Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përmbytjet e shpeshta detyrojnë banorët e Shijakut të braktisin shtëpitë (Video)

Përmbytjet nga daljet e lumenjve nga shtrati këtë vit, shkaktuan shumë dëme materiale në Qarkun e Durrësit.

Vërshimi i lumit Zezë në qendër të Fushë-Krujës, solli një nivel uji mbi 1.5 m në banesat e lagjeve aty pranë, si edhe përmbyti disa fshatra, ku ndër më të prekurit janë Derven-Fushë dhe Derven-Kodër.

Dalja për herë të gjashtë nga shtrati i lumit Erzen, solli përmbytjen e rreth 45 banesave në bashkinë Shijak, kryesisht në lagjen “Erzen”. Niveli i ujit shkoi në mbi 1.5 metër, duke përmbytur banesat dhe bizneset e ngritura aty.

“Lumi i ka marrë të gjitha. Drutë që i kisha për dimër, që të ngroheshin kalamajtë. Në vitin 2015, nga 1 milion e 700 mijë lekë (të vjetra), më kanë dhënë vetëm 720.000 lekë dëmshpërblim. Nuk ka ardhur njeri të na thotë se lumi po vjen, ruhuni”, thotë për Citizens Channel, Shpresa Murataj, banore e lagjes “Erzen”. Ajo shton se nga bashkia Shijak nuk i kishte shkuar për ndihmë asnjë punonjës.

Në zonën e Shijakut u shembën tre ura, duke bllokuar fshatrat Gjepalaj, Çizmel dhe Shetel. Probleme ka pasur edhe në fshatin Ballias, ku u bllokuan rrugët.  Një pjesë e banorëve të Shijakut, i kanë braktisur përgjithmonë banesat e tyre në lagjen “Erzen”.

Nënkryetarja e bashkisë Shijak, Shpresa Domi, u shpreh për Citizens Channel se situata është drejt normalizimit, duke pranuar që ka pasur një situatë në nivelin e katastrofës. “Projekti për rehabilitimin e lumit Erzen do t’i jap zgjidhje situatës. Nga zoti kryeministër është dhënë një premtim që do të marr një zgjidhje përfundimtare, që me përmbytjet e vjetshme”, u shpreh më tej nënkryetarja Domi.

Sipas nënkryetares së bashkisë Shijak, vetëm dy familje në zonën e Sallomes kanë pasur nevojë të evakuohen. Pas evidentimit të shqetësimit të banores Shpresa Murataj nga Citizens Channel, punonjësit e bashkisë Shijak dhe një zjarrfikëse shkuan në banesën e saj.

“Në dy-tre vite, dy herë më janë përmbytur bojërat që kanë një kosto rreth 10.000 euro. Duam të na dëmshpërblejnë apo të na e rregullojnë lumin sepse këto na mbysin vetë”, thotë Ermir Smoqi, duke treguar nga kasa fiskale, i cili përveç banesës dy katëshe ka ngritur edhe një biznes për lyerjen e automjeteve.

Pasojat e përmbytjes në Shijak dhe Durrës

#Motiikeq
Një pjesë e banorëve i kanë braktisur përgjithmonë banesat e tyre në lagjen Erzen në Shijak, për shkak të përmbytjeve të shpeshta. Banorët e kësaj lagjeje, u përmbytën për herë të gjashtë nga dalja nga shtrati e lumit. Përmbytje ka patur edhe në Durrës. Ndiqni historitë e sjella nga Geri Emiri. http://citizens-channel.com/2017/12/04/permbytjet-e-shpeshta-detyrojne-banoret-e-shijakut-te-braktisin-shtepite/ #citizenschannel

Posted by Citizens Channel on Monday, December 4, 2017

Ndërsa në bashkinë Durrës, njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, nga dalja nga shtrati i lumit Erzen u përmbytën shumë banesa dhe qindra hektarë toka bujqësore. Niveli i ujit shkoi në mbi 1 metër.

Sipas banorëve nga bashkia Durrës kishin shkuar vetëm dy punonjës, që pasi kishin bërë disa shënime ishin larguar, pa ofruar ndihmë për pastrimin e rrugëve dhe pasojave të përmbytjes.

Myzjene Çizmja, banore në njësinë administrative Sukth, shprehet se banorët e zonës përpara dy muajsh kishin dorëzuar një kërkesë për thellimin e lumit, por që përmbytja e këtij viti e gjeti shtratin e lumit po njësoj.

“Nuk jemi dëmshpërblyer asnjëherë. Parvjet s’na i dhanë lekët, edhe vjet edhe sivjet nuk do na japin asgjë”, thotë Seti Kozi, një tjetër banor i zonës.

Për banorët e Shijakut dhe Sukthit përbën çudi përmbytja vetëm në vitet e fundit, pasi përpara viteve’ 90 sipas tyre kjo nuk ndodhte.

Mungesa e pastrimit të kanaleve nga bashkia Durrës solli përmbytje edhe brenda qytetit, ku në zonën e ish-Kënetës u përmbytën banesat në lagjet përbri kanalit.

Përmbytja e vitit të kaluar ishte edhe më e rënda për zonën e Shijakut dhe Durrësit, ku gjatë netëve të muajit Janar u desh ndërhyrja e afro 200 forcave të policisë, ushtrisë dhe emergjencave civile, për të evakuuar banorët e përmbytur. Premtimi i kryeminitsrit Edi Rama ishte se banorët do të dëmshpërbleheshin, por siç u shprehën banorët e Shijakut dhe Sukthit për Citizens Channel, një pjesë kishin marrë gjysmën e dëmshpërblimit dhe pjesa tjetër e banorëve asgjë.

Autor: Geri Emiri*

*Autori është themelues dhe web-editor i blogut “Amfora.al”, i profilizuar në fushën e raportimit mbi arkeologjinë. Aktualisht ai punon si gazetar i lirë.

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *