Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Portat e hapura”, një projekt për rijetëzimin dhe ruajtjen e vilave të vjetra tiranase

Vila e Xhimi Begejës dallon nga shtëpitë e tjera që qëndrojnë në rrugën kryesore të Dibrës.

Me status Monument Kulture, kategoria e dytë, ajo është e mirëmbajtur deri në detaj, ndryshe nga shumë godina dhjetëra vjeçare të ndërtuara përgjatë pushtimit italian, të rreshtuara në rrugën kryesore, që kanë kryesisht funksion tregtar.

Mirëmbajtja është bërë nga vetë familja Begeja, si një dëshire e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Tiranës, e cila ndodhet përballë agresionit zhvillimor, që është intensifikuar veçanërisht vitet e fundit.

Mirëpo, dëshira e Xhimi Begejës dhe familjes së tij për të ruajtur çfarë ka mbetur nga historiku arkitekturor i Tiranës, është shtrirë përtej asaj çfarë ata zotërojnë.

Lindur si bisedë mes fqinjëve teksa pinin kafen e mëngjesit, dhjetëra familje janë bërë bashkë dhe tashmë synojnë të çojnë përpara projektin “Dyert e hapura” që ka si qëllim të ruajë disa nga godinat e vjetra të zonës së Selvisë, duke e lidhur me zonën e Pazarit të Ri.

Kafja e mjesit dhe birra e darkës pihet aty ku ke le. Me komshitë, pijmë kafën e mjesit edhe u them: ‘Ore çuna, pse mos ta bëjmë një gjë të tillë?’ Edhe duke i tregu këtë idenë… Ai komshiu tjetër, u mblodhëm bashkë, u bëmë bashkë. ‘Ore Xhim, na sqaro iher, po pse kshu’”, – tregon Begeja për Citizens Channel.

Duke pasur një bashkëveprim me rreth 15-20 familje, ata u dakordësuan që nëntë nga vilat që kanë në pronësi të restaurohen. Një pjesë e tyre që nuk mund të restaurohen për shkak të degradimit, do të rindërtohen në harmoni me stilin e dikurshëm.

Kësaj nismeje iu bashkua Ambasada Franceze, universiteti “Polis” dhe organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të cilët krijuan “Tirana Urban Youth Competition”, ku studentët patën mundësi të propozonin ide për restaurimin e zonës.

Në këtë garë morën pjesë rreth 60 studentë, ku katër prej ideve kryesore fituan çmime si dhe mundësinë që ato ide të vihen në zbatim për rijetëzimin e zonës historike. Prezantimi i ideve kryesore dhe shpallja e fituesve u bë në oborrin e vilave të vjetra në pronësi të familjes Begeja.

Eventi për prezantimin e fituesit e konkursit “Tirana Urban Youth Competition, 2021”

Berenger Thibaut nga Ambasada Franceze, u shpreh se ata kanë si qëllim rikthimin e këtyre godinave në hapësira që do mund t’i gëzojnë të gjithë qytetarët.

Ne do të ecim me banorët në mënyrë që të shohim nëse ata duan ta zhvillojnë për shembull shtëpitë e tyre t’i kthejnë në bujtina, në dyqane, ose ndoshta kafene”, – saktësoi Thibaut, menaxheri i projektit.

Berenger Thibaut, Ambasada Franceze

“Portat e hapura” vjen edhe si projekt i cili rikthen natyrën komunitare të kryeqytetit.

Elementi kryesor është që lagjen ne do ta kthejmë të komunikueshme, me rrugica, me labirinthe, njerëzit të jenë bashkë, nuk do të ketë porta, nuk do të ketë mur, nuk do të ketë gardhe”, – shpjegon Xhimi Begeja.

Në këtë organizim mori pjesë edhe Ambasadorja e Francës në Shqipëri, e cila komentoi ritmin e shkatërrimit të ndërtesave të vjetra.

Është shumë e rëndësishme të mbajmë disa elementë të trashëgimisë këtu në qytet sepse shumë gjëra janë shkatërruar dhe ti e ndjen se njerëzit kanë vërtetë nevojë të kenë disa elemente të historive të vjetra”, deklaroi Elisabeth Barsacq.

Elisabeth Barsacq, Ambasadorja e Francës

Përfaqësues nga Bashkia Tiranë ishin po ashtu pjesëmarrës në prezantimin e projektit “Portat e hapura”.

Arba Baxhaku komentoi se Bashkia si institucion, e ka vetë në fokus zonën e Selvisë.

Për ne është shumë interesante të krijojmë një proces ku mund të gjejmë ekuilibrat dhe balancën për të zhvilluar ndërtesa të reja dhe në të njëjtën mënyrë të gjejmë mënyra për të ruajtur godinat historike”.

“Toka jonë është floriri poshtë këmbëve, po s’ia dimë kimetin”

I bindur se këto vila të vjetra, sot të braktisura dhe gjysmë të rrënuara, janë në fakt pasuri për të gjithë qytetarët, Xhimi Begeja shprehet se ky projekt do të jetë hapi i parë për të ndryshuar konceptin e qytetit urban, i cili është zhvillua mbi historinë dhe kulturën.

Të rujmë vlerat e traditat tona, ta kthejmë në një centrifugë, në një tërheqje, pra që të thithim të gjithë… ta thithi Shqipninë ktu”, – vijon ai.

Xhimi beson se turistët nuk kanë aspak interes të eksplorojnë pallate, ndaj një projekt i tillë, për atë, mbart rëndësi kombëtare

Një turist nuk shko te një qendër tregtare. Se të gjitha njësoj janë, shabllon nëpër botë. Ai do shohë diçka që nuk e gjen në vendin e tij ose në vendet e tjera”, – përfundon ai teksa kujton me nostalgji si dikur Pazari i ri gumëzhinte, rrugicat dhe oborret e shtëpive gjelbëronin, ndryshe nga sot.

Janë pikërisht këto kujtime dhe kjo ndjenjë nostalgjie të cilin ai, së bashku me komunitetin, synojnë të ringjallin përmes “Portave të hapura”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *