Dje, në kuadër të javës rome u çel ekspozita “Stacioni i Gjelbër” në “Parking Art Gallery”. Artistët Xhekson Çela dhe Malvina Lufta sollën instalacione dhe vizatime nga novela grafike, të cilat reflektojnë mbi problematika të komunitetit rom. Kjo është ekspozita e tretë që mbahet në këtë galeri dedikuar pakicave kombëtare.
“Parking Art Gallery ndodhet në institucionin e Komitetit për Pakicat Kombëtare, por nuk do të thotë që do të jetë vetëm për pakicat kombëtare, por ne si galeri do të jemi të hapur edhe për artistë tjerë që nuk i përkasin pakicave, por që trajtojnë tematika të ndryshme që lidhen me artin bashkëkohor”, tha kuratori i ekspozitës, Sead Kazanxhiu
Dëbimi me forcë nga Stacioni i Trenit
Libri i parë në zhanrin novelë grafike i Xhekson Çelës, nga ku u frymëzuan edhe një pjesë e punimeve të sjella në ekspozitë titullohet “Dëbim me forcë nga stacioni i trenit”.
Stacion i gjelbër përveç se përfaqëson ngjarjen e 2011 në Tiranë ku dhjetëra familje u sulmuan me molotov për arsye ende të paqarta, përfaqëson edhe metaforën e një pike takimi dhe shkëmbimi kulturor.
“Është edhe një stacion në kuptimin simbolik që nënkupton për të sjell idenë e lëvizjes, por edhe si një kundër argument ndaj këdo që mendon se romët janë një popull shtegtarësh dhe nomadësh, pasi Stacioni i Trenit është edhe destinacioni edhe vendqëndrim për njerëzit që gjejnë një shoqëri të hapur dhe një shoqëri pranuese”, shpjegon novelisti Çela.
Njëkohësisht, metafora e stacionit nënkupton edhe vendmbërritjen, shtëpinë e re për këdo që gjen një mjedis miqësor.
“Një tjetër mesazh që përcjell nëpërmjet ilustrimeve të mia janë edhe çështja e njohjes së banesave, sepse të huajt kanë një shprehje “home” dhe “house”. Home është aty ku je edhe i lidhur shpirtërisht, jo vetëm ato katër muret e banesës”, thekson Çela.
Shtëpia e babo Kujtimit
Një prej personazheve kryesorë të novelës grafike është babo Kujtimi i cili përfaqëson të kundërtën e asaj që stereotipizohet për komunitetin rom, pra që janë vazhdimisht në shtegtim. Babo Kujtimi në atë shtëpi modeste, të ndërtuar me mund, ka gëzuar martesën e tij, lindjen dhe rritjen e fëmijëve dhe për të është vendi i kujtimeve, mbresave, maktheve, gëzimeve e hidhërimeve.
Shtëpia gjithashtu funksionon si një punishte ku babo punon çdo ditë shporta të ndryshme, të cilat i shet. Shtëpia e tij është një qëndresë jo ndaj zhvillimit, por ndaj narratives së pushtetit dhe normave që një pjesë e shoqërisë i vendos duke gjykuar pjesën tjetër.
Kukulla te punuara me copa tekstile
Malvina Lufta ka punuar me dorë një koleksion në forma kukullash, me materiale të riciklueshme.
“Jemi munduar të sjellim personazhe të ndryshëm nga bota e animacionit, historisë po ashtu edhe personazheve të jetës së përditshme”, tregon Malvina për Citizens Channel.
Ky koleksion ka si qëllim për të edukuar dhe frymëzuar njerëzit e të gjitha moshave për jetët dhe arritjet e këtyre personazheve, që kanë histori, mesazhe dhe mësime jetësore për të ndarë.
Kemi për shembull rastin e Malalës, e cila është shumë e njohur dhe është nobeliste dhe ka lobuar fortë për të drejtat, arsimin e vajzave në Iran. Kemi dhe personazhe shqiptare, Musine Kokalari, një feministe, autore, publiciste, përkthyese e cila nëpërmjet rezistencës së saj ndaj sistemit ka dashur që të përcjell atë idenë e qëndresës ndaj një pushteti despotik, monist, siç ishte në ato vite të errëta pas 45”, përfundon Xhekson Cela.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.