Citizens.al

Të gjithë kundër “Paketës Antishpifje”, por qeveria shqiptare nuk tërhiqet

Komisioni Parlamentar i ligjeve dhe ai i medias janë kthyer ditët e fundit në një arenë diskutimesh për dy projektligjet e paketës “antishpifje”, e cila është lajmëruar se do të kalojë në kuvend më 19 dhjetor. 

Organizata mediatike, gazetarë dhe institucione ndërkombëtare të medias kanë reaguar njëzëri kundër drafteve të qeverisë Rama, të cilat janë konsideruar si një kthesë e keqe sa i përket lirisë së medias në vend.

Ditën e sotme në Komisionin e Medias ishin të ftuar akademikë dhe pedagogë, të cilët argumentuan kundërshtitë e tyre për paketën “antishpifje”, duke ju bërë thirrje deputetëve të mos e votojnë atë. Sipas pedagogut Mark Marku me miratimin e kësaj pakete shkelet liria e medias.

Mark Marku, pedagog

Ndërsa gazetari Alfred Lela, i konsideroi këto veprime të qeverisë si një tentativë për të shkuar drejt diktaturës.

 “Janë 15 organizata që janë pjesë e super strukturës evropiane që i kanë dalë kundër ligjit. Megjithatë ju thoni se ligji është evropian. Nuk më duket kështu se po të ishte kështu këto 15 organizata që janë afilacione ndaç në frymë ndaç në strukturë të BE-së nuk do ta shprehnin këtë kundërshtim. Nëse futemi brenda në ligj është e palejueshme që në këtë shekull, në këtë vit, ti jepet një institucioni shtetëror të varur nga shteti, një institucioni publik, e drejta për të  dhënë licensa dhe për të hequr licenca të mediave online. Është diktatoriale.”, u shpreh Lela.

Organizatat e medias, kërkojnë rrëzimin e projektligjeve në Komisionin Parlamentar

Diskutimet e sotme janë vijim i atyre të zhvilluara në Komisionin e Medias të martën, ku gazetarë dhe përfaqësues të organizatave mediatike në Shqipëri njëzëri kërkuan rrëzimin në parim të dy projekligjeve, duke i konsideruar si ligje që censurojnë fjalën e lirë. Drejtuesja ekzekutive e Birn Albania, Kristina Voko u shpreh se ka një mungesë konsultimi për hartimin e këtyre drafteve, si dhe i bëri thirrje qeverisë ti rrëzojë ato. 

Kristina Voko, Birn Albania

Ne i kërkojmë Kuvendit t’i hedhë poshtë dhe ti rrëzojë këto projektligje. Dy institucione të zgjedhura politikisht, të vlerësuara që nuk kanë arritur funksionin qoftë edhe aktual, që kanë në të gjitha raportet ndërkombëtare, nuk mund t’i jepen funksione shtesë përtej kompetencave aktuale, që përtej rregullimit të frekuencave e cila është një e mirë publike dhe duhet të rregullohet dhe është e vetmja liri ose mundësi që juve ju jepet përmes kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet që qeveria mund të rregullojë frekuencat, por nuk thuhet askush mund të rregullojë ose të kontrollojë mediat.”

Gazetari Ylli Rakipi kërkoi që kompetencat për të mbikqyrur mediat online t’i jepen gjykatës dhe jo një institucioni administrativ si Autoriteti i Mediave Audiovizive.  

Kryeministri i vendit i është drejtuar gjykatave të vendit për një numër të madh gazetarësh. Ja ku janë gjykatat, po rregullohen ato. Ju po thoni kjo është reforma më e mirë që po ndodh. Cojini në gjykatë, edhe ju këtu, na coni në gjykatë, gjykata le të vendosë për ne, ligji le të vendosë për ne, por jo urdhri administrativ.”

Për përfaqësuesen e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Mimoza Koçiu Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve që rregullojnë çështje të të drejtave të njeriut. 

Përmes deklaraave tona publike i kemi kërkuar qeverisë të tërheqë dy projekligjet të prezantuara si paketa “antishpifje”, duke rënditur të gjitha kundërshtitë tona. Dhe mes kundërshtive ne themi se Shqipëria sot ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet ku media shkel të drejtat e njeriut dhe çdo ndërhyrje tjetër si dhe në këtë drejtim, ka pasur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor, pra ne nuk kemi konstatuar raste kur shpikja ose fake news i medias nuk ka gjetur adresim nëpër gjykatë”.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Përfaqësuesja e tyre, Erinda Skëndaj është shprehur se Shqipëria nuk ka akoma institucione efektive të pavarura, duke ju referuar këtu rolin të AMA-s.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është bashkuar nismës së 15 organizatave të medias dhe të shoqërisë civile për ti thënë ndal miratimit nga Kuvendi të paketës ligjore antishpifje pasi nëse të gjithë biem dakord që ka një problematikë lidhur me çështjen e shpifjes apo të asaj që quhet fake news, kjo është problematikë edhe e vendeve me demokraci të konsoliduar. Kjo bëhet e dëmshme pasi prek një prej të drejtave themelore që është liria e shprehjes e sanksionuar në nenin 10 të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut. Ne jemi kundër këtyre dy projektligjeve sepse Shqipëria ende nuk është një shtet i konsoliduar nga pikëpamja demokratike, sepse Shqipëria nuk ka ende institucione efektive të pavarura. Po të shohim mënyrën se si zgjdhen anëtarët e AMA-s dhe anëtarët e AKEP-it, ata zgjidhen me një shumicë të cilësuar ç’ka mundet që në vendimarrjen e tyre të propozuar me këto dy projektligje të vendosen nën influenca të natyrës politike apo nën influenca të ekzekutivit, ç’ka do ta minonte lirinë e shprehjes dhe do të përbënte një kërcënim për demokracinë në Shqipëri.”

Ndërsa për kreun e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Cipa, në vetvete projektligjet e propozuara kanë të bëjnë me ndryshimin ekzistues të ligjit për mediat audiovizive. Ai i mëshon më së shumti vetërregullimit nga vetë komuniteti i gazetarëve. 

“Ndërsa konsiderohet sikur ky është një projektligj antishpifje, në vetvete ky është një projekligj që më së shumti në të gjitha faqet dhe nenet e veta parakupton ndryshimin e ligjit ekzistues për mediat audiovizive dhe për AMA-n. Në këtë pikëpamje ne ndajmë qëndrimin e panegociushëm sepse në historinë e 20 viteve të fundit dihet që në të gjtha raportet periodike vjetore ndërkombëtare Autoriteti i Mediave Audiovizive është atakuar për njëanshmërinë apo për indugjencat politike. Në këtë pikë nuk mund të ketë një transferim të bordit të dikurshëm të monitorimit të mediave që e ka aktualisht AMA në një bord të monitorimit të të gjithë mediave ku përfshihet edhe shtypi i shkruar edhe media elektronike. Në qoftë se ligjbërësit shqiptarë do të inicionin dhe inkurajonin krijimin e mekanizmave ekzekutivë vetërregullues, sikundër e kanë shumica e vendeve të BE-së, kjo do ta tjetërsojë këtë realitet të ndotjes etike që karakterizon mediumet tona dhe realitetin tonë në përgjithësi. Por kjo duhet besuar të bëhet vetëm prej komunitetit të gazetarëve profesionistë”

Me të njëjtin mendim është edhe gazetari dhe drejtuesi i Qendrës “Medialook”, Elvin Luku, i cili projektligjet e reja i sheh edhe si censurim të gazetarisë qytetare.

Unë i mëshoj shumë vetërregullimit. Ndoshta duhet të jetë një ligj i veçantë, por i bërë nga vetë gazetarët sepe në këtë ligj nuk merren aspak parasysh disa koncepte të medias online që kanë të bëjnë me gazetarinë qytetare që nuk përfshihet fare, madje ky ligj e censuron. Ka të bëjë me agregatorët e lajmit. Ky ligj censuron agregatorët e lajmit. Shpeshherë ligji ngatërron konceptin e rrjeteve sociale me mediat online”. 

