organizatat përmes deklaratës për shtyp.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *