Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata rrëzon padinë e kompanisë së ndërtimit ndaj gazetarit Artan Rama

Nga Ivana Dervishi / Reporter.al*

Gjykata e Tiranës vendosi të premten të lirojë nga akuzat për shpifje dhe cenim imazhi gazetarin dhe regjisorin Artan Rama, i cili u akuzua nga kompania “Edil Al- It” pasi publikoi në rrjetin social Facebook një shkrim mbi procedurat e prokurimit publik për rikonstruktimin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga Ministria e Kulturës.

Gjyqtarja e gjykatës së rrethit Tiranë, Antonela Prendi vendosi të hedhë poshtë pretendimet e kompanisë së ndërtimit për t’u dëmshpërblyer me vlerën 15 milionë lekë për pavërtetësi në artikullin e botuar nga Rama në llogarinë e tij personale në Facebook.

Rama i tha BIRN se ndihet i çliruar dhe njëkohësisht e koncepton vendimin pro tij si një fitore për të gjithë gazetarët.

“Ndihem i çliruar. E kisha si makth gjithë këtë histori pasi kërkonin 150 milionë (të vjetra) për një shkrim. Nuk është vendim vetëm për një gazetar, por një fitore për të gjithë gazetarët të cilët duan të shkruajnë për tenderat publikë dhe mund ta bëjnë këtë me kurajo dhe guxim,” tha Rama pas vendimit të gjykatës.

Sipas Ramës, një padi e ngritur ndaj një gazetari shkon përtej tij dhe duhet të bëhet objekt i diskutimit publik.

“Është gjithashtu fitore e drejtësisë, sepse provon se ka brenda drejtësisë elementë shumë të mirë,” shtoi Rama duke arsyetuar se gjatë gjyqit ai arriti të provonte se shkrimi i tij ishte mbështetur mbi prova edhe falë verifikimeve të gjykatës.

Në artikullin e titulluar “Dritëhije në Sallën e Teatrit,” Rama shkruan se kompania “Edil Al-It” është shpallur fituese e tenderit përmes praktikave të dyshimta, jo transparente dhe në konflikt interesi.

Si provë për akuzën e ngritur, ‘Publicus’ publikoi një dokument nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në të cilin shkruhet se shoqëria “Edil Al-It” ka pasur detyrime tatimore të papaguara në korrik të vitit 2016 –që sipas artikullit i jepte të drejtën autoritetit kontraktor për përjashtimin e operatorit.

Në padinë e saj të drejtuar Gjykatës së Tiranës, “Edil Al-It” pretendoi se dokumenti i botuar nga “Publicus’ nuk është i vlefshëm, sepse i mungon vula e institucionit, ndërsa kompania nënvizoi se dokumenti që ka paraqitur pranë autoritetit kontraktor me qëllim pjesëmarrjen në tender, tregon se në gusht 2016 kjo e fundit nuk ka pasur detyrime tatimore.

Kompania e ndërtimit “Edil Al-It” është pjesë e grupit Edil-al, ku përfshihen dhe kompanitë mediatike Vizion Plus dhe Tring TV ku transmetohej më parë emisioni investigativ i Artan Ramës, Publicus, i cili u mbyll në mënyrë të papritur në tetor 2016, në prag të publikimit të një materiali mbi vdekjen tragjike të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

*Ky artikull është marrë nga reporter.al.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *