Shqipëria nuk pati ndryshime të rëndësishme sa i takon situatës së të drejtave të njeriut gjatë vitit 2023.
Sipas raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshijnë probleme serioze me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, korrupsionin në qeveri si dhe mungesën e medias së pavarur.
Media dhe e drejta e shprehjes
Raporti e sheh me shqetësim situatën në të cilën ndodhet media në Shqipëri.
“Organizatat e pavarura të medias dhe gazetarët profesionistë pohuan se qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.
Sipas raportit, përfaqësues të lartë të medias përdorën mediat e tyre për të shantazhuar bizneset duke kërcënuar në mbulim të pafavorshëm mediatik.
“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan pavarësinë e medias së shkruar dhe gazetarët thuhet se praktikonin autocensurën”.
Po ashtu sipas raportit mungesa e kontratave të detyrueshme të punës reduktoi pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në njëanshmëri në raportim.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë raportoi vonesa të pagave për gazetarët në shumë media, duke përfshirë të paktën tetë stacione televizive, në disa raste deri në pesë muaj. Problemet financiare bënë që disa gazetarë të mbështeteshin më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e raportimit të tyre”,-thekson raporti i DASH.
Edhe pse qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë, sipas raportit kritikat mund të kishin pasoja negative.
“Instituti Shqiptar i Studimeve Politike raportoi se individët që kritikuan publikisht qeverinë dhe politikanët kryesorë u përballën me fushata shpifëse nga mbështetësit e qeverisë dhe udhëheqësit politikë. Politikanët përdorën mediat e njohura për të përhapur lajme të rreme në lidhje me rivalët dhe kritikët”.
Raporti përmend edhe raste specifike të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve, sikurse rasti i gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij, i sulmuar në Lezhë për shkak të raportimit të tij, sulmi me armë zjarri ndaj Top Channel si dhe ndryshimi i pronësisë së televizionit ABC News, gjë që solli edhe mbyllje të programeve kritike ndaj qeverisë dhe largimin e gazetarëve nga ky televizion.
Me shqetësim shikohen edhe ngjarjet e ndodhura në televizionin publik, Radio Televizionin Shqiptar.
“Pas ndryshimit të menaxhmentit të lartë në transmetuesin e vetëm publik në vend, Radio Televizioni Shqiptar, disa raporte mediatike pretenduan shkarkime të pajustifikuara. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkoi udhëheqjes së re që të respektojë të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve në transmetues”.
Në raport përmendet njëkohësisht edhe monitorimi i komunikimeve të gazetarëve te medias “Syri.net”.
“Raportohet se menaxhmenti i lartë në median private Syri.net monitoroi komunikimet e gazetarëve dhe redaktorëve në mënyrë elektronike për të siguruar respektimin e prirjeve politike të pronarëve”.
Sipas raportit deri në tetor 2023 ka pasur 12 raste për shpifje kundër gazetarëve.
Diskriminimi
Sipas raportit qeveria nuk e ka zbatuar ligjin për përdhunimet dhe sulmet seksuale në mënyrë efektive.
“Koncepti i përdhunimit bashkëshortor nuk ishte kuptuar mirë dhe autoritetet jo gjithmonë e konsideronin atë si krim”,- cek raporti.
Dhuna me bazë gjinore ishte në nivele të larta.
“Organizatat e shoqërisë civile raportuan nivele të larta të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje. Që nga gushti, 11 gra ishin raportuar të vrara nga partnerët ose anëtarët e familjes së tyre”.
Paga e barabartë për punë të barabarta mes burrave dhe grave, sipas raportit, u zbatua më pak në sektorin privat se sa atë shtetëror.
Ndërsa me shqetësim shihet edhe integrimi i komuniteteve rome dhe egjyptiane.
“Kishte pretendime për diskriminim kundër komuniteteve rome dhe egjyptiane, duke përfshirë strehimin, punësimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi hapi një çështje për reagimin e policisë pas sulmit të dhunshëm ndaj një shtetaseje keniane që punonte në vend. Organizatat jo-qeveritare paraqitën ankesa duke pretenduar reagim të ngadaltë dhe hetim të kufizuar për shkak të shtetësisë, gjinisë dhe përkatësisë etnike të saj”.
Diskriminimi ndaj komunitetit LGBTQI+ sipas raportit është i zakonshëm.
“Individët LGBTQI+ shpesh përballeshin me probleme në aksesin në arsim për shkak të orientimit të tyre seksual, identitetit gjinor dhe karakteristikave seksuale”,-thuhet në raport.
Ndërsa nga viti 2019 deri në gusht 2023 sipas organizatës “Streha”, të cituar në raport, 20 gra transgjinore u përballën me dëbime nga pronarët e shtëpive ku qëndronin për shkak të identitetit të tyre gjinor.
“Streha dhe Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT raportuan se gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese që synonte komunitetin LGBTQI+ ishte një problem në media, në internet dhe nga politikanët”.
Procesi zgjedhor
Sipas raportit zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Shqipëri ishin të administruara mirë, mirëpo pati keqpërdorim të burimeve të administratës.
“Raporti përfundimtar i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet e majit identifikoi raste të keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, pretendime për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, si dhe akuza për blerje votash”,- nënvizon raporti i DASH.
Sipas raportit edhe në aspektin e mbulimit mediatik pati favorizim të partive kryesore dhe se “përdorimi i shpeshtë nga media i përmbajtjes së prodhuar nga partia në programet e lajmeve minoi mbulimin gjithëpërfshirës dhe objektiv të fushatës”.
Ndërsa citon edhe raportet e ODIHR dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për frikësim të votuesve dhe mungesës e pasqyrimit nga media të fushatës së partive të vogla.
Korrupsioni
Sipas raportit përgjatë vitit 2023 kishte raportime të shumta për korrupsion qeveritar.
“Korrupsioni ekzistonte në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, duke përfshirë prokurimin publik dhe partneritetin publik-privat, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe përfundimit të pandëshkueshmërisë”,-thuhet në raport.
Sipas raportit SPAK ka kryer arrestime të niveleve të larta, duke përmendur rastet e ish ministrit të mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të përgjithshëm, Alqi Bllako. Ashtu sikurse vëmendje merr edhe rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke, nga e cila, dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, -thekson raporti.
Raporti po ashtu sheh me shqetësim edhe korrupsionin policor, si “një problem shumë i përhapur në mesin e oficerëve të vijës së parë”.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).