Reagimet e organizatave ndërkombëtare: “Projektligjet, goditje përfundimtare për lirinë e shtypit”

“Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë janë duke përgatitur goditjen përfundimtare ndaj lirisë së shtypit nën heshtjen shurdhuese të bashkësisë ndërkombëtare. Javën e ardhshme do të fillojë procesi parlamentar i propozimit të ligjit, i mbështetur fuqimisht nga qeveria, e cila nën pretekstin e luftimit të fenomenit të lajmeve të rreme, do t’i lejojë një autoriteti publik të kontrolluar nga qeveria të mbyllë dhe bllokojë faqet informative në Internet” – kështu shprehet Federata Kombëtare Italiane e Shtypit (FNSI), e cila përmes një deklarate shpreh solidaritet me kolegët shqiptarë dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, por edhe qeverisë italiane,  të kthejnë në qendër të vëmendjes veprimet “liri-vrasëse” që po zbatohen në Shqipëri.

“Është një situatë e papranueshme, e cila nuk mund të lërë indiferentë institucionet dhe qeveritë evropiane. Nëse është e vërtetë që Shqipëria është një kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, është e paimagjinueshme që negociatat të zhvillohen vetëm për çështje ekonomiko-financiare dhe të mos përfshijnë dhe garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, duke filluar me lirinë e shprehjes dhe të shtypit,”thuhet më tej në deklaratë.

Faksimile e deklaratës së Federatës Kombëtare Italiane e Shtypit (FNSI)

Diskutimi për lirinë e medias në Shqipëri është zhvendosur edhe në emisionin italian “Fuori Tg”, në Rai3, me Maria Rosaria De Medici.  Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, ishte i ftuari, i cili diskutoi bashkë me Giuseppe Giulietti, president i Federatës Kombëtare të Shtypit Italian.  Cukali u shpreh në studio se nëpërmjet këtyre projekligjeve kryeministri po tenton të kontrollojë median online. 

 

“Kryeministri tashmë ka mbrojtur pothuajse të gjitha mediet tradicionale. Megjithatë, ai ende nuk ka media në kontrollin e tij. Kjo është arsyeja pse ai po e zbaton këtë ligj, për të kontrolluar edhe median online. Gjëja e parë që duhet të keni frikë është se do të ketë një efekt domino në të gjithë Ballkanin. “, shprehet Cukali në studio.

Ndërsa Giulietti thotë se: “Reporteri që bën një pyetje të pakëndshme bëhet një rrezik sigurie, që është një terrorist. Dhënia e zërave për ata që rrezikojnë të humbasin lirinë e tyre na shqetëson.  Të luftosh për Shqipërinë do të thotë të luftosh për nenin 21 të Kushtetutës në Itali. Ato nuk janë tema të ndara”. 

E hëna e kësaj jave nisi me deklaratën e 7 organizatave të medias të cilat i bënin thirrje kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë projektligjet për median online.

Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga proçesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias”.

OSBE- me anë të përfaqësuesit të saj për Lirinë e Medias, Harlem Désir, rekomandoi disa ndryshime në draftin aktual, në mënyrë që të shmangen sanksionet e padrejta ndaj mediave elektronike dhe të  ofrohet garancia për lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Federata Evropiane e Gazetarëve (European Federation of Journalists) dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (International Federation of Journalists) mbështesin thirrjet e Unionit të Gazetarëve në Shqipëri për të refuzuar dy projektligjet që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Nëse miratohet, amendamentet e këtij ligji do t’i mundësojnë Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) fuqinë për t’i mbyllur menjëherë portalet mediatike online dhe u lejon atyre të vendosin gjoba për çdo shkelje të dinjitetit apo privatësisë.

Mbrojtësit e të Drejtave Civile (Civil Rights Defenders), një organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka reaguar lidhur me paketën Anti-shpifje . Ata i bashkohen reagimeve të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që parlamenti mos ta miratojë këtë paketë.

Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut (Civil Rights Defenders) i bashkohen organizatave për të drejtat e njeriut dhe organizatave mediatike duke i bërë thirrje parlamentit shqiptar mos t’i miratojnë paketat ligjore kontradiktore të Anti-Shpifjes”. 


 

*Citizens Channel /E.K/ /E.N/

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW