Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shtatë fshatra në Shkodër furnizohen me ujë të papijshëm

Banorët e shtatë  fshatrave, Domen, Milan, Boks, Dragoc, Kullaj, Fshati i Ri, Qendër Urë e Mesit në Shkodër konsumojnë ujë të ndotur në çezmat e tyre. Ky është rezultati i hetimit të prokurorisë së Shkodrës, pas një kallëzimi që bënë banorët ndaj kompanisë “Babasi COO“, e cila ka dy gurore në Postribë. Banorët akuzojnë kompaninë se ka shkatërruar kanalin e ujitjes, ujësjellësin nga furnizohen me ujë këto shtatë fshatra dhe ka rrafshuar veprat kulturore.

Më 12 shkurt 2024 Prokuroria e Shkodrës bëri publik përfundimet e hetimit mbi procedimin penal nr. 92/1 nga banorët.

“Në veprën e marrjes (burim), uji ka shije dhe parametra normal për konsum human, kurse kur kalon në depon e përpunimit (që nuk është më tepër se 100 m nga vepra e marrjes) ky ujë merr shije të papërshtatshme dhe rritet turbullira nga 4.7 NTU, në 9.1 NTU duke u bërë i papërshtatshëm për konsum human “ – citohet në përfundimin e hetimeve.

Hetimi thekson se përderisa turbullira rritet në depon e përpunimit të ujit dhe shtohet më tepër në tubacionet kur shpërndahet në fshatra, nuk arrihet dot në konkluzionin se turbullira shkaktohet nga inertet e “NGA Group“ (kontraktor i “Babasi COO“). Për këtë arsye organi i akuzës do ta pushojë hetimin e çështjes “shkatërrim i rrjetit të ujësjellësit“.

Pavarësisht rezultatit të hetimeve, banorët e konsiderojnë genocid situatën me ujin e pijshëm.

“Sot bashkia na helmon me këtë ujë, edhe unë e quaj për vete një gjenocid“- shprehet një banor i zonës, Zamir Milani.

Aleksandër Shytani, administratori i “NGA Group Shpk“, mohon që punimet në gurore të ndikojnë në turbullimin e ujit. Sipas tij, uji i përroit Rrasek ndikohet vetëm nga shirat.

“Ne po punojmë në Shkodër ashtu siç punohet në Bashkimin Evropian“- i tha Citizens Channel, Shytani.

Gjatë këtij hetimi janë gjetur një seri shkeljesh nga zotëruesi i lejes minerare “Babasi Coo”, por që kompani i shpëton ndëshkimit për shkak se veprat janë parashkruar. Hetimi vlerëson se përsa i përket aktit të ekspertimit mjedisor, me anë të të cilit kompania ka përfituar leje mjedisore të tipit B është i paplotë. Raporti i thelluar nuk është nuk është i nënshkruar nga administratori i subjektit juridik “Studime, Projektime Minerare“  ShPK, por nga një individ i paautorizuar dhe si i tillë ky raport nuk duhej të merrej në konsideratë nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit.

“Meqenëse leja minerare nr. 1835, datë 30.06.2017 është dhënë nga Drejtoria e Politikave dhe Zhvillimit të Minierave pranë Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë dhe leja Mjedisore është dhënë nga Ministria e Mjedisit, hetimet e mëtejshme të procedurave të dhënieve të këtyre lejeve duhet të vazhdojnë të kryhen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Tiranë“- thekson hetimi.

Sa i përket dëmtimit të kanalit vaditës të fshatit Urucaj me 820 m gjatësi lineare, subjekti “NGA Group“ i ka konsumuar elementët e veprës penale. Por duke qenë se nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale e deri më tani kanë kaluar më shumë se pesë vite, referuar nenit 66/d të kodit penal, organi i akuzës do ti pushoj hetimet.

Vetë administratori Shytani nuk pranon se e kanë shkatërruar kanalin vaditës, por pretendon “se nuk ka ekzistuar as kur kompania ka nisur punimet”.

Nga një vizitë në terren e datës 25.05.2018, e raportuar edhe në Arkivin e ish – Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (tashmë Instituti i Trashëgimisë Kulturore) u konstatua se në periferi të një rruge të hapur nga firma u vërejt një përqëndrim gurësh, i ngjashëm me tumat prehistorike.

“Gjithsesi për arsye se firma deri në atë kohë kishte kryer ndërhyrje të konsiderueshme në terren ishte e pamundur të vërtetohej nëse kishim të bënim me një varrezë tumulare të dëmtuar“- citohej në raport.

Por edhe për akuzën “shkatërrim i veprave kulturore“ Prokuroria e Shkodrës e ka pushuar hetimin për shkak se nga ekspertimi topografik, nga pamjet me ortofoto nuk mund të identifikohen tumat.

Pavarësisht të pushimit të hetimeve për tre akuzat e ngritura nga banorët, ata nuk e kanë ndalur rezistencën e tyre me anë të protestave të vazhdueshme përpara Bashkisë Shkodër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *