Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Më shkruaj kur të arrish në shtëpi“, kodi i sigurisë së vajzave

Të pandriçuara dhe të lëna krejtësisht pas dore, gratë dhe vajzat nuk ndihen të sigurta të ecin vetëm në rrugët periferike të Tiranës. Një grup aktivistësh fotografuan dje rrugicat e lagjes “Ali Demi”, si dëshmi e kufizimit, që u vendosin gjysmës së popullsisë së qytetit. Nisma e titulluar “Më shkruaj kur të arrish në shtëpi“, u ndërmor për të dokumentuar pasigurinë e vajzave dhe grave gjatë orëve të vona të natës.

Që nga zhdukja e 33 – vjeçares Sarah Everard më 3 mars 2021 në Londër , gratë në të gjithë botën kanë ndarë historitë e tyre për atë që bëjnë në mënyrë që të ndihen të sigurta kur ecin vetëm, ose çfarë masash marrin për të kontrolluar miqtë e tyre që e bëjnë këtë.

Një mesazh i zakonshëm që ata i referohen në tweet-et, postimet ose deklaratat e tyre është se ata thonë “Më dërgo mesazh kur të kthehesh në shtëpi”. Ai përfaqëson një frazë që njerëzit thonë shpesh përpara se dikush të largohet nga një festë, mbledhje ose ndonjë mbledhje tjetër.

“Sa e lirë, sa e mbrojtur dhe sa vulnerabël mund të ndihet një grua natën? Secila prej nesh në një moment e ka përjetuar një lloj frike sidomos pas orëve të vona – tha Ebi Spahiu, aktiviste e Kolektivit Feminist.

Rrugicë e pandriçuar, përballë rrugës kryesore të ndriçuar, në “Ali Dem“

Ecja dhe fotografimi u ndërmor nga grupimi i “Photowalk“  së bashku me Kolektivin Feminsit. Ky aktivitet paraprin “Tetë Marsin“, duke u lidhur dhe me moton kryesor të protestës të këtij viti “Nata është e jona“.

Një dritë rruge e djegur në lagjen “Ali Demi“, Tiranë

“Fotot që do realizohen do përdoren për posterin e madh të tetë marsit, të marshimit, një pjesë tjetër, do përdoren për tu ngarkuar në google maps, për të dhënë një panoramë të qartë të situatës ekzistuese të zonës“- tha artistja vizuale multi – disiplinare Abi Shehu.

Pamje nga lagja përballë në errësirë në lagjen “Ali Demi“

Pas përfundimit të eksplorimit të zonës grupet e vëzhgimit u bashkuan në hapësirat e “Bulevard Art Media Intitute“ për të diskutuar gjetjet. Enriko Peçuli theksoi se përveç ndriçimit, shumica e rrugicave, nuk janë të pajisura me kamera.

“Lagjet më afër qendrës ke kamera kudo, ke lokale, ke njerëz, ke aktivitet, këtu ende s’ka arrit aktiviteti, ka shtëpi private dhe është lagje shumë e pa monitoruar“- analizoi ai.

Një tunel i pandriçuar në zonën e “Ali Demit“

Për më tëpër Peçuli shtoi se menjëherë sipër lagjes që u krye vëzhgimi, pra sipër “Ali Demit“, je shumë afër “Qytet Studentit“ (QS) dhe aty janë të vendosura godinat e QS.

“Një pjesë e mirë e studenteve vijnë nga periferia, janë të pasigurta, vijnë në një qytet të madh, rrugët nuk i dinë. Kur qyteti është i panjohur për ty çdo gjë është më e frikshme“- përfundon ai.

Ebi Saphiu shprehet se shumicën e rasteve, njerëzit që rrinin në baret e lagjes, apo që rrinë në cepa rrugës natën, janë kryesisht burra. Sipas saj gratë janë të padukshme në hapësirën publike natën.

Pamje nga rrugicat e pandriçuara të zonës “Ali Demi“

“Gratë janë prezente në disa rrethana si p.sh. për të bërë pazarin, ose me fëmijët, ose kanë rolin e edukatorit, apo përkujdesjes, kurse burrat janë ata që bëjnë muhabet me njëri – tjetrin, shkojnë kalceto. Burrat kanë jo vetëm akses të hapësirave, por edhe të kohës së lirë të tyre, gjë që gratë në Shqipëri nuk e kanë“- analizon Spahiu.

Pamje nga rrugicat e pandriçuara të zonës “Ali Demi“

Duket se frikën për të lëvizur vetëm natën në rrugicat e Tiranës, e ndjejnë edhe djemtë dhe burrat.

“Kur kthehesha vonë, që dilja me shoqërinë, ka pas momente që ndjeja pak frikë në thonjëza. Kur nuk ke një rrugë alternative për të marrë, e ke gjithsesi atë pasigurinë se çfarë mund të hasesh, ose personat që mund të përballesh“- përfundon Andi Metaliaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *