Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Abonentët e Plus rrezikojnë të mbeten pa komunikim për shkak të fluksit të lartë të kërkesave për portim numri

AKEP deklaron se në mesnatën e ndërrimit të viteve, kush nuk ka bërë portimin e numrit do t’i ndërpritet sinjali. Nga 1 janari 2108, numrat me 066 dalin jashtë funksionimit

Abonentët e kompanisë Plus Communication, të cilët nuk do të bëjnë kalimin e numrit drejt operatorëve të tjerë celularë deri më datë 31 dhjetor, në mesnatë nuk do të mund të urojnë njerëzit e dashur. Kjo pasi shërbimi do të ndërpritet.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e ka bërë të qartë tashmë nëpërmjet udhëzimeve drejtuar kompanive, por edhe abonentëve me mesazh se kanë pasur afat 1 muaj për të bërë portimin e numrit. Pra, nga data 1 dhjetor deri më 31 dhjetor. Pas këtij afati, në mesnatën e 31 dhjetorit sinjali do të ndërpritet dhe duke filluar nga 1 janari 2018, numrat me prefiks 066 do të dalin jashtë funksionimit.

Situata në dyqanet e operatorëve celularë

Fluksi i kërkesave për portimin e numrit nga kompania Plus drejt operatorëve të tjerë është rritur ndjeshëm ditët e fundit. Kjo edhe pse qytetarët kanë pasur kohë që prej 1 dhjetorit që ta kryenin këtë proces. Por një pjesë e tyre e kanë lënë për ditët e fundit, duke krijuar fluks dhe rrejedhimisht edhe probleme. 

“Nuk po e bëj dot kalimin e numrit. Më thonë që nuk ka mundësi kompania ta realizojë. Unë mbeta pa telefon. Është edhe fundi i vitit, nuk do të mund të urojë njeri dhe as të marr urime”, shprehet Anisa, 36 vjeç nga Tirana. Ajo shpjegon se është njoftuar me një mesazh që ta kryente portimin e numrit që prej fillimit të muajit, por nuk ka pasur kohë fizike për ta bërë aplikimin dhe marrë numrin e ri, për shkak të punës.

Mesazhi nga PlusShqetësimi i Anisës nuk është i vetmi, por edhe i një pjese të abonentëve të Plus-it, që kanë sot të njëjtin hall. Madje, nga një vëzhgim në dyqanet e operatorëve të telefonisë celulare sheh njerëz që presin në rradhë.

Citizens Channel u interesua pranë kompanive të telefonisë celulare për këtë shqetësim. Burime nga operatorët shpjegojnë se nuk është për mungesë dëshire nga ana e tyre, por mungesë kapaciteti në platformën e portimit të numrit, që menaxhohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Kjo edhe për faktin se shumica e abonentëve e kanë lënë për ditët e fundit të muajit kryerjen e protabilitetit të numrave të tyre dhe kjo ka sjellë fluks të madh dhe mbushje të kapaciteteve të platformës dhe si rrjedhim, nuk mund të ofrohet shërbimi.

“Platforma e portimit të numrit është bllokuar. Kjo platformë menaxhohet nga AKEP, jo nga operatorët e telefonisë celulare. Nuk ka mungesë dëshire nga ana jonë. Qytetarët kanë bërë keqplanifikim. E kanë lënë për ditët e fundit, ndërkohë që janë njoftuar me mesazh që prej datës 1 dhjetor. Fluksi i madh i kërkesave nisi më datë 23 dhjetor dhe u rrit shumë më datat 24 dhe 25. Platforma aktualisht është e mbushur dhe nuk ka më kapacitet. Abonentët që nuk kanë bërë kalimin e numrit, do të rrinë pa telefon”, shprehen burimet nga kompanitë për Citizens Channel. 

Ndërkohë burime zyrtare pranë  Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare deklarojnë se platforma funksionon. Altin Rrapaj, Këshilltar i kryetarit të AKEP deklaron se gjatë të premtes është bërë portimi i 2500 numrave, jo vetëm i abonentëve të Plus, por edhe i kompanive të tjera. Ai gjithashtu deklaron se u është kërkuar operatorëve që të punojnë edhe në fundjavë, më 30 dhe 31 dhjetor që t’iu shërbehet të gjithë qytetarëve.

“Platforma funksionon dhe nuk ka probleme. U kemi kërkuar operatorëve të punojnë edhe më 30 dhe 31 dhjetor. AKEP është angazhuar për maksimizimin e kapacitetit të CRDB, duke e çuar në mbi 3000 kërkesa në ditë. Sasia e numrave me kod 067, 068 dhe 069, që mund të portohen nga rrjeti i PLUS drejt rrjeteve të tjera, sipas preferencës, pavarësisht se ku kanë qenë më parë, është rreth 20 mijë numra. Afati 30 ditor dhe kapaciteti 3000 kërkesa në ditë ka qenë i mjaftueshëm për realizimin e portimit të atyre që dëshirojnë të portohen. Stafi i AKEP ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me 4 operatorët celularë gjatë gjithë muajit, duke rekomanduar edhe zgjatje të orarit dhe pranim kërkesash edhe në ditë pushimi”, deklaron Rrapaj për Citizens Channel.

Zyrtari i AKEP bën të ditur gjithashtu, se për problemet e portimit në tërësi, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nxjerrë këto ditë një dokument për këshillim publik.

Pra, nëse ke qenë abonent i PLUS-it dhe ende nuk ke bërë portimin e numrit, zyrtarisht ke kohë edhe nesër për të tentuar. Në të kundërt, në mesnatë, atëherë kur bëhet edhe ndërrimi i viteve, duhet të gjeni forma të tjera për të uruar njerëzit e dashur. 

Autor: Aurora Sulçe

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